Kryetari i PD, Lulzim Basha merr pjesë në Kuvendin Zgjedhor të degës së Durrësit.

 

 

 

 

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha mori pjesë në Kuvendin Zgjedhor të demokratëve të Durrësit. Zoti Basha ka theksuar në fjalën e tij se dhuna dhe krimi kanë pushtuar shtetin.  Duke u ndalur në kërcënimin me jetë që iu bë deputetit demokrat Gent Strazimiri një dite më parë në parlament, zoti Basha tha se ky është agresion që i bëhet fjalës së lirë, që i bëhet interesave të shqiptarëve. Parlamenti, tha Basha, është kthyer në strehë të krimit, ashtu si edhe nivele të larta të administratës.

“Dhuna dhe krimi kanë pushtuar sheshet dhe politikën. 300 ditë më parë filloi e keqja me rrënimin e policisë, vazhdoi me rrënimin e ekonomisë,  vazhdoi me rrënimin dhe kapjen e institucioneve, me narkotrafikun, me dhunën dhe vulgaritetin kryeministror, me vrasjet mafioze dhe eleminimet e elitës sipërmarrëse.

E keqja nuk po ndalet.

300 ditëshi i dytë filloi me agresionin e krimit politik ndaj opozitës në parlament, agresionin ndaj fjalës së lirë, agresionin ndaj interesave të shqiptarëve.  Prisni se nuk keni parë asgjë, paralajmeronte i marri nga foltorja e Kuvendit sepse e dinte destinacionin, e njihte mirë patologjinë e tij, urrejtjes e mllefit ndaj kundërshtarit”, tha Basha.

Partia Demokratike ka dëshmuar në këto 24 vite se ia ka dalë të triumfojë ndaj të keqes, tha Basha, duke shprehur bindjen se dhe këtë herë do të arrijë ta ndalë kërcënimin që po i bëhet të tashmes dhe të ardhmes së vendit nga Rilindja e së keqes. Zoti Basha u ka bërë një apel nga Durrësi të gjithë shqiptarëve të ngrihen për ta ndalur të keqen para se ajo të triumfojë.

“Nga realiteti europian që kishim ndërtuar dhe donim të përparonim, tani duan ta përballin Shqipërinë me realitet oriental sirian. Tani është koha të reagojmë. Tani është koha t’i themi ndal së keqes dhe të çohemi të gjithë për ta ndalur atë para se e keqja të triumfojë. I përkasim qytetërimit europian që nuk mund të përfaqësohet para botës me këtë pakicë mendjesh të sëmura mesjetare. Nuk duhet të lejojmë të keqen të pushtojë të tashmen, të pushtojë të ardhmen, të pushtojë vendin e fëmijëve tanë. Misioni ynë dhe i çdo atdhetari është t’u kthejmë shqiptarëve normalitetin”, tha Basha.