Jam këtu për të shpallur vendimin e Partisë Demokratike dhe grupit parlamentar, për bojkot të Kuvendit, deri në një njoftim të dytë, në shenjë proteste ndaj aktit të sotëm të përjashtimit të Sali Berishës.
Përjashtimi i Sali Berishës është një akt i dhunshëm i dyshes Rama-Meta, një përpjekje ekstremiste për të eleminuar opozitën parlamentare.
Të gjendur përballë fakteve dhe të vërtetave të dhimbshme për moralin e rrënuar të Kryeministrit dhe servilëve të tij, Ilir Meta dhe Edi Rama këta furacakë të pashoq, vendosën sot një standard të zi në parlamentin shqiptar, duke dënuar atë që citon, atë që thotë të vërtetat, atë që prish rehatinë e haremit qeveritar.
Opioni publik shqiptar ka kohë që është i tronditur dhe nuk kapërdin dot lajmet mbi një darkë dekadente qeveritare ku Kryeministri Rama, fyen jashtë çdo përfytyrimi dhe zakoni shqiptar zonjat që janë të pranishme në tryezë.
Sali Berisha e denoncoi këtë degjenerim etik dhe moral të Kryeministirt, sot në sallën e Kuvendit dhe për këtë u dënua.
Ndërsa i dënueshëm është dhe duhet të jetë një person në politikën shqiptare, Edi Rama, për aktet, për deklaratat dhe për gjestet e tij.
Ky fundërrirë e politikës, sic e ka cilësuar Ilir Meta, ka quajtur publikisht një gazetare prostitutë.
Edi Rama vizaton nga pas zonjat deputete kur ato janë duke folur në sallën e kuvendit.
Edi Rama është kapur mat nga televizionet duke përdorur në sallën e kuvendit një fjalor që turpëron edhe horrat.
Gjatë gjithë karrierës së tij, Edi Rama e ka pasur dhe e ka stil të punës së tij të shajë, fyejë, e të depersonalizojë servilët dhe gratë e burrat e servilëve që i rrinë para dhe pas.
Cdo shqiptar e njeh mirë këtë anë të errët të lobit mendor të Kryeministrit. Cdo shqiptar e beson se Edi Rama i ka fyer deri në pikën më të fundit zonjat në darkën qeveritare.
Cdo shqiptar e dënon këtë gjuhë, këtë sjellje, këtë degradim sidomos kur e bën Kryeministri, që duhej të ishte model publik.
Por sot dënohet, lajmësi, denoncuesi. Dënohet Sali Berisha.
Kjo është një sjellje e përsëritur e dyshes Rama-Meta. Edhe kur dhunohet fizikisht deputeti i Partisë Demokratike, sërish nuk denohet dhunuesi, por i dhunuari.
Rama dhe Meta, duhet ta mësojnë edhe një herë sot, se nuk do tia dalin kurrë të mbyllin gojën e opozitës me akte të tilla të turpshme.
Partia Demokratike do të jetë gjithnjë zëdhënëse e të vërtetave në interesin më të lartë të publikut dhe qytetarëve.