Deputeti Ristani denoncon caktimin sot nga Kryeministri të Sadrit Danajt, si kryetar të Këshillit të Qarkut Vlorë. Në vitin 2000 u përfshi në Itali në rrëmbimin e një vajze biznesmeni. Gazetat “La Republica” dhe “Corriere Della Sera” shkruajnë për rastin dhe përmendin të zgjedhurin e Ramës.

  

 

Sot, në të njëjtën orë, teksa mburrej para medias në krah të Komisionerit Fyle, Edi Rama i dha drejtimin e Këshillit të Qarkut të Vlorës, Sadrit Danajt, pa iu dridhur qerpiku për të shkuarën e këtij rilindasi.

Eshtë shumë e thjeshtë. Pyesni këdo në Vlorë, ose kontrolloni në Google, emrin e këtij personazhi. Do të zbuloni, dy gazetat më të mëdha të Italisë, që shkruajnë se Sadrit Danaj është përfshirë në një histori mafioze rrëmbimi në Sicili në vitin 2000.

“Corriere Della Sera” dhe “La republika”, kanë në arkivat e tyre të kronikës së zezë, rrëmbimin e vajzës së një biznesmeni, për ta detyruar atë të paguante një gjobë të majme.

Në mesin e bashkëpunëtorëve është Sadrit Danaj, sot, i dekoruar nga Edi Rama si Kryetar i Këshillit të Qarkut të Vlorës.

Sipas “La republicas”, policia ka përgjuar telefonatën e Sadrit Danajt, me bashkëpunëtorët e tij italianë, ku Kryetari i Këshillit të Qarkut të Vlorës, në një moment është shprehur si më poshtë:

“Vajza duhej vrarë, vetëm kështu do tia kishim hedhur. Trupi nuk do të gjendej kurrë dhe ne nuk do të kishim rrezikuar asgjë”.

Danaj është arrestuar në atë kohë nga policia italiane sëbashku me pjestarët e tjerë të bandës.

Ky pra është Edi Rama. 

Kjo është rilindja e tij. Këtë e dinë tashmë të gjithë shqiptarët, por është mirë ta mësojë dhe z.Fyle se, fjalët e bukura që kryeministri shqiptar thotë në krah të tij i ndan një hendek i pakapërcyeshëm me botën e errët të krimit, të cilën Edi Rama po e promovon pandalshëm në kupolën e drejtimit të shtetit.