Deklaratë e Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike

 

 

 

 

Rama ka deklaruar se PD nuk ka reaguar për sulmin ndaj  gazetarëve në Lazarat. Ne kemi dënuar në çdo rast dhe në çdo rrethanë sulmet ndaj gazetarëve. Ai që jo vetëm nuk u ka dalë ndonjëherë në mbrojtje por perkundrazi ka qënë nxitës apo dhe agresor direkt i gazetarëve, është Edi Rama. Kujtoj që gazetari Telnis Skuqi, i cili ishte ndër gazetarët e guximshëm që denoncoi narkotrafikun nëpërmjet strukturave shtetërore, jo vetëm nuk u mbrojt kur u kërcenua nga narkotrafikantët por ai u sulmua në Parlament nga deputetët, sharës të paguar të Ramës. Denoncimet e tij në Komisionin e Mediave jo vetëm nuk u dëgjuan nga deputetët socialistë që bojkotuan qëllimisht komisionin, por me urdhër të Ramës u fshinë ato denoncime dhe nga procesverbalet zyrtare në komision.

Marrëdhëniet e Ramës me mediat në kohë të ndryshme janë mëse të njohura nga gazetarët. Ai është dhunuesi më i madh i mediave në Shqipëri por unë po kujtoj vetëm dy raste të tjera të ditëve të fundit; sulmin prej shoqëruesve të Ramës ndaj gazetarit të njohur Frrok Çupi dhe “luftën me pjata e pirunj” të vetë kryeministrit tonë me gazetarin tjetër shumë të njohur, ish-mik i Ramës, Adi Krasta. Të dy të sulmuar sepse kanë guxuar ti thonë Ramës disa të vërteta… Ky është Rama, “mbrojtësi ” i mediave të lira për të cilin të gjithë gazetarët që nuk janë të shitur tek ai, janë armiq.