Kryetari i Partisë Demokratike denoncon mega skandalin e negociatave sekrete të qeverisë, cka do të sjellë faljen ndaj kompanisë CEZ të 3 miliardë dollarëve, dhe dëme të tjera që do të bien në kurriz të shqiptarëve
E kam kërkuar këtë konferencë të jashtëzakonshme, në një orar jo të zakonshëm, për t’iu drejtuar shqiptarve për një çështje, e cila për nga përmasat, mund të konsiderohet, pa frikë, më tronditësja e këtyre 23 viteve në demokraci. Bëhet fjalë për atë që, nëqoftëse shkon drejt konkretizimit, mund të quhet pa frikë vjedhja e shekullit ndaj shqiptarve. Marrëveshjen e Qeverisë Shqiptare me kompaninë CEZ, rrethanat e së cilës, përbëjnë një mega skandal financiar dhe një vepër kriminale me autorësi të plotë të Qeverisë Rama.
Në datë 23 Qershor 2014 Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Gjiknuri, i shoqëruar nga Ministri i Financave dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes, njoftuan shqiptarët në lidhje me negociatën më të suksesshme të arritur, duke i paguar kompanisë CEZ vlerën prej 95,5 milion Euro në këmbim të kthimit të 76 % të aksioneve në pronësi të shtetit shqiptar. Por në fakt, këta ministra nuk i njohën shqiptarët me termat e asaj marrëveshje dhe të vërtetën e asaj marrëveshje. Përkundrazi, përmes gënjeshtrave u përpoqën, që në një kohë të shkurtër prej një muaji, të bindnin shqiptarët se si rezultat i përgjegjësive të qeverisjes së kaluar çështja e hapur në arbitrazh, të investimeve nga pala Çeke, ishte e destinuar të humbej dhe në këto kushte qeveria ishte e detyruar të pranonte më mirë të paguante 95,5 milion Euro, ndërkohë që pala Çeke kërkonte 200 milion Euro.
Sot, është dita e fundit kur duhet të përmbushet kushti i dytë, ratifikimi në Parlament, pas nënshkrimit të asaj marrëveshje të mbajtur sekret, me anë të së cilës arrihet marrëveshja me mirëkuptim mes Republikës së Shqipërisë dhe Shoqërisë CEZ. Për këtë, Qeveria ka paraqitur një draft ligj me pesë nene, të shoqëruar me një relacion të mbushur me gënjeshtra dhe qëllime të kundërta me interesat e Republikës së Shqipërisë për të justifikuar paligjshmërinë dhe këtë marrëveshje të paligjshme e jo transparente ndaj shqiptarëve.
Ju kujtojmë të nderuar qytetarë se konflikti me CEZ ka filluar në Tetor të vitit 2012. Në atë kohë Qeveria kontraktoi një nga studiot ligjore më të njohura ndërkombëtare në fushën e arbitrazhit, Gharavi & Lazareff, për ta konsultuar në negociimet e mundshme me kompaninë CEZ dhe hapat e tjerë që duhet të ndërmerreshin për shkak të situatës të krijuar dhe gjendjes në të cilën ishte CEZ shpërndarje, efektet e së cilës shqiptarët i mbajnë mend fare mirë.
Në Nëntor 2012, pas dështimit të negociatave, avokati ndërkombëtar i Qeverisë Shqiptare e këshilloi Qeverinë Shqiptare t’i hiqte të dyja licensat CEZ-it dhe në vijim të angazhohej fuqishëm për ngritjen e padive në arbitrazh ndërkombëtar referuar Marrëveshjes së privatizimit, të cilat konsistonin në:
· Dëme të rrjedhura nga mosrealizimi i masës së investimeve të nevojshme për përmbushjen e detyrimeve të CEZ a.s. sipas kontratës për shitblerjen e kuotave dhe abuzimi me pasuritë e CEZ Shpërndarje të vlerësuara në masën 1 miliardë dollarë.
· Dëme të rrjedhura nga shkëputja e pajustifikuar e energjisë elektrike; likujdimi i faturave ndaj KESH dhe OST në masën e rreth 350 milion Euro.
Përveç padive civile, avokati ndërkombëtar këshillonte Qeverinë të ngrinte kallëzim penal ndaj stafit ekzekutiv të CEZ-it si dhe përgatiti një plan masash të cilat duhet të ekzekutoheshin nga ana e institucioneve të shtetit shqiptar.
Paralelisht, Enti Rregullator i Energjisë, kontraktoi një tjetër avokat ndërkombëtar për të bërë vlerësimet dhe ndjekur procedurat në fazën e heqjes së licencës deri në momentin e vënies së Shoqërisë në administrim të përkohshëm.
Pra, u bë çdo përpjekje për të ndjekur këshillat e Avokatit Ndërkombëtar, dhe kjo vazhdoi edhe pas prishjes së koalicionit së Qeverisë së kaluar me partnerin qeveritar LSI, dhe më pas, gjatë periudhës zgjedhore dhe post zgjedhore.
Sipas, këshillimit të Avokatëve Ndërkombëtarë, nga ana e Qeverisë së mëparshme u ndërmorën këto hapa: kompanisë CEZ shpërndarje iu hoqën licencat; u ndoqën me përparësi procedimet e brendshme të iniciuara nga CEZ ndaj autoriteteve të Tatim-Taksave, detyrime pra që CEZ-i u kishte Tatim-Taksave, pra arkës të publikut, arkës së shtetit Shqiptar; u përgatitën procedurat tenderuese për auditorët ndërkombëtarë, firmat e vlerësimit teknik dhe financiar, të cilat më pas u kontraktuan sipas ligjit; u mblodhën me mijëra dokumente dhe u përgatitën dëshmi nga institucionet e shtetit shqiptar mbi këtë rast; u paraqit kallëzimi penal ndaj stafit ekzekutiv të CEZ; u paraqit përgjigja e parë ndaj ankimit të paraqitur nga CEZ-as në Arbitrazhin e investimeve.
Me 30 Shtator 2013, siç mund t’i kujtohet publikut, Avokati i Qeverisë Shqiptare, i Republikës së Shqipërisë, dërgoi një letër, e cila në shkelje të çdo etike komunikimi dhe ruajtjes së konfidencialitetit të ndjekjes së procedurave në Arbitrazh Ndërkombëtar, u publikua por vetëm pjesërisht në media. U publikua pjesërisht sepse pjesa që kishte rëndësi ishte ajo që i binte alarmit për Qeverinë e sapoardhur, për të mos humbur asnjë minutë kohë dhe për të vazhduar për të ndjekur pa vonesë çështjen, në mënyrë që të mos dëmtoheshin interesat e Shqipërisë.
Në asnjë rresht të asaj letre, në asnjë komunikim, Avokati Ndërkombëtar nuk e konsultoi, nuk e këshilloi Republikën e Shqipërisë të negociojë me CEZ-in, përkundrazi theksoi se çeshtja është plotësisht e fitueshme nga pala Shqiptare.
Qeveria fshehu rekomandimet e dhëna në datë 1 Tetor 2013 nga autoritetet kompetente Shqiptare për mbrojtjen e interesave pasurore të shtetit. Kjo sepse në fakt, Qeveria Rama-Meta erdhi e përgatitur për ta lënë mënjanë arbitrazhin dhe për të negociuar, megjithëse deri në atë kohë ishin bërë të gjitha përgatitjet, ishin paguar edhe para për të kontraktuar studio ligjore dhe ekspertë të huaj me qëllim auditimin e kompanisë dhe vlerësimin e padive të CEZ-it dhe Republikës së Shqipërisë.
Një nga provat e këtij qendrimi të paragjykuar është dhe fakti se duke dëmtuar rëndë pozitën e Republikës së Shqipërisë në këtë proces, z.Kryeministër fliste për paligjshmëri të heqjes së licencës që në Dhjetor, pra pranonte fajin e palës Shqiptare, ndërkohë që po në Dhjetor kishte marrë dijeni për vlerësimet nga ana e ekspertëve të kontraktuar nga Republika e Shqipërisë.
Dy raportet e vlerësimit teknik dhe financiar, ishin vënë në dispozicion të Qeverisë që në dhjetor dhe draftet finale u dhanë më 10 Shkurt 2014.
Në këto raporte që tashmë disponohen nga Opo
zita, dhe që do ti bëhen sot publike qytetarëve shqiptarë përmes Mediave dhe Internetit, thuhet me fakte dhe me shifra, nga e 5-ta Kompani në Botë eksperte për auditim në raste të tilla, se Shqipërisë, CEZ i detyrohet një shumë deri në 3 miliardë dollarë. Në këto raporte thuehet se:
· CEZas nuk investoi në kompaninë e shpërndarjes referuar marrëveshjes;
· Se kompania u shkatërrua me qëllim nga CEZ mëmë, e cila kishte një vit që përgatitej të largohej
· Se paratë e marra me kredi nuk ishin përdorur për të bërë investimet e kërkuara
· Se pjesa takuese e shtetit shqiptar prej 24 % ishte zeruar si vlerë;
· Se e gjithë vlera e kompanisë kishte shkuar në zero;
· Se paratë e mbledhura nuk ishin investuar, por në kundërshtim me ligjin ishin transferuar në parajsat fiskale nga kompanitë fantazëm të kontraktuara nga CEZ
· Se CEZ-i kishte dështuar të investonte, të ulte humbjen në rrjet dhe të ulte borxhin e keq, i cili rezultonte i rritur nga 8 milion në vitin 2007 në 53 milion Euro në Janar të vitit 2013;
· Se CEZ shpërndarje në kundërshtim me ligjin kishte transferuar para tek CEZas në mënyrë preferenciale kundrejt kreditorëve të tjerë;
· Se heqja e licensës nga Enti Regullator i Energjisë ishte më se e drejtë;
· Se paditë e paraqitura nga CEZ ishin të pajustifikuara, të mbivendosura dhe jo të llogaritura drejt.
Për më tepër, kompanitë audituese dhe vlerësuese këshillojnë Qeverinë të bëjë kallëzim ndaj stafit ekzekutiv të lartë të CEZ, që me dashje shkatërroi kompaninë dhe të hetohet në lidhje me transferimin e parave jashtë R.SH-së nga firmat e kontraktuara nga CEZ.
Qeveria i mban të fshehura këto raporte dhe për më tepër keqpërdor emrin e Avokatit Ndërkombëtar, duke sajuar fakte dhe trillime të paqëna për të manipuluar opinionin publik.
Por, dielli nuk mbulohet me shoshë. Bërja publike e raporteve audituese dhe të vlerësimit ishte detyrë e parë e Qeverisë; bërja publike e opinionit ligjor të Avokatit Ndërkombëtar dhe e minutave të takimit gjatë negociatave ishte detyrim madhor. Në dijeninë tonë, këto i janë fshehur jo vetëm publikut, por dhe Parlamentit dhe Deputetëve.
Ajo që pritet të ndodh sot është një krim financiari përmasave të papara dhe të padëgjuara në Europë. Ështe e para herë në historinë e një vendi, e çfarëdo vendi, që një konflikt i këtyre përmasave financiare të zgjidhet pa një analizë të hollësishme ligjore, me negociata në fshehtësi të plotë, pa pjesëmarrjen e avokatit ndërkombëtar të palës tonë, pa pjesëmarrjen e vlerësuesit financiar; pa minuta takimi dhe nga persona në konflikt të hapur interesi siç është një nga firmëtaret e marrëveshjes, njëkohësishtt bashkëshorte e Avokatit me prokurë të CEZ-it në çështjet me tatimet.
Qeveria ka marrë përsipër t’i japë CEZ-it jo thjesht 95,5 milion Euro, sic po thuhet në media. E vërteta është se me faturë ajo që i falet CEZas janë: 350 milion Euro fatura të papaguara ndaj KESH dhe OST; 4,6 milion të paguara më parë CEZ-as; 100 milion Euro padia e ngritur nga DIA (firme mbledhëse e parave) kundër CEZ shpërndarje; 1,7 miliard lekë detyrime tatimore (gjyqe të fituara nga autoritetet tatim taksave), afro 17 milion dollarë.
Këto janë të vërtetuara dhe të pranuara me faturë.
Por në total, duke përfshirë përllogaritjen e dëmit të shkatuar ndaj kompanisë si rezultat i mos investimit, mos reduktimit të borxhit të keq dhe mos reduktimit të humbjes në rrjet dhe dëmit ekonomik shkaktuar Republikës së Shqipërisë, vlera që i falet CEZ-it në këtë marrëveshje, kap shifrën e 3 miliardë dollarëve.
Në këtë marrëveshje sekrete, Qeveria Rama ka hequr dorë nga të gjitha procedimet civile, të cilat rezultojnë të fituara nga shteti; ka fshehur kallëzime penale ndaj stafit ekzekutiv të lartë të CEZ, pavarësisht kallëzimit të regjistruar penal dhe orientimit nga audituesit ndërkombëtar.
Pra, Qeveria i fal CEZ-it mbi 500 milion Euro me fatura. Me fatura të pranuara dhe nga palët, dhe në total 3 miliardë dollarë.
Krimi i dytë i kësaj marrëveshje ka të bëjë me përgatitjen për rritje të çmimit të energjisë elektrike, duke ia faturuar këtë vjedhje të shekullit, shqiptarëve.
Eshtë e qartë dhe e provuar katërcipërisht dhe ne këtë do t’ua faktojmë dhe shqiptarëve, se asnjë avokat apo ekspert ndërkombëtar nuk rezulton ta ketë këshilluar këtë qeveri, përveç konsulentëve privatë të Kryeministrit dhe avokatëve të shtetit, të cilët kanë pasur klientë vetë palën kundërshtare, vetë CEZ-as.
Këto janë faktet. Këto janë faktet e fshehura nga sytë e qytetarëve. Faktet e fshehura opinionit publik dhe me gjasë të fshehura edhe parlamentarëve. Sot dua t’i drejtoj një thirrje deputetëve që do të mblidhen në aulën e Kuvendit. Padyshim jemi kundërshtarë politik dhe ju i dini fare mirë arsyet që na pengojnë të jemi në atë sallë sot, por ju keni një detyrim madhor, para Kushtetutës, para qytetarve shqiptarë. Keni detyrimin të mos bëheni pjesë në këtë krim të përmasave kolosale në kurriz të shqiptarve, në këtë vjedhje e cila nëqoftëse realizohet iu bën bashkëpërgjegjës në këtë vjedhje e cila në volumin e saj është 600 herë më e madhe se sa vjedhja e raportuar në thesarin e basnkës së Shqipërisë e që do të thotë propocionalisht që çdo deputet i shumicës të jetë përgjegjës për një dëm shkaktuar qytetarëve shqiptar, 10 herë më të madh se sa Bitro dhe të pandehurit e tjerë në vjedhjen e Thesarit të Shqipërisë. Asgjë nuk iu detyron ta bëni këtë, ngrihuni në lartësinë e detyrës tuaj, kërkoni informacion kërkoni përgjegjësi.
Ratifikimi i një marrëveshjeje, të kryer në kushtet e mungesës së transparencës, të kryer në kushtet e fshehjes së fakteve përbën një vepër të rëndë penale. Opozita është e vendosur ta nxjerrë në pah të vërtetën e kësaj afere të turpshme e cila do tu kushtojë shtrenjtë shqiptarve, sot dhe në të ardhmen. Jemi të vendosur të marrim çdo masë të nevojshme për të parandaluar çdo tentativë antiligjore dhe antikushtetuese për ta bërë efektive, në 17 tetor 2014, një marrëveshje që i faturohet shtetasve shqiptarë dhe mbush xhepat e qeveritarëve të sotshëm. Sot është koha që të gjithë të ndërgjegjësohemi për thellësinë kriminale të kësaj vepre, të këtij mega skandali financiar. Edhe njëherë përsëris thirrjen deputetëve të shumicës në Kuvendin e Shqipërisë: Mos e votoni marrëveshjen me CEZ-in. Mos u bëni bashkëpërgjegjës në mega skandalin më të madh financiar në historinë e këtij vendi dhe ndër më të mëdhenjtë në historinë e Europës. Refuzoni mungesën e transparencës dhe të papërgjegjshmërisë që Qeveria ka treguar ndaj jush duke fshehur faktet. Kërkoni transparencën e plotë. Opozita do ta nisë duke i bërë të gjitha dokumentat, që citova sot këtu, publike përmes Mediave, duke ia bërë ato të njohura të gjithë shqiptarëve. Opozita do të
vazhdojë të investohet fuqishëm me të gjitha instrumentat ligjorë, kushtetues dhe politik, për të ndalur këtë vjedhje e cila është e barabartë me buxhetin e një viti të Republikës së Shqipërisë, është e barabartë me 1/3 e PBB. Por uroj dhe shpresoj që faqe këtij skandali të këtyre përmasave, edhe ju të nderuar deputetë të shumicës të lini mënjanë, për një moment, përkatësinë tuaj politike e të silleni pikë së pari si shqiptar për interesat e shqiptarëve e të ndaloni ratifikimin e kësaj mega vjedhje në Parlamentin e Shqipërisë.
Faleminderit