Kryetari i PD, Lulzim Basha merr pjesë në Kuvendin Zgjedhor të degës së Përmetit dhe Mallakastrës: “Misioni i Shqipërisë europiane në çdo qelizë të saj, i standardit europian në çdo orë të jetës së çdo shqiptari kudo në vend, është misioni hyjnor i Partisë Demokratike”
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha mori pjesë në Kuvendin Zgjedhor të PD-së në Përmet dhe Mallakastër. zoti Basha i është bashkuar shqetësimit të qytetarëve jo vetëm në Përmet dhe Mallakaster por në të gjithë Shqipërinë për situatën e rëndë ekonomike në vend. Çdo shqiptar, tha Basha, e kupton sot me Rilindja ishte thjesht dhe vetëm një mashtrim për t’u marrë votën qytetarëve. Lideri demokrat ka sjellë në vëmendje falimentimin e biznesit dhe papunësinë në rritje si kërcënim i madh për mirëqënien e qytetarëve.
“’Rilindja’ e famshme e Edi Ramës doli një fjalë boshe, rezultoi propagandë pa doganë, rezultoi një tufë tollumbacesh që u shpuan një e nga një pikërisht sepse ishte një premtim bosh pa alternative, sepse nuk u bazua në një analizë konkrete, realiste të gjendjes së vendit, të mundësive të vendit dhe vizioneve për të shkuar përpara. Por u bazua kryekëput në mashtrimin për të marrë votën. Sot përkeqësimi ndjehet kudo. Sipërmarrja në nivel falimentimi në të gjithë vendin. Mijëra shqiptarë humbin vendet e tyre të punës, asnjë premisë për përmirësim”, tha Basha.
Zgjedhjet në PD, theksoi zoti Basha, për vetë mënyrën qytetare që po zhvillohen, alternativat që po përcjellin kandidatët, vendin e votës së lirë në themel të garës në parti dhe nivelin demokratik të riorganizimit të partisë, ka bërë që qytetarët ta ndjekin me dëshirë dhe shpresë për të nesërmen. Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka kërkuar nga drejtuesit e rinjtë partisë në çdo degë të hartojnë platformën e zhvillimit për zonat e tyre.
“Çfarë tjetër është arsyeja jonë për të qënë këtu nëse nuk jemi në gjendje t’i ofrojmë një perspektivë zhvillimi qytetarëve ku gjithsecili prej tyre të shohë mundësinë dhe të besojë tek e nesërmja, të besojë se dinjiteti i tij dhe i saj nuk do të nëpërkëmbet, të besojë se ligji do të funksionojë i barabartë për të gjithë. Misioni i Shqipërisë europiane në çdo qelizë të saj, i standardit europian në çdo orë të jetës së çdo shqiptari kudo në vend, është misioni hyjnor i Partisë Demokratike”, tha Basha.