Ish kryeministri Berisha priti në një takim kongresmenin amerikan të Floridës David Jolly, të cilit i shprehu falenderimet më të përzemërta për mbështetjen e madhe e tejet të rëndësishme që SHBA i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve ndër vite. 

 

Në mënyrë të veçantë, ish‎ kryeministri Berisha falenderoi Kongresin amerikan dhe qeverinë e SHBA për rolin përcaktues në realizimin e projektit të lirisë së kombit shqiptar

Bashkëbiseduesit ndanë mendimin se Shqipëria e meriton plotësisht statusin e vendit kandidat, pavarësisht nga problematika të caktuara dhe shprehën optimizmin për marrjen e tij.

Takimi u përqëndrua në situatën politike dhe ekonomike në vend, dëmtimin e klimës së biznesit nga reformat anti-tregu të qeverisë, me të cilat po përkeqësohet gjendja ekonomike.

Kongresmeni amerikan David Jolly i shprehu ishkryeministrit Berisha përgëzimet për transformimet e mëdha që ka realizuar gjatë qeverisjes së tij , transformime të cilat ai i ka konstatuar drejtpërdrejt gjatë vizitave të tij në vendin tonë dhe e siguroi për interesin konstant të tij dhe të kongresit të SHBA për zhvillimet në Shqipëri.