Z. Kryetar

Të nderuar Kolegë,

Më lejoni të citoj nenin 1 te ligjit për Shërbimin Civil, atij ligji që mazhoranca  masakroi në mënyrë sistematike:

Qëllimi dhe objekti

Ky ligj ka për qëllim krijimin e një shërbimi civil të qëndrueshëm, profesional, të bazuar në meritë, integritet moral dhe paanësi politike.

 Nderkohë ligji PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E ADMINISTRATËS SHTETËRORE percakton se:

 Administrata shtetërore është aparati organizativ dhe profesional, që i shërben interesit publik me paanësi, duke zbatuar legjislacionin në fuqi,

Po vazhdoj më tej me disa kritere etike që vendos ligji PER RREGULLAT E ETIKES NE ADMINISTRATEN PUBLIKE të viti 2003:

Neni 3 – Parime te përgjithshme te etikes

1. Ne kryerjen e funksioneve, nëpunësi i administratës publike duhet te respektoje parimet si me

poshtë:

·       te kryeje detyrat, ne përputhje me legjislacionin ne fuqi;

·       ne kryerjen e detyrave duhet te jete i ndershëm, i paanshëm, efikas, duke pasur parasysh vetëm interesin publik;

·       te sillet gjithnjë ne mënyrë te tille, qe besimi i publikut ne ndershmërinë, paanshmërinë dhe efektivitetin e shërbimit publik te ruhet e te rritet;

Pse i citova këto dispozita ligjore? Pikërisht për arsye se administrata publike është një nga mbajtësit kryesorë të besimit publik dhe ka si synim parësor përmbushjen e interesit publik me integritet të plotë.

 Integriteti moral, ligjor dhe politik i administratës është i sanksionuar me ligj pikërisht që norma morale dhe integriteti që kërkon publiku të jetë normë detyruese për qeverinë. Dhe Kushtetuta e përcakton ligjin e Parlamentit si bazën dhe kufirin e veprimit të Kryeministrit dhe administratës së tij.

Nëse Kryeministri dhe qeveria e shkelin ligjin e Parlamentit, në fakt po rrënojnë pushtetin e organit më të lartë që bart legjitimitetin popullor nëpërmjet votës. Prandaj, Parlamenti ka për detyrë kushtetuese të kontrollojë se si zbatohet ligji i tij dhe të ndërhyjë kur ky ligj cënohet apo është i pamjaftueshëm.

 Opozita, në përputhje me nenin 77 të Kushtetutës, parimet dhe jurisprudencën kushtetuese, ka kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor për verifikimin e ligjshmërisë së emërimeve në detyrë në administratën shtetërore, entet publike apo shoqëritë tregtare shtetërore.

 Ne besojnë fort se funksionimi normal i administratës shtetërore është i lidhur ngushtësisht me pastërtinë e figurës së zyrtarëve publikë dhe emërimet duhet të bazohen në meritë, integritet moral dhe paanësi politike.

 Mirëpo, pas ardhjes në pushtet të Qeverisë Rama-Meta, është vënë re një vullnet i palëkundur për të zhbërë administratën shtetërore ekzistuese dhe për zëvendësimin e profesionistëve me militantë partiakë. Gjithësesi, militantët do të ishin gjysma e së keqes. Më e keqja është se drejtimi i administratës shpesh i është dhënë personave të përfshirë apo të dyshuar si të përfshirë në veprimtari kriminale.

 Para 23 qershorit të shkuar, Edi Rama bëri pakt me maskarenjtë dhe kriminelët vetëm e vetëm të rrëzonin Sali Berishën dhe PD. Ky pakt nuk i dha më shumë mandate, mori vetem 65 nga 66 mandate ne 2009. Por çmimin Kryeministri po e pagon duke i dhënë krimit pushtet në administratë. Ky është çmim shumë i lartë për publikun.

Prej disa muajsh, Partia Demokratike ka denoncuar publikisht emërimin në poste të larta të administratës shtetërore të dhjetra personave që kanë qenë të përfshirë në veprimtari kriminale. Për ilustrim disa nga denoncimet e PD:

·       Drejtori i Ujësjellësit Patos (dënuar për trafik të lëndëve narkotike);

·       Drejtori i Shërbimeve në Portin e Durrësit (dënuar për trafik droge);

·       Drejtori i Tatimeve në Sarandë (dënuar për vjedhje);

·       Drejtori Rajonal i Transportit Berat (dënuar për shpërdorim detyre);

·       Shefi i Shërbimeve Mbështetëse në Prefekturën e Tiranës, i denuar për trafik droge, etj.

·       I fundit në listën e denoncimeve të PD është kryetari i ri i sapozgjedhur i Këshillit të Qarkut të Vlorës, i përfshirë në rrëmbim personi.

 Dy oficerë të lartë policie u shkarkuan para një jave për përfshirje në trafikun e drogës, etj. Po sa drejtues të tjerë policie, të shkarkuar më parë nga vetë qeveria socialiste e Nanos, për përfshirje në trafiqe droge e krime të tjera, janë rikthyer në drejtim të policise? Komisioni hetimor për policinë e zbardhi këtë skandal.

Këto janë emërimet e Kryeministrit Rama që bazohen në meritë, integritet moral dhe paanësi politike? A janë këta personat, që si  aftësi kanë shkeljen e ligjit, ata për të cilët zgjedhësit votuan këtë Kryeministër? Sigurisht që jo.

Këto fakte të denocuara nga PD janë  tregues jo vetëm i mosrespektimit të parimit të meritokracisë në emërimet e kryera, por provon qartësisht kapjen e shtetit nga krimi, duke injoruar kërkesat ligjore për pastërti etiko-morale të zyrtarëve publik.

Përpara nesh shtrohet një çështje shumë e veçantë, që shqetëson opinionin publik. Këtu qartazi është e nevojshme të hetohet nga Parlamenti nëse është shkelur ligji, dhe nëse ky i fundit duhet forcuar që kriminelët të mos kontrollojnë administratën. Për të hetuar këtë çështje të veçantë, opozita kërkon ngritjen e këtij komisioni hetimor sot.

Të nderuar deputetë të mazhorancës,

Ky i sotmi është i katërti komision hetimor që opozita kërkon. Deri më sot keni pranuar vetëm një komision të cilin bëtë çmos që ta sabotonit. Dy të tjerë i keni rrëzuar në kundërshtim me kushtetutën, dhe tashmë Gjykata Kushtetuese jua ka ndëshkuar me vendim antikushtetutshmërinë për rrëzimin e komisionit për vjedhjen e miliona deklaratave tatimore nga serverat e tatimeve.


Fjala e deputetit të PD Oerd Bylykbashi në Kuvend, 5 qershor 2014