Prononcim për mediat i Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas takimit me përfaqësuesit e trupit diplomatik akredituar në Tiranë
Gjatë takimit sot me përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, diskutuam në detaje për sfidat e jashtëzakonshme që parashtrohen përpara demokracisë shqiptare e në veçanti para funksionimit të Parlamentit, pas faktimit të ngritjes së një strukture dhune nga Edi Rama në Kuvend përmes personave të inkriminuar, për të mbyllur gojën e opozitës dhe për të degjeneruar edhe parlamentin, në një fasadë të qeverisjes oligarkike dhe mafioze, siç po degjenerohen dita ditës institucione të tjera të vendit.
Në këtë kuadër vumë theksin edhe tek zhbërja apo përpjekjen për zhbërjen e shtetit ligjor, përmes moszbatimit të vendimit të gjykatave, përmes kapjes së institucioneve të pavarura dhe intimidimin e tyre, përmes përpjekjes për të vënë nën hyqëm politik, dhe jo për të reformuar, drejtësinë e gjyqësorin dhe përmes futjes së krimit, tashmë jo vetëm në poste të larta drejtuese në administratë por edhe në Parlamentin shqiptar si pararojë e tipit mafioz e oligarkik të qeverisjes, që kërcënon sot Shqipërinë.
Kërcënimi ndaj demokracisë, ndaj interesave të qytetarëve shqiptarë, ndaj stabilitetit nuk ka qënë kurrë më i madh dhe i drejtpërdrejtë. Eshtë kërcënimi për të cilin flet në vijimësi edhe parneri ynë i madh Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zyrtarë të tjerë të Bashkimit Europian, kërcënim tek i cili u ndal Sekretari i Shtetit Xhon Kerri kur foli për rrezikun e zhndërrimit të demokracive të reja nën presionin e krimit dhe korrupsionit në oligarki, të kapura dhe të operuara në bazë të interesave të kleptokratëve dhe mafias.
Shpreha dhe dua të përsëris vendimin dhe vendosmërinë tonë, të Partisë Demokratike dhe të opozitës, për të qëndruar fuqishëm në mbrojtje të vlerave të demokracisë, në mbrojtje të fjalës së lirë, në mbrojtje të transparencës dhe për transparencën e plotë të të gjitha lidhjeve të errëta dhe kriminale, të cilat kanë marrë dhe po marrin peng jo thjesht axhendën e një shumice, por kërkojnë të marrin peng dhe të shndërrojnë Shqipërinë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë në një treg të pakicës mafioze dhe oligarkike.
Pyetje: Z.Basha do të vazhdoni marrëdhënien tuaj të bojkotit me Parlamentin?
Ne po shterojmë dhe do të shterojmë të gjitha opsionet demokratike. Sot kemi dorëzuar në Prokurori kallëzimet tona duke shpresuar dhe besuar se kjo provë e rëndësishme për funksionimin e institucioneve do të kalojë me sukses, por nuk duhet të bëjmë asnjë gabim, duhet të kuptojmë se në këto 10 muaj, ato që për vëzhguesit e pakujdesshëm mund të duken si ngjarje të veçanta, lidhen të gjitha në një kornizë veprimi e cila është hartuar dhe dirigjohet nga dyshja Rama-Meta, dhe ka për qëllim të shndërrojë demokracinë në oligarki. Shprehjen e vullnetit të mirë për programe të ndryshme zhvillimi nga forca politike, ta zëvendësojë me shitblerje të votës. Zëvendësimin e strukturave të pavarura apo ligjore të shtetit me klientelë politike, zëvendësimi i demokracisë me oligarkinë e mafias. Kjo është një betejë e të gjithë qytetarëve shqiptarë që duan të mirën e këtij vendi. Partia Demokratike është në krye të kësaj beteje dhe do ti prijë kësaj beteje jo me sens llogarishë politike, por me sensing misionar të demokracisë, të lirisë, të drejtave të qytetarëve me të cilin është krijuar, me të cilin do të vazhdojë këtë betejë për Shqipërinë europiane për të ardhmen e çdo qytetari.