Zëdhënësja Vorpsi denoncon emërimin e personit me precedent penal si bashkëpunëtor të Drejtorit për Rendin Publik

 

Administrata dhe Policia e Shtetit, janë bërë streha e sigurtë e personave me precedentë penalë dhe personave të dënuar për trafik droge.

Binak Dobrushi, i arrestuar në dhjetorin e vitit 2008 me rreth 2 kilogramë heroinë, i konsideruar si grosisti i rrjetit të drogës në Tiranë, drogë që përfundonte edhe në shkollat e fëmijëve tanë, i dënuar nga gjykata, është sot një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Drejtorit të Rendit Publik në Ministrinë e Brendëshme.

Me detyrën që ka në krah të Drejtorit të Rendit Publik, i dënuari për trafik droge, ka marrë sot me Edi Ramën, imunitetin dhe lehtësirat që i duhen për të ushtruar aktivitetin e tij.

Prandaj kthimi i Shqipërisë në një laborator të madh droge, nuk është një zhvillim rastësor.

Kjo ndodh, sepse në administratë, në poste kyçe, janë vendosur persona të arrestuar e të dënuar në të kaluarën për trafik droge.

Emërimi i Dobrushit dhe i të tjerëve me precedent penal, është i qëllimshëm. Provoni të klikoni në google, emrin e këtij personazhi dhe do të shihni dhjetra artikuj të shtypit që flasin për drogën që i kanë kapur, dhe historinë e tij.

Si ka mundësi që Ministria e Brendshme nuk e bën dot një verifikim minimal.

E vërteta është se ky kontroll nuk vlen, pasi me Edi Ramen, të inkriminuarit janë në listën e të preferuarve.