Të zgjedhurit vendorë të Shqipërisë miratojnë parimet mbi të cilat duhet të kryhet reforma administrative-teritoriale. 

 

Përfaqësues të 378 njësive të qeverisjes vendore dhe këshillave të qarqeve kanë miratuar sot 

rezolutën e përbashkët, ku i kërkojnë mazhorancës thellimin e reformës së decentralizimit dhe zgjerimit të autonomisë vendore, riorganizim të arsyeshëm e të përshtatshëm të territorit që të respektojë dhe të ketë në qendër të vëmendjes interesat e qytetarëve dhe komuniteteve vendore, të drejtën e tyre për t’u vetëqeverisur, për t’u pyetur dhe dëgjuar për çdo ndryshim.

 

Platforma për reformën e vetëqeverisjes vendore, përbëhet nga këto parime:

 

1.Decentralizimi dhe zgjerimi e konsolidimi i autonomisë vendore duhet të jetë drejtimi themelor dhe udhëheqës i reformës.

 

2.Reforma duhet të bazohet dhe udhëhiqet nga parimet e demokracisë së drejtpërdrejtë dhe përfaqësuese, të shërbimit sa më pranë qytetarit, të partneritetit dhe bashkëpunimit, të shpërndarjes së drejtë të burimeve dhe mbështetjes së njësive vendore me mundësi më të pakta, të transparencës dhe llogaridhënies sa më pranë qytetarëve dhe komunitetit.

 

3.Riorganizimi territorial i njësive të qeverisjes vendore në çdo nivel duhet të pasqyrojë identitetin e komunitetit të banorëve të krijuar përgjatë historisë dhe ta harmonizojë atë me funksionalitetin e njësive të reja qeverisëse.

 

4.Procesi i hartimit të reformës decentralizuese, administrative e territoriale dhe miratimi i saj të kryhet vetëm përmes konsensusit të plotë politik në Kuvendin e Shqipërisë.

 

5.Çdo komunitet vendor të ketë mundësinë të shprehë qëndrimin pro apo kundër ndryshimit të kufijve vendorë, siç sanksionohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

 

Kryetari i shoqatës së bashkive, kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe kryetari i opozitës Lulzim Basha ka bërë të ditur që në nisje të fjalës së tij, duke hedhur poshtë çdo spekulim lidhur me hartë, të opozitës. Zoti Basha, edhe në emër të përfaqësuesve të 386 njësive vendore ka qenë i prerë në qëndrimin e tij, se interesi i vetëm i tyre është gjetja e mënyrave për t’u shërbyer më mirë qytetarëve.

 

“Sot, ka pasur shumë spekulime. Qeveria dhe media afër saj kanë thënë se kemi dalë sot këtu për t’ju dhënë një variant dhe një hartë, se e gjithë kjo është bërë që edhe ne të kemi hartën tonë. Të tjerë kanë thënë se opozita do të kërcasë dhëmbët e do të nisë betejën politike, por në fakt asnjëra dhe as tjetra nuk qëndrojnë, të dyja janë pjesë të një mentaliteti kryekëput larg realitetit, larg qytetarit dhe bazuar vetëm në interesin e ngushtë politik, interes që jo rrallë herë ka verbuar dhe shurdhëruar pushtetarët në këtë vend dhe jo vetëm. Sot, jemi mbledhur këtu, si mbartës të mandateve përfaqësuese, të zgjedhur me votën e lirë të qytetarëve shqiptarë, pa dallime politike, të shtyrë pikërisht nga interesi i qytetarëve shqiptarë. Si mund të mundësojmë më shumë investime dhe investime më cilësore, shërbime më të shpejta, e më të pakushtueshme, barrë fiskale të përballueshme, transparencë dhe llogaridhënie?!

 

Ky është interesi që na ka mbledhur këtu në këtë sallë dhe ana tjetër e medaljes është frika jo në emrin tonë, as të njësive që ne përfaqësojmë, por në emër të qytetarëve shqiptarë dhe të këtij vendi se diku, disa, janë ulur që në fillim të këtij procesi, jo me interesin më të mirë të qytetarëve në mendje por me interesa dhe llogari paraelektorale, elektorale dhe politike në mendje dhe në zemër”- u shpreh z. Basha.

 

Zoti Basha ka theksuar se në qendër të kësaj reforme duhet të jetë interesi qytetar, shërbimi ndaj qytetarëve dhe jo harta, siç e ka përcaktuar si prioritet mazhoranca.

 

“Pse jemi skeptikë? Sepse e kanë nisur dhe duan ta përfundojnë vetëm me hartën, sepse s’kemi dëgjuar asnjë fjalë të vetme se si mund të fuqizohet pushteti vendor, se si mund të bëhet më i aftë, më i fortë, më transparent, më llogaridhënës, më përgjegjës dhe më përgjigjës ndaj qytetarëve. Harta, harta, harta….37, 26, 47, një lojë e turpshme kungulleshash, një mjegullnajë që përpiqet djallëzisht ta lodhë qytetarin shqiptar e ta largojë nga kjo vendimarrje kyç për pyetjet kryesore të përditshme, se si do të jetë shkolla ku do të çojë fëminë, nëse do të ketë vend në kopësht, a mund të ketë ngrohje, se kur do të rregullohet gropa e rrugës, kur do të kemi ujë 24 orë, apo çështje të tjera më të rëndësishme”.

 

Kryetari i shoqatës së bashkive dhe lideri i opozitës Lulzim Basha ka shprehur gadishmërinë, për tu ulur e diskutuar me mazhorancën, për të arritur në një reformë reale, ku të dëgjohet zëri i të gjithë qytetarëve dhe produkti final t’u shërbejë atyre.

 

“I bëj thirrje mazhorancës të reflektojë dhe të japë konsensusin politik, si një minimum për t’i hapur derën një diskutimi gjithëpërfshirës dhe të vërtetë. Jemi gati të ulemi e të gjejmë “pegasusin” e duhur, për të bërë këtë kapërcim që është një thirrje e Shqipërisë bashkëkohore e jo për tu llokoçitur në llumrat e errët e kohëve më të errëta të këtij vendi. Nuk paragjykojmë asgjë, por le të ulemi për të bërë atë që vërtet është reformë! Decentralizimin, fuqizimin e pushtetit vendor e më pas pa dyshim edhe derivatet mbi territorin, konsolidimi territorial. Ka kohë të mjaftueshme, nëse ka vullnet. Kemi treguar se kur ka vullnet ka pasur e është gjetur kohë edhe për problem nga më meskinet. Ju kujtohen çertifikatat e 2007-ës, besoj! Nga ana jonë ka vullnet, nga ana jonë nuk ka teka. Nuk kërkojmë asgjë më shumë, asgjë më shumë se sa standardi europian, standardi demokratik i këtij vendi në 23 vite por nuk mund të pranojmë asgjë më pak.”

 

 

Fjala e plotë e kryetarit të shoqatës së bashkive dhe kryetarit të opozitës, Lulzim Basha: 

 

Zonja dhe zotërinj, 

Të nderuar kryetarë të bashkive dhe komunave, anëtarë të këshillave bashkiakë, komunalë,

Kryetarë dhe anëtarë të këshillave të qarqeve, 

Nëpunës civilë dhe punonjës të administratës vendore dhe të njësive të ndryshme që kryejnë shërbime vendore, 

Përfaqësues të organizatave civile anembanë Shqipërisë, përfaqësues të sipërmarrësve të mëdhenj, të mesëm dhe të vegjël, nga të gjitha rajonet e vendit dhe të gjithë degët ekonomisë, 

Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, 

Përfaqësues të trupit diplomatik, 

Zonja dhe zotërinj! 

 

“Dua t’ju përshëndes dhe t’ju falënderoj për përgjigjen ndaj ftesës së tre shoqatave të pushtetit vendor në Shqipëri, Shoqatës së Qarqeve, Shoqatës së Komunave dhe Shoqatës së Bashkive. Kjo është etapa e tretë dhe e fundit, e konferencave që organizuam sëbashku me një qëllim: “Për çfarë e organizuam këtë tur konferencash?” 

 

Sot ka pasur shumë spekulime. Qeveria dhe media afër saj kanë thënë se kemi dalë sot këtu për t’ju dhënë një variant dhe një hartë, se e gjithë kjo është bërë që edhe ne të kemi hartën tonë. Të tjerë kanë thënë se opozita do të kërcasë dhëmbët e do të nisë betejën politike por në fakt asnjëra dhe as tjetra nuk qëndrojnë, të dyja janë pjesë të një mentaliteti kryekëput larg realitetit, larg qytetarit dhe bazuar vetëm në interesin e ngushtë pol

itik, interes që jo rrallë herë ka verbëruar dhe shurdhëruar pushtetarët në këtë vend dhe jo vetëm. Sot, jemi mbledhur këtu, si mbartës të mandateve përfaqësuese, të zgjedhur me votën e lirë të qytetarëve shqiptarë, pa dallime politike, të shtyrë pikërisht nga interesi i qytetarëve shqiptarë. 

 

Jemi mbledhur këtu, si njerëz që kanë përgjegjësi përmes vendimeve e veprimeve, apo mosvendimeve dhe mosveprimeve për tu shërbyer apo jo qytetarëve të këtij vendi. Na ka mbledhur këtu pikërisht çështja sesi mund ti shërbejmë më mirë qytetarëve të bashkive dhe komunave tona?! 

 

Si mund të mundësojmë më shumë investime dhe investime më cilësore, shërbime më të shpejta, e më të pakushtueshme, barrë fiskale të përballueshme, transparencë dhe llogaridhënie?!

 

Se çfarë duhet bërë që pushteti më afër qytetarëve, siç na thotë Bashkimi Europian, i cili para tre ditësh na dha edhe statusin kandidat, është pushteti më efektiv dhe duhet gjithmonë e më shumë, të shtrijë veprimtarinë e vet në fusha me impakt të drejtpërdrejtë tek qytetarët?!

Si mund t’u garantojmë shqiptarëve të mëdhenj e të vegjël, të moshuar apo të rinj, apo fëmijë, të papunë apo të pasur, të shëndetshëm apo të sëmurë, shërbime dinjitoze, cilësore, transparente në çdo cep të vendit?!

 

Ky është interesi që na ka mbledhur këtu në këtë sallë, dhe ana tjetër e medaljes është frika jo në emrin tonë, as të njësive që ne përfaqësojmë, por në emër të qytetarëve shqiptarë dhe të këtij vendi se diku, disa, janë ulur që në fillim të këtij procesi jo me interesin më të mirë të qytetarëve në mendje por me interesa dhe llogari paraelektorale, elektorale dhe politike në mendje dhe në zemër. 

 

Para një viti partitë politike morën pjesë në garën elektorale për pushtetin qendror. E dinë fare mirë qytetarët shqiptarë se çështja e reformës territoriale nuk ishte çështje e fushatës elektorale, por ishte dhe mbetet një çështje e rëndësishme për të gjitha palët politike, përfshi shumicën dhe pakicën, përfshi qeverinë dhe opozitën. E vërteta e parë është se askush nga opozita nuk ka qenë kurrë kundër një reforme të vërtetë decentralizuese -administrative dhe territoriale në Shqipëri, se përkundrazi në faza dhe momente të ndryshme, si në qeverisje ashtu edhe në opozitë, ka qenë pjesë e planeve, synimeve, objektivave tona, por që për arsye të mos gjetjes së gjuhës së përbashkët me kundërshtarin politik nuk ka arritur të avancojë, dhe se në kundërshtim me sjelljen e palës tjetër edhe sot forcat politike opozitare, opozita në tërësi, brenda dhe jashtë Parlamentit e ka mbajtur të hapur derën, të shtrirë dorën dhe gati opsionet për bashkëpunim të fortë dhe real në funksion të reformës së vërtetë administrative, decentralizuese dhe territorial, reformë e cila në segmente të ndryshme ka qenë një realitet që nga viti 1992 kur është bërë ndarja e parë dhe me intensifikim të veçantë në periudhën 2000-2009, ku me konsensusin e të gjitha palëve janë hedhur hapa domethënës në përputhje me angazhimet dhe detyrimet e këtij vendi si anëtar të Këshillit i Europës, në përputhje me aspiratën e shqiptarëve për një Shqipëri më evropiane, që do të thotë një Shqipëri më e decentralizuar, me pushtet vendor më afër qytetarit, me shërbime cilësore më afër qytetarit, më llogaridhënie dhe transparencë më afër qytetarit. 

 

Ndaj, në nisje të reformës artikuluam, jo një kusht, jo një pengesë, jo një alibi, për të ndaluar, ngadalësuar, apo sabotuar reformën, por një kriter dhe një parim të domosdoshëm për këtë reformë, kriterin e konsensusit politik, konsensusit politik në të gjithë hallkat e vendimmarrjes në Kuvendin e Shqipërisë, si një minimum siç e dikton tradita e vendimmarrjes së kësaj reforme, të cilën asnjë palë kurrë nuk e ka bërë vetëm, as kur ka patur 80, as kur ka patur 83, apo kur ka patur 100 deputetë por që është bërë gjithmonë së bashku, sepse për vetë natyrën e saj duhet të jetë një reformë që i mbijeton mazhorancave si atyre jetëgjatë, edhe atyre jetëshkurtër, e në veçanti këtyre të fundit. Duhet të jetë një reformë e qëndrueshme dhe afatgjatë sepse në thelb të reformës nuk duhet të jenë llogaritë politike të mazhorancave apo të opozitave, por interesat e qytetarëve shqiptarë.

 

Përgjigja ka qenë refuzuese dhe ky është precedenti i parë, është hera e parë që refuzohet konsensusi, konsensusi politikë si baza e kësaj reforme dhe zëvendësohet me një pseudokonsensus të dhënë në një komision për të mohuar aty ku merret vendimi në aulën e Kuvendit. Ndaj edhe çështja e dytë që dua të ngre sot para kësaj Konvente të të zgjedhurve vendorë është pikërisht kjo, bazuar mbi gjithçka u tha edhe nga përfaqësuesit e ndryshëm, të zgjedhurve vendorë, bashkive, komunave, qarqeve, bazuar mbi parimet më të mira europiane e kombëtare, bazuar mbi traditën e pa ndërprerë të 23 viteve të demokracisë.

 

I bëj thirrje mazhorancës të reflektojë dhe të japë konsensusin politik si një minimum për t’i hapur derën një diskutimi gjithëpërfshirës dhe të vërtetë. Por nuk mbaron këtu, këtu fillon. Konsensusi është garancia, është instrumenti i transparencës, është llogaridhënia jonë përpara qytetarëve se bashkë opozitë dhe shumicë do të ulemi për të diskutuar se si mund t’i zgjidhim akoma më mirë problemet që kanë, se si mund t’i zgjidhim më shumë probleme, se si mund t’i zgjidhim më shpejt, se si për tej zgjidhjes së problemeve ndoshta mund të ofrojmë dhe duhet të ofrojmë sepse kemi detyrën të ofrojmë zgjidhje, oferta, perspektiva, vizione për Shqipërinë e 2014 por edhe 2015 por edhe 2025 për të parë përpara dhe për t’iu përgjigjur me dinamizëm një realiteti dinamik, por edhe pritshmëria qytetareve, edhe standardi i kërkesave është sot më i lartë e duhet të jetë më i lartë se dje.

 

Si ta bëjmë? Mund ta bëjmë dhe duhet ta bëjmë vetëm duke qenë të hapur dhe transparent me publikun. Jo përmes mbledhjeve partiake dhe kronikave të montuara televizive, po përmes një konsultimi të vërtetë, me veshë të hapur për gjithçka që kanë për të thënë e do të thonë qytetarët e këtij vendi.

 

Shurdhëria nuk na çon askund, shurdhëria dhe verbëria në këtë proces i paraprinë katastrofës, i paraprinë arbitraritetit, i paraprinë hartës me paragjykime politike dhe elektorale po jo dencentralizimit të vërtetë dhe jo reformës për të cilën ka nevojë kaq shumë ky vend dhe këta qytetarë. Nuk kemi patur dhe nuk kemi asnjë interes të ngushtë politikë në hartën e re administrativo-territoriale të Shqipërisë, kemi dhe do të kemi deri në fund pa lëshuar as një milimetër interesin e një shërbimi më të mirë dhe më cilësorë dhe një përfaqësimi të drejtë dhe demokratikë të çdo qytetari shqiptarë, në çdo njësi vendore, të majtë apo të djathtë, gegë apo toskë, të varfër apo të pasur, larg apo afër zhvillimit të ekonomisë në rrugën kryesorë kombëtare të komunikimit.

 

Zonja e zotërinj!

 

Që në pikë nisje të procesit ka pasur shtrembërime apo siç themi dhe kjo ka lidhje besoj, nuk ka lidhje me realitetin politikë se është thënie e vjetër “e kemi nisur me këmbën e majtë“. E kemi nisur duke i shpikur armikun dhe armiku qenka pushteti vendorë, armiku qenka decentralizimi, e kemi nisur duke sajuar fakte të paqena që bien poshtë nga vetë të dhënat zyrtare të këtij shteti, madje edhe të kësaj qeverie.

 

E kemi nisur duke thënë se fragmentizimi i Shqipërisë në kaq shumë njësi vendore me një numër kaq të vogël popullsie është problem në vete. Por ekspertët ndërko

mbëtarë, ekspertët evropian na treguan me fakte se në Shqipëri numri mesatarë për frymë për çdo njësi vendore sot me këtë ndarje është më i lartë se numri mesatarë për frymë për njësi vendore në Bashkimin Europian, destinacionit tonë përfundimtarë. Pra o punët në pushtetin vendor në Europë shkojnë me keq se në Shqipëri ose paranteza, se madhësia e njësive vendore është problemi dhe ndryshimi i sajë është zgjidhja është një gënjeshtër e madhe, një rrenë e pamenduar. 

 

Na është thënë se do të kursehen 70 milionë dollarë përmes kësaj reforme në vit, por s’kemi parë asnjë studim, asnjë fakt, as një argument, asnjë llogari konkrete se cila është kjo faturë që do të kursehet e si do të kursehet, por dimë ama, përsëri falë ekspertëve, falë të dhënave zyrtare të këtij vendi që ka një faturë tjetër që qeveria e fsheh, nuk e tregon dhe kjo është fatura e mbi 700 drejtorive qeveritare, të shpërndara në çdo cep të territorit të Shqipërisë. 50 njësi ka qarku i Elbasanit, thotë studimi, ka edhe 50 drejtori qeveria qendrore, në atë qark dhe se kostoja e këtyre drejtorive, operative dhe administrative ka gjasa të jetë shumë më lart se sa fatura e imagjinuar prej 70-80 milionë dollarësh. Njësitë vendore të Shqipërisë nuk janë efiçente, rrinë me dorën e shtrirë nga pushteti qendror, a thua se pushteti qendror është ulur mbi një minierë floriri në bahçen me tapi të kryeministrit dhe me këta florinj ushqen ekonominë e vendit. Harrojnë se taksat paguhen nga qytetarët shqiptarë dhe paguhen për të gjitha shërbimet që meritojnë dhe duhet të marrin me kushtetutë dhe me ligj. Nuk është rasti dhe nuk dua të diferencoj por dua të kujtoj se banorët e kësaj bashkie ku jemi sot, kontribuojnë plot 42 % për buxhetin e shtetit dhe marrin mbrapsht 0.2%. Askush nuk i shtrin dorën qeverisë, të gjithë i shtrijmë dorën taksapaguesit, sovranit, vendimmarrësit, përcaktuesit të rregullave të lojës, arbitrit dhe gjyqtarit që janë qytetarët e Shqipërisë, taksapaguesit shqiptarë, zgjedhësit shqiptarë.

 

Por çfarë bëhet me këto para? U tha këtu, 2.1% e prodhimit të brendshëm bruto administrohet nga pushteti vendor i Shqipërisë. 378 njësi vendore administrojnë 2.1% të prodhimit të brendshëm bruto. Po sa administron qeveria? diku midis 27 dhe 35% të prodhimit të brendshëm bruto. Pra diku midis 14 dhe 18 herë më shumë sesa i gjithë pushteti vendor. Çfarë bëjnë me këto para pushtetarët tanë? i patë statistikat, përsëri mbështetur në studimet e ekspertëve dhe të dhënave zyrtare dhe të ekspertëve ndërkombëtarë dhe të Këshillit të Evropës, faktojnë se si mesatare, pushteti vendor shpenzon 47% të shumës që administron për investime, ndërkohë që pushteti qendror, në ditën e tij më të mirë, në këto 23 vite histori shpenzon 30% për investime dhe 70 %, për kosto operative dhe rroga. Pra, në rastin më të mirë, qeverisja vendore, si mesatare investon 17% më shumë të buxhetit që menaxhon, se sa qeverisja qendrore. Nuk po e kthejmë këtë në akuzë. Nuk kemi dalë në këtë foltore, që të marrim akuzat e qeverisë, krejtësisht të pabaza e t’i kthejmë në kundërakuza. Nuk vuajmë nga sindroma të tilla. 

 

Ne jemi në këtë foltore për t’i dhënë një shans të fundit arsyes së shëndoshë të bazuar mbi fakte dhe argumenta dhe për të marrë mbi këto vendime të drejta mbi të sotmen dhe të nesërmen. Jemi mbledhur këtu jo për të bërë karshillëk, as për të treguar superioritin tonë me fakte, shifra, argumenta, as për të treguar forcën tonë, që padyshim e kemi të rrënjosur thellë tek përfaqësimi i qytetarëve që na kanë zgjedhur, por për t’i bërë një thirrje arsyes. Kjo ishte, kjo është dhe ky mbetet qëllimi i vërtetë i këtyre tre konferencave. 

 

Një thirrje arsyes dhe vullnetit të lirë për t’u ulur të gjithë së bashku dhe për të përcaktuar së bashku drejtimet e vërteta, mbi bazën e vlersimeve të drejta realiste dhe praktikave më të mira evropiane e trashëgisë më të mirë të vendit, se si mund të ecim përpara me procesin e decentralizimit reformës administrative territoriale – tre fjalë të mëdha dhe të lodhshme, që në fakt qëndrojnë dhe duhet të qendrojnë për këto vlera, për shërbime më të mira për qytetarët, për shërbime më afër qytetarëve dhe për përfaqësim demokratik, llogari dhe transparencë para qytetarëve shqiptarë. 

 

Pse jemi skeptikë? Sepse e kanë nisur dhe duan ta përfundojnë vetëm me hartën. Sepse s’kemi dëgjuar asnjë fjalë të vetme se si mund të fuqizohet pushteti vendor, se si mund të bëhet më i aftë, më i fortë, më transparent, më llogaridhënës, më përgjegjës dhe më përgjigjës ndaj qytetarëve. Harta, harta, harta….37, 26, 47, një lojë e turpshme kungulleshash, një mjegullnajë që përpiqet ta lodhë, djallëzisht ta lodhë qytetarin shqiptar e ta largojë nga kjo vendimarrje kyç për pyetjet kryesore të përditshme, se si do të jetë shkolla ku do të çojë fëminë, nëse do të ketë vend në kopësht, a mund të ketë ngrohje, se kur do të rregullohet gropa e rrugës, kur do të kemi ujë 24 orë, apo çështje të tjera më të rëndësishme. Nëse do të kenë akses tek i zgjedhuri i tyre që e njohin me emër dhe mbiemër për ta takuar dhe qarë hallin me të, apo do t’ju duhet të trokasin edhe njëherë në dyert e famshme anonime të para viteve 90 për të marrë përbuzje, arrogancë, papërgjegjshmëri se në fund të fundit anonimi nuk pyet. 

 

A do kemi një sistem ku kryetari i Bashkisë më të madhe në vend, dhe kryetari i komunës më të vogël në vend kanë instrumentat dhe mundësitë për t’i qenë afër çdo qytetari për problemet e veta dhe për t’ju përgjigjur në mënyrë demokratike transparente hallit të tij, apo do të ecim verbërisht në një rrugë llogarish elektorale e politike që nesër do ta përballin kryetarin e Bashkisë së Tiranës me qytetarët, me banorët e Shën Gjergjit që nuk kanë ujë për të vaditur arat dhe nuk do të kenë derë tjetër për t’u qarë përveç se sheshit Skendërbej nr. 2 – 3 male kapluar, s’kam ujë për arat, tek kryetari i Bashkisë së Tiranës?! 

 

Problemet dhe dilemat e një përqasje të gabuar nuk kanë fund. Nuk kam ndërmend të shteroj argumentat dhe skenarët më të këqinj të cilët do të përballen qytetarët shqiptarë nëse kjo thirrje e arsyes nuk dëgjohet. Nëse shurdhëria ndaj qyetarëve shqiptarë dhe interesave të qytetarëve dominon mbi përgjegjshmërinë, mbi largpamësinë, mbi shtetarizmin, mbi atdhedashurinë, mbi europianizmin, por kam ndërmend të ofroj dhe njëherë në emër të tre shoqatave të pushtetit vendor. 

 

Në emër të opozitës që ka folur qartë në Parlamentin e Shqipërisë për këtë dhe në emër të qytetarëve që përfaqësojmë për të ofruar bashkëpunimin tonë me shumicën, bashkëpunimin tonë me qeverinë, bashkëpunimin tonë me të gjithë ata faktorë që besojnë me të vërtetë se kësaj rruge i shkohet deri në fund duke zgjedhur thelbin dhe pastaj formën, se pushteti vendor nuk mund të jetë më furça e bojës për fasadat apo qendrat shëndetësore, apo për shkollat, por duhet të jetë reflektim i stadit në të cilin jemi sot, edhe njëherë e përsëris, një javë pas marrjes së statusit kandidat dhe të stadit ku duam të shkojmë nesër: Jemi gati të ulemi e të gjejmë kalin e duhur, “pegasusin” e duhur, për të bërë këtë kapërcim që është një thirrje e Shqipërisë bashkëkohore e jo për tu llokoçitur në llumrat e errët e kohëve më të errëta të këtij vendi. Ta gjejmë këtë “Pegasus”, të mos merremi me patkoin, të gjejmë gjuhën e përbashkët! S’ka nevojë të shpikim rrotën por duhet kali e pastaj patkoi. Le ta mbajnë patkoin në xhep të dy, edhe 39-ën edhe 47-ën! Nuk paragjykojmë
asgjë, por le të ulemi për të bërë atë që vërtet është reformë! Decentralizimin, fuqizimin e pushtetit vendor e më pas pa dyshim edhe derivatet mbi territorin, konsolidimi territorial. Ka kohë të mjaftueshme, nëse ka vullnet. Kemi treguar se kur ka vullnet ka pasur e është gjetur kohë edhe për problem nga më meskinet. Ju kujtohen çertifikatat e 2007-ës, besoj! Nga ana jonë ka vullnet, nga ana jonë nuk ka teka. Nuk kërkojmë asgjë më shumë, asgjë më shumë se sa standardi europian, standardi demokratik i këtij vendi në 23 vite por nuk mund të pranojmë asgjë më pak.

 

Zonja e zotërinj!

 

Më lejoni të paraqes para jush për miratim dokumentin final që vjen pas tre takimeve tona e përfaqësuar sot në këtë Kuvend, në këtë Konventë Kombëtare, pas së cilit do të kërkojë shprehjen e vullneteve, për votimin dhe miratimin e saj:

 

REZOLUTA PËR REFORMËN DECENTRALIZUESE, ADMINISTRATIVE DHE TERRITORIALE:

 

Ne, të zgjedhurit vendorë me mandatin përfaqësues të komuniteteve vendore dhe qytetarëve shqiptarë, kryetarë të bashkive dhe komunave, anëtarë të këshillave bashkiake, komunalë e të qarqeve të Shqipërisë, pa dallime partiake e politike; nëpunës civilë dhe punonjës të administratës vendore dhe njësive të ndryshme që kryejnë shërbimet vendore; përfaqësues të organizatave civile e komunitare anembanë Shqipërisë; përfaqësues të organizatave të sipërmarrësve të mëdhenj, të mesëm e të vegjël në fusha të ndryshme të ekonomisë dhe nga të gjitha rajonet e vendit; deputetë të Kuvendit të Shqipërisë; qytetarë të lirë, burra e gra, të rinj e të reja, me apo pa angazhime politike, të mbledhur sot më 2 korrik 2014 në Tiranë; 

 

-Të shtyrë nga interesi legjitim i qytetarëve dhe komuniteteve vendore, për shërbime cilësore dhe llogaridhënie demokratike sa më pranë qytetarëve;

 

-Bazuar në parimet universalisht të pranuara të demokracisë dhe qeverisjes vendore;

 

-Duke pohuar gjithçka të arritur në këto vite të demokracisë dhe bazuar mbi përvojën historike vetëqeverisëse shqiptare;

 

-Duke vlerësuar se zgjerimi dhe forcimi i autonomisë vendore, si formë e lirisë dhe e drejtë natyrore e komuniteteve për t’u vetëqeverisur ka mundësuar:

 

•Lindjen dhe konsolidimin e demokracisë vendore;

•Zgjerimin e gamës së shërbimeve vendore;

•Rritjen e shkallës së investimeve zhvilluese në nivel vendor;

•Forcimin e transparencës dhe llogaridhënies para qytetarëve;

 

Të bindur se Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet teknike, profesionale, politike, civile e qytetare, për të ecur shpejt dhe të sigurtë drejt hartimit dhe miratimit të reformës decentralizuese, administrative e territoriale;

 

-Duke vlerësuar me mirënjohje, mbështetjen e madhe që partnerët ndërkombëtare i kanë dhënë e po i japin Shqipërisë në rrugën e saj të demokracisë dhe shtetit ligjor, zhvillimit ekonomik e social dhe integrimit euro-atlantik dhe në veçanti decentralizimit dhe vetëqeverisjes vendore;

 

Duke shprehur shqetësimin tonë të thellë dhe kundërshtimin bazuar mbi fakte dhe të dhëna zyrtare ndaj argumenteve të padrejtë, të pasaktë ose të ekzagjeruar nga ana e qeverisë se:

 

•qeverisja vendore është ineficente në radhë të parë prej numrit të madh të njësive të vogla e me pak banorë; 

•për këtë shkak, decentralizimi në tërësi nuk i paskësh arritur qëllimet e tij, ndaj zgjidhja e problemeve është një hartë e re me kufij të rishikuar të njësive vendore; 

•apo se njësitë e qeverisjes vendore mbahen nga fondet e qeverisë dhe i shpërdorojnë ato për paga apo shpenzime operative e për rrjedhojë qytetarët nuk marrin shërbimet e duhura nga qeverisja vendore.

 

-Duke vlerësuar se procesi i ndjekur nga qeveria dhe mazhoranca: 

 

•nuk është kryer e nuk po kryhet me metodën e duhur, 

•nuk ka marrë në konsideratë kontributet e vyera dhe objektive të shoqërisë civile, komunitetit të ekspertëve dhe përvojën e mirë europiane;

•nuk ka përfshirë sa dhe siç e kërkon një reformë e tillë të zgjedhurit vendorë;

•po kryhet pa konsultime të vërteta me qytetarët dhe komunitetet vendore por me mënyra e mjete që kërkojnë të imponojnë skenarin e njëanshëm qeveritar të një harte të re, pa një reformë të vërtetë decentralizimi; 

 

-Duke vlerësuar se reforma e decentralizimit e nisur që në vitin 1992 dhe që njohu zhvillime të mëdha konsensuale, veçanërisht në vitet 2000-2009, ka krijuar një sistem të qeverisjes vendore në tërësi funksional.

 

-Duke vlerësuar me realizëm problemet, mosarritjet dhe dështimet dhe për këtë qëllim pas një analize të thellë dhe objektive, duke u dakordësuar se më së pari, shkaqet qëndrojnë në:

 

•Varfërinë dhe pamjaftueshmërinë objektive të burimeve për zhvillim, me të cilat ndeshet shumica e njësive të qeverisjes vendore në zonat me më pak mundësi zhvillimi;

•Pasaktësitë, paqartësitë dhe të metat në procesin e decentralizimit të disa prej funksioneve dhe përgjegjësive dhe mos-shoqërimin e tyre me mjetet dhe fondet e duhura;

•Konfliktin politik i cili është transferuar dhe ka ndikuar sipas rastit, si relacionet politike në qeverisjen vendore ashtu edhe në marrëdhëniet mes qeverisjes vendore dhe asaj qendrore,

 

Shpallim sot njëzëri platformën për reformën e vetëqeverisjes vendore, që përbëhet nga këto parime:

 

6.Decentralizimi dhe zgjerimi e konsolidimi i autonomisë vendore duhet të jetë drejtimi themelor dhe udhëheqës i reformës.

 

7.Reforma duhet të bazohet dhe udhëhiqet nga parimet e demokracisë së drejtpërdrejtë dhe përfaqësuese, të shërbimit sa më pranë qytetarit, të partneritetit dhe bashkëpunimit, të shpërndarjes së drejtë të burimeve dhe mbështetjes së njësive vendore me mundësi më të pakta, të transparencës dhe llogaridhënies sa më pranë qytetarëve dhe komunitetit.

 

8.Riorganizimi territorial i njësive të qeverisjes vendore në çdo nivel duhet të pasqyrojë identitetin e komunitetit të banorëve të krijuar përgjatë historisë dhe ta harmonizojë atë me funksionalitetin e njësive të reja qeverisëse.

 

9.Procesi i hartimit të reformës decentralizuese, administrative e territoriale dhe miratimi i saj të kryhet vetëm përmes konsensusit të plotë politik në Kuvendin e Shqipërisë.

 

10.Çdo komunitet vendor të ketë mundësinë të shprehë qëndrimin pro apo kundër ndryshimit të kufijve vendorë, siç sanksionohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

 

Shprehim gatishmërinë tonë për të punuar së bashku me shumicën parlamentare dhe të gjithë faktorët e tjerë, bazuar mbi parimet e reformës decentralizuese, administrative dhe territoriale që shpallëm sot unanimisht e njëzëri në emër të qytetarëve që përfaqësojmë, me qëllimin për t’i dhënë përmbajtje, formë dhe jetësim kësaj reforme të rëndësishme për Shqipërinë dhe të gjithë qytetarët e saj pa dallim.

 

Zonja e zotërinj!

 

Vullneti ynë i mirë, dëshira për të qenë kontribues në këtë process, vendosmëria për t’u shërbyer dhe ofruar qytetarëve perspektivën që meritojnë na mblodhi sot në këtë sallë. Me këtë vullnet të mirë, miratuam këtë rezolutë, si një mesazh të qartë bashkëpunimi brenda kornizës demokratike, ndaj shumicës dhe qeverisë.

 

Le të urojmë që thirrja jonë, thirrja e arsyes, thirrja e interesit qytetar të prevalojë mbi interesat e ngushta politike dhe të na mundësojë të gjithëve së bashku, pavarësisht bindjeve politike, të ule

mi dhe të ecim përpara pa vonesë, në shërbim të vendit dhe interesave të qytetarëve, por le të jemi fare të qartë! Nuk jemi këtu për të kërkuar mëshirë. Jemi këtu për të kërkuar dhe ofruar bashkëpunim, për hir të një parimi më të lartë se ne dhe më të lartë se kundërshtarët tanë politikë, për një interes kombëtar, të sanksionuar në dokumentin më sovran që është kushtetuta e Shqipërisë. Urojmë dhe shpresojmë që thirrja e arsyes të dominojë por jemi të vendosur që kushtetutën e Shqipërisë dhe parimet e mishëruara në të, për demokracinë dhe përfaqësimin e qytetarëve, të mos i lëshojmë nga dora dhe t’i kthejmë në frymëzimin dhe instrumentin tonë të ecjes përpara në çdo skenar! Le të urojmë për më të mirën! Faleminderit për kontributin tuaj!”

 

Diskutimet gjatë konferencës:

 

Dhurim Alimani-Bashkia Delvinë:

 

“Bashkia Delvinë, një nga bashkitë më të vjetra të Shqipërisë me 14 mijë banorë shtrihet në jug të Shqipërisë, në veri-perëndim të rrugës që bashkon Gjirokastrën. Zona e Delvinës është e mirënjohur për historinë, traditën, patriotizimin, për bujqësinë, blegtorinë dhe artizanatin.

 

Gjatë viteve të zbatimit të reformës decentralizuese, Bashkia Delvinë ka rritur të ardhurat e saj nga burime vendore si dhe ka përfituar grante qeveritare dhe të donatorëve të huaj. Ne i kemi përdorur ato për investime, shërbime më të shumta e më cilësore për komunitetin e qytetit të Delvinës dhe tetë fshatrave që janë në territorin e bashkisë sonë. 

 

Sa për ilustrim, ne kemi realizuar nje projekt kompleks të ristrukturimit dhe rehabilitimit të rrugëve dhe shesheve të lagjes “Sinan Ballaci”, me sipërfaqe 14 hektarë dhe falë fondit prej 35 milionë leke të buxhetit të shtetit, kemi ristrukturuar rrugët, kanalizimet, ndriçimin, sipërfaqet e gjelbra dhe sheshet e kësaj lagjeje. Ndërkohë, po zhvillojmë me FZHSH edhe dy projekte të tjera, të filluara gjatë gjashtë mujorit të parë të vitit 2013.

 

Këtë vit, ndonëse ka kaluar gjysma e vitit, nuk dimë ende se sa fonde do t’i akordohen bashkisë sonë nga Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve. Koha ikën, qytetarët kërkojnë shërbime, ndërsa qeveria përgjysmon të ardhurat nga taksa e biznesit të vogël dhe nuk akordon fondet për investime, sidomos projektin me emergjent që është ujësjellësi i ri i qytetit. 

 

Në vend që të vazhdojnë me thellimin e decentralizimit dhe zgjerimin e autonomisë vendore, qeveria bën hapa mbrapa në decentralizim dhe ngushton autonominë vendore, ndaj janë demagogji gjithçka thonë për reforma. Ne do të kërkonim në këtë drejtim, më shumë decentralizim sa i përket administrimit të pronave, shfrytëzimit të resurseve dhe pasurive, decentralizimit financiar dhe autonomisë fiskale. 

 

E kanë pasur dhe e kanë mendjen vetëm tek harta e ç’është më e keqja, varianti qeveritar e ndan rrethin Delvinë, duke i hequr dy komuna dhe duke krijuar një bashki mbi bazën vetëm të bashkisë Delvinë dhe komunës Vergo. 

 

Ky projekt qeveritar e dëmton, e varfëron dhe e izolon bashkinë e ardhshme, Delvinë. Duke mbështetur riorganizimin territorial, si vazhdim i reformës decentralizuese, varianti më i arsyeshëm do të ishte ai që merr parasysh lidhjet tradicionale, historike dhe ekonomike të zonës tonë, e cila fillon që nga Muzina, vazhdon në Delvinë dhe shkon deri në Nivicë. Për këtë, mjafton të shohin se ç’territor dhe cilat qendra të banuara përfshiheshin në nën-prefekturën e Delvinës, në vitet 1920-1938. 

 

Ndaj, unë jam kundër hartave qeveritare të rindarjes territorial dhe mbështes konkluzionet e kësaj konference, platformën tonë për reformën decentralizuese, administrative dhe territorial, sepse kështu i shërbejmë më mirë delvinjotëve dhe gjithë qytetarëve të Shqipërisë”.

 

Ilir Krosi – Peshkopi:

 

“Dëshiroj të konfirmoj konkluzionin e kësaj konference, se decentralizimi dhe autonomia ka funksionuar për bashkinë e Peshkopisë, siç ka funksionuar për shumë nga komunat e rrethit dhe qarkut të Dibrës dhe në gjithë Shqipërinë.

 

Ne nuk jemi bashki e madhe, ndonëse jemi bashki qendër qarku. Sipas regjistrit të gjendjes civile dhe sipas censusit 2011, numri i banorëve është më pak se 20 mijë, megjithatë decentralizimi fiskal na mundësoi që afro 40% e buxhetit të sigurohet nga burime vendore. Gjithashtu, decentralizimi fiskal na mundësoi që të ardhurat tona të rriten vit pas viti, me rreth 10 % rritje në vit, nga 2007-2013.

 

Këto të ardhura si edhe ato nga nga transferta e pakushtëzuar apo grantet konkurruese janë përdorur nga Bashkia për rrugë, ndriçim, gjelbërim, pastrimin e mbetjeve, shkolla dhe kopshte të reja. Nga i gjithë buxheti i Bashkisë, afro 40% e fondeve janë përdorur për investime. Këtë vit, të ardhurat nga taksa e biznesit të vogël janë pakësuar ndjeshëm. Me të dhënat e 6-mujorit të parë 2014, kemi një rënie me rreth 9 %. Kur e administronim vetë, ato u rritën vit pas viti. Edhe granti konkurrues, këtë vit është afërsisht sa 35% e granteve konkurruese vjetore, të dhëna vitet e fundit për bashkinë tonë. 

 

Centralizimi dhe politizimi është pengesë për ne dhe kosto për qytetarët e Peshkopisë. Kjo është e gabuar dhe e padrejtë, siç është e gabuar dhe e padrejtë që rrethi i Dibrës të shndërrohet i gjithi në një bashki. Si do t’i marrin shërbimet e përditshme qytetarët e Lurës, që sot u duhet 3-4 orë për të ardhur në Peshkopi!? Po ata të Reçit, Selishtës dhe fshatrave të tjerë të largët të rrethit tonë!? Shumë më shpejt e shumë më kollaj shkohet nga Tirana në Vlorë, sesa nga Peshkopia në këto fshatra. 

 

Ne, falë mbështetjes edhe të donatorëve, krijuam praktikat dhe traditën e përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje, në hartimin e buxhetit, në diskutimin e paketës fiskale, krijuam komisionet qytetare dhe i konsoliduam si qeverisje e mirë dhe si detyrim, në zbatim të përcaktimeve të nenit nr.9 të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale.

 

Nëse ndodh ky bashkim, një rreth – një bashki, sipas projektit qeveritar, atëherë si do të mundësohet konsultimi i vazhdueshëm me qytetarët, përfshirja e tyre në vendimmarrje, llogaridhënia apo transparenca para tyre, në këto kushte? 

 

A e njohin Shqipërinë, qeveritarët tanë në Tiranë? Duket se jo!

 

Ju them nga kjo konferencë, me argumentet e sipërcituar dhe shumë të tjerë, se një rreth – një bashki nuk është zgjidhja e problemeve por do të jetë një problem shtesë që do t’i rëndojë problemet aktuale. Të paktën edhe për 1-2 dekada, kjo gjë nuk duhet bërë.

 

Më së pari duhen korigjuar gabimet dhe hapat mbrapa ne decentralizim; së dyti të vazhdojë reforma decentralizuese dhe pse jo, të bëhet edhe një riorganizim territorial por pa ekzagjerime e duke pasur në vëmendje interesat e qytetarit dhe jo ato të pushtetit.

 

Decentralizimi real, sidomos ai financiar dhe fiskal garanton suksesin dhe zgjidhjen e problematikave të qytetarëve dhe njësive respektive vendore dhe jo bashkimet mekanike në njësi të stërmëdha. Ndaj, ju ftoj të mbështesim platformën tonë decentralizuese, administrative dhe territoriale, për një qeverisje vendore autonome, efektive, me qytetarin dhe për qytetarin e Peshkopisë dhe gjithë Shqipërisë”.

 

Mahxhid Cungu – Qarku Shkodër:

 

“Fillimisht, falënderoj organizatorët për ftesën për të marrë pjesë në këtë konferencë, lidhur me reformën decentralizuese, administrative dhe territoriale. 

 

Me krijimin e qarqeve në vitin 2000 u trumbetua një reformë e re dhe bashkë

kohore, në kuadër të decentralizimit të pushtetit lokal. Sipas Kushtetutës dhe ligjit, qarqet duhet të luajnë një rol të rëndësishëm për koordinimin dhe zhvillimin e politikave rajonale, duke harmonizuar politikat kombëtare me ato lokale, por a patën mundësi praktikisht qarqet shqiptare të luajnë një rol të tillë, kaq kyç dhe kaq të rëndësishëm. Praktikisht jo, sepse ana teorike nuk është e shoqëruar me një decentralizim faktik financiar si dhe një sërë kompetencash që vetë qarku duhet t’i ushtrojë. 

 

Është thënë se nuk ka kapacitete vendore për t’i realizuar, kur në fakt nuk mund ta them se, (përjashto ndonjë rast tepër të rrallë) drejtoritë rajonale në linjë ministrore harmonizojnë veprimtarinë e tyre pak ose aspak me këshillat e qarqeve.

 

Ndaj në qofte se ka ardhur koha qe sot të bëhet një reforme, ajo duhet menduar mirë dhe të ketë jetëgjatësi. Për ketë, na duhet një lloj garancie jo vetëm teorike që krahas fuqizimit të njësive qeverisëse të nivelit të parë, rritjes së tyre dhe zvogëlimit të numrit, qarku si qeverisje vendore e nivelit të dytë e të ndërmjetëm të ushtrojë me më shumë efiçencë politikat dhe shërbimet zhvilluese në territor. 

 

Ndonëse me shumë vështirësi e pengesa artificiale, këto vite janë krijuar disa eksperienca fillestare ne këtë drejtim. Mund të sjell si shembull Këshillin e qarkut Shkodër, bashkë me atë të Lezhës kanë hartuar e miratuar “Plani rajonal Shkodër –Lezhë 2005-2020”, plan i cili hap një perspektivë të zhvillimit në më shumë se një qark. Një tjetër shembull është hartimi i strategjisë së zhvillimit të qarkut Shkodër, që është në fazë zbatimi, në përputhje të plotë me autonominë e bashkive dhe komunave të qarkut tonë. 

 

Reforma e re decentralizuese, administrative dhe territoriale duhet të bëhet në mbështetje të këtyre eksperiencave të qarqeve tona si dhe praktikave më të mira që na ofrojnë qarqet në vendet europiane dhe fqinje me të cilat jemi në partneritet. Pra, duke i dhënë një frymëmarrje të re qarqeve jo vetëm si hapësirë territoriale por edhe me kompetenca mbi kryerjen e shërbimeve të domosdoshme dhe në koordinimin e punëve ndërmjet njësive të qeverisjes vendore, atyre të qeverisë qendore dhe agjencive të zhvillimit e donatorëve ndërkombëtare, për të realizuar një zhvillim sa më të harmonizuar dhe domethënës. 

 

Në të dy projektet e qeverisë, me 39 dhe 47 njësi qeverisëse të nivelit të parë, as që bëhet fjalë për qarqet si nivel i dytë. Nëse do të miratohet ky projekt, atëherë brenda secilit qark do të ketë 3-4 bashki super të mëdha. Edhe nëse numri i qarqeve bëhet 5-6, përsëri brenda secilit qark do të ketë 6-8 bashki super të mëdha. Ç’nevojë do të kenë këto bashki për qarkun, nëse qarku ka po ato kompetenca që ka edhe sot?! Bashkimet e mëdha, në kushtet e deritanishme më shumë i rrinë larg qarkut se sa bashkëpunojnë me të. Mendoni kur bashkimet të jenë shumë më pak në numër dhe shumë më të mëdha në territor dhe popullsi, ndaj reforma duhet të trajtojë edhe qarkun ose qarku duhet të fuqizohet me kompetenca që merren nga drejtoritë e ministrive ose një fuqizim i këtillë i bashkive dhe pakësim i numrit, pa fuqizuar edhe qarkun e bën ekzistencën e qarkut të pakuptimtë! Qarku dhe roli i tij është një çështje e rëndësishme që duhet diskutuar e vlerësuar me kujdes e jo të lihet zvarrë, siç po bën qeveria. 

 

Në këtë kuadër, vlerësoj rekomandimet e Co-Plan dhe ShtetitWeb, për domosdoshmërinë e nivelit të dytë të qeverisjes vendore – qarkut, ndaj përfundoj duke shënuar se jo vetëm nuk duhet ta cënojmë a eliminojmë nivelin e dytë të qeverisjes por duhet të krijojmë qarqe përfaqësuese e sipas modeleve europiane, kompetenca e përgjegjësi për kryerjen e disa shërbimeve sa më afër qytetarit, për të cilat ne si qarqe kemi demonstruar se dimë t’i marrim përsipër, kur na janë dhënë si funksione të deleguara.

 

Me këtë rast, deklaroj se mbështes përpjekjet e shoqatës së qarqeve si dhe të bashkive e komunave, për të ndërtuar dhe shpallur një platformë moderne dhe europiane për reformën decentralizuese, administrative dhe territoriale por që respekton edhe traditën dhe historinë”.

 

Taulant Grembi, Kryetar Komunës Zharrës, Fier: 

 

“Komuna Zharrëz është rreth 6 km nga qyteti i Fierit dhe ka afër 9000 mijë banorë. Ndërsa një pjesë e banorëve kanë emigruar në komunën tonë, kanë ardhur banor të rinj nga zona të tjera të qarkut Fier, Berat, Mallakastër por edhe nga zona të tjera të Shqipërisë. Territori i komunës shtrihet mbi zonën naftëmbajtëse Patoz-Marrinëz dhe ndaj, shumë nga banorët e komunës sonë, krahas aktivitetit bujqësor, janë punësuar në industrinë e naftës. Në vitet e demokracisë dhe ekonomisë së tregut, në komunën Zharrës u vendosën stabilimentet e shumë sipërmarrjeve private të rajonit ekonomiko-industrial të Fierit. 

 

Falë këtij aktiviteti ekonomik komuna e Zharrës ka të ardhura të veta nga burime lokale prej 14 522 lekë/banor duke qenë ndër më të lartat në Qarkun Fier, falë kjo begatisë së nëntokës dhe mbi tokës.

 

Ndonëse ne kemi të ardhura kaq të larta dhe marrin shumë pak nga grantet qeveritare, ne nuk i shpërdorojmë ato por i shndërrojmë në investime dhe shërbime në të mirë të komunitetit tonë dhe të sipërmarrësve të shumtë që operojnë në Zharrëz. Sharrëza sot ka më shumë ujë, më shumë ndriçim, më shumë rrugë të asfaltuara. Pra është shumë herë më mirë.

 

Për të mos pasur diskutime e debate, do t’i referohem dokumentit qeveritar për reformën territoriale. Sipas këtij dokumenti shpenzimet operative dhe për paga të komunës Zharrës për banor janë më të ulta se ato të Bashkisë Fier, ndërsa investimet për banor të komunës Zharrëz janë dy herë më të larta se ato të Bashkisë Fier. 

 

Zharra rrëzon argumentet e qeverisë për reformën e saj territoriale. Qeveria thotë se reforma territoriale bëhet që të përmirësojë efiçencën e komunave. A mund të më thoni se si do ta ndihmojë kjo reformë qeveritare komunën Zharrës? 

 

Nëse do të zbatohet plani i qeverisë, qoftë ai me 39 bashki e qofte ai me 47 bashki, atëherë të ardhurat e Zharrëzës do të përdoren për paga dhe shpenzime operative të bashkisë së stërmadhe të Fierit e nuk do të përdoren për investime për komunitetin e Zharrëz. 

Kjo s’do të thotë aspak që në Zharrëz jemi kundër riorganizimit territorial por ai duhet bërë më mend në kokë, për të siguruar zhvillimin ekonomik dhe qeverisje efektive në shërbim të qytetarëve e komuniteteve.

 

Do të ishte më e udhës që Zharrëza dhe disa komuna të tjera të bashkoheshin jo në mënyrë mekanike, por në lidhje logjike. Bashkimi duhet të marrë parasysh ekonominë, të mirat materiale, historinë, lidhjet e krijuara ndër vite. 

 

Qeveria nuk po i merr parasysh këto. Ajo po bën atë që ka vendosur të bëjë dhe nuk po dëgjon askënd. Zharrëza kërkon të dëgjohet dhe ka të drejtë të dëgjohet ashtu siç kërkojnë dhe kanë të drejtë të dëgjohen të gjithë vendorët e tjerë. Ashtu siç kërkojnë dhe kanë të drejtë të dëgjohen banorët e Zharrës dhe të të gjithë bashkive e komunave të vendit. Qeveria e ka për detyrë të na dëgjojë. Ndaj unë, në emër të komunitetit të Zharrëz i them “jo” projektit qeveritar dhe i bashkohem konkluzioneve dhe ideve reformuese të kësaj konference ku jemi mbledhur sot për të shpallur platformën tonë decentralizuese, administrative dhe territoriale”.

 

Shefqet Bruka –Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim:

 

“IDM bazuar

në frymën e sotme europiane si dhe në përvojën, ekspertizën dhe në të dhënat e saj ndër vite njeh dhe promovon avantazhet dhe disavantazhet e dy sistemeve territoriale. 

 

Sot, ajo deklaron se sistemi më i mirë për vendin është sistemi i konsolidimit territorial, implementimi i të cilit duhet të realizohet në bazë të një analizë të hollësishme të faktorëve ekonomik, demografik, territorial, historik, kapaciteteve si dhe të standardeve europiane. 

 

Është e rëndësishme harmonizimi i kriterit të ekonomisë së shkallës me atë të subsidiaritetit (demokracisë), të cilësisë së shërbimeve me atë të aksesit më të mirë, të fuqizimit ekonomik me atë të identitetit lokal. Harmonizimi i kritereve sigurohet vetëm atëherë kur analiza dhe përcaktimi i sistemit territorial shoqërohet me të njëjtën gjatësi vale me decentralizimin. Ne jemi për një ridimensionim të tre aspekteve të decentralizimit-politik, administrativ, financiare. 

 

Ridimensionimin e decentralizimit politik si në aspektin e zgjedhjes së autoriteteve dhe në atë pjesëmarrjes së qytetareve në vendimmarrje e shohim si instrument që minimizon efektet e mundshme negative të konsolidimit territorial. Ne promovojmë miratimin e “Kodit të Qytetarit” nëpërmjet të cilit garantojmë që interesat, nevojat, vlerat, pritshmërinë e qytetarëve që merren në konsideratë nga aktorët publik si dhe promovon transparencën, forcon llogaridhënien, lufton korrupsionin, siguron legjitimitetin dhe krijon pronësinë qytetare në vendime, veprime apo aksione të qeverisë vendore. Gjithashtu për ne është shumë e rëndësishme ridimensionimi i strukturës komunitare, të kësaj strukture sa historike e tradicionale aq dhe funksionale në ditët e sotme, strukturë që organizon, harmonizon dhe mobilizon komunitetin, lehtëson kontaktet, nxit pjesëmarrjen qytetare, informon, nxit dhe mbështet zbatimin e ligjit. Ridimensionimi duhet të përfshijë ripërcaktimin e misionit, të fushës së veprimtarisë (funksionet dhe kompetencat), të mënyrës së zgjedhjes dhe funksionimit, burimet financiare, marrëdhëniet dhe ndërveprimet me institucionet e tjera publike. 

 

Së fundi duhet ta pranojmë se nuk kemi të bëjmë me një reformë të thjeshtë territoriale vendore por kemi të bëjmë me një reformë totale të sektorit publik – edhe e qeverisjes qendrore – ndaj është më se e domosdoshme një konsensus sa më i gjerë dhe gjithpërfshirës.”

 

Vladimir Kume-Lukovë:

 

“Si një kryetar që kandidova i pavarur dhe u zgjodha nga banorët e Komunës Lukovë, dëshiroj të shpreh që në fillim, mendimin tim dhe të banorëve të të gjithë fshatrave të komunës sonë se Komuna Lukovë duhet të ekzistojë si njësi më vete edhe mbas reformës së re territoriale për disa arsye thelbësore:

 

1.Komuna Lukovë ka ekzistuar pothuajse në kufijtë e sotëm që me krijimin e shtetit shqiptar, e quajtur më parë “Katunderia e Piqerasit” dhe më tej “Komuna e Piqerasit” dhe sot komuna Lukovë me qendër fshatin Lukovë.Numri i popullsisë në vlera relative është rreth 10.000 banorë i shpërndarë në 9 fshatra në sipërfaqe territoriale të përgjithshme prej 157 km2 dhe me një vijë bregdetare rreth 35 km, pra një komune me territor të gjerë dhe të larmishëm. Banorët e Komunës Lukovë kanë një mirëqënie mbi mesataren e popullsive përreth, e cila vjen edhe nga pritja e një numri shumë të madh peshuesish që akomodohen në zonën tonë gjatë periudhës së verës.

2.Buxheti faktik i komunës Lukovë shkon në vlerat 40–50 milionë (të reja), ku rreth 45 % vijnë nga transferta qeveritare dhe 55 % nga të ardhurat vendore.Po të shikojmë shpërndarjen e buxhetit të vitit të kaluar dhe realizimin e tij në vlerat 44.9 milionë (totale), vetëm 33 % të tij e zënë pagat për administratën. Shërbimet e pastrimit, mirëmbajtjes dhe investimet në shërbim të drejtpërdrejtë për komunitetin zënë afro 67% të buxhetit të komunës sonë.

3.Në rast se, në komunën tonë do t’i jepej udhë çështjeve të pronësisë dhe regjistrimit të saj, atëherë të ardhurat nga burime lokale për komunën tonë do të arrinin në nivelin e afër 75% të totalit të buxhetit të saj. 

4.Gjithashtu miratimi nga ana e qeverisë e Planit të Përgjithshëm Vendor, plan i cili është realizuar më të ardhurat e vet komunës dhe është dorëzuar për miratim, do të hapte mundësitë për ndërtim e zhvillim dhe kjo do të krijonte edhe më shumë të ardhurat për katër ose pesëfishuar buxhetin e komunës.

 

Lidhur me kërkesën që na ka bërë qeveria për t’u shprehur nëse do të ishim me variantin e parë, pra bashkim me Sarandën, Ksamilin deri në Konispol, apo me variantin e dytë të paraqitur nga qeveria, pra bashkim me Bashkinë Himarë dhe komunën Vranisht, me lejoni t’ju informoj se shumica dërrmuese e banorëve të Lukovës janë të pakënaqur, shprehen kundër dhe mendojnë se kjo reformë është një kthim mbrapa në shërbimet ndaj tyre, por ajo që i shqetëson më tepër banorët e komunës Lukovë është ndjenja e përhershme që i shoqëron në gjithë këto vite dhe frika që kanë, jo pa shkak por nga ngjarje dhe veprime konkrete deri më sot, se mbas reformës fshihet vjedhja e pronave të tyre aq të lakmuara nga njerëz që i vijnë vërdallë pushtetit dhe pushtetarëve. 

 

Duke i thënë “jo” me argumente dy projekteve qeveritare për Lukovën, komuna Lukovë i ka bërë një propozim Ministrisë së Shtetit për Çështjeve Vendore, Komisionit Parlamentar për reformën dhe njësive simotra në Sarandë dhe Delvinë për një variant alternativ që bashkon Lukovën me Sarandën.

 

Por zgjedhja jonë e parë, atë që kërkojnë shumica e banorëve të Lukovës është respektimi i identitetit të tyre të vjetër dhe të ri. Ne jemi përfaqësuar dhe identifikuar si Bregas dhe nuk do të donim ta humbisni këtë identitet mbas çdo bashkimi artificial të ideuar në keqbesim nga çdo krah i politikës, ndaj “po” një reforme decentralizuese dhe kujdes me atë territoriale. Asnjë ndryshim pa konsensusin e komuniteteve vendore, asnjë ndryshim kundër dhe në dëm të banorëve të Lukovës!”

 

Fatmir Guda, Kryetar i Bashkisë Leskovik:

 

“Më lejoni në radhë të parë të vlerësoj maksimalisht përpjekjet që organizatat e të zgjedhurve vendorë ( Shoqata e Bashkive, Shoqata e Komunave dhe Shoqata e Këshillave të Qarqeve) kanë bërë në mënyrë të vazhdueshme, sikundër edhe nëpërmjet kësaj konference me 3 etapa, në drejtim të reformës decentralizuese, administrative e territoriale.

Një muaj më parë qeveria, nëpërmjet një komisioni të posaçëm parlamentar, tërësisht të njëanshme, ka vulosur dhe tapinosur në mënyrë anti-kushtetuese një hartë të pikturuar territoriale të Shqipërisë me 39-47 njësi vendore dhe aspak në interes të qytetarëve.

Në emër të qytetarëve të Leskovikut dëshiroj të shpreh kundërshtimin tonë për variantin qeveritar të shndërrimit të rrethit Kolonjë në një bashki të vetme. Këtë mendim e kam thënë publikisht në media dhe në aktivitete të ndryshme. Kanë folur bashkë më mua edhe qytetarët e Leskovikut. 

 

Riorganizimi territorial i qeverisjes vendore është një nga mundësitë për të përmirësuar demokracinë dhe qeverisjen vendore por i bërë në mënyrën siç po e bën qeveria ai jo vetëm nuk do të sjellë përmirësim por do të krijojë probleme të mëdha, veçanërisht të zonat malore, ku njësoj si Leskoviku, Erseka dhe komunat e rrethit tonë, ndodhen edhe shumica e njësive vendore të vendit.

 

Reforma territoriale e qeverisë, e cila në fakt nuk është asgjë më shumë se sa një copë hartë e ndarë në 39-47 njësi, që në krye të herës është anti-kushtetuese, sepse Kusht

etuta përcakton se ndryshimet territoriale kryhen duke pyetur më parë qytetarët si dhe konsiderohen interesat ekonomike dhe traditat historike të secilës zonë. Kjo nuk ka ndodhur në asnjë moment me propozimin qeveritar. Më keq akoma, qeveria na ka kërkuar vetëm nëse jemi dakord me emrin Kolonjë apo Ersekë.

 

Qeveria deklarohet si alergjike ndaj ish-kooperativave bujqësore të bashkuara, nëpërmjet të cilave gjen argument të sulmojë ndarjen ekzistuese territoriale, por nuk duhet të jetë hicc e menduar që për të përfunduar tek defter që asaj i leverdis politikisht, degjeneron në ringritjen e modeleve të provuara të ish-komiteteve famëkeqe ekzekutive të rrethit. Leskovikut pra, apo njësive të tjera të ngjashme me të u mjafton modeli apo eksperienca rrënuese e këtyre ish-komiteteve, pra për ta refuzuar fort qysh në nisje këtë lloj ndarje territoriale, e cila me sa duket qartë ka qenë parapërgatitur. 

 

Qeveria thotë se e bën reformën pasi 200 e më shumë njësi të vogla të qeverisjes vendore nuk kanë të ardhura dhe shpenzojnë fondet qeveritare për paga dhe shpenzime të tjera jo produktive. Duke iu referuar konkretisht Leskovikut, është një bashki e vogël me 3000 banorë, po aq banorë sa edhe qyteti i Konicës karshi tij- vendlindja e të madhit Faik Konica, e cila ndodhet në Greqinë fqinje anëtare e BE, me statusin e Bashkisë. Por ndonëse nuk i fshehim vështirësitë, për shkak të problematikës objektive të zonës sonë, në asnjë moment nuk jemi listuar tek bashkitë në faliment apo me fatura të prapambetura e të pa likuiduar, sikundër ka ndodhur rëndom nëpër disa bashki të mëdha që reforma Fino-Çuçi dashka t’i bëjë akoma më të mëdha. Me pak fjalë në bashkinë Leskovik decentralizimi funksionon! Ndërsa 10 vite më parë mblidheshin vetëm 4 milion lekë të ardhura vendore në vit, në vitin 2013 mblodhëm 7 milion dhe parashikojmë 8.5 milion për vitin 2014. Natyrisht, me kushtin që qeveria do ta mbledhë taksën e biznesit të vogël të paktën aq sa e mblidhnim ne vetë në bashkinë tonë deri një vit më parë, përpara se qeveria të na e rrëmbente këtë kompetencë por kjo duket se s’ka për të ngjarë. Deri tani po reflektohet qartë se qeveria nuk po e mbledh dot dhe ky është një tjetër shëmbull se madhësia nuk është zgjedhja, por mund të jetë problemi. Në Leskovik, ndonëse kemi të ardhura modeste lokale, përpiqemi që cdo qindarke ta cojmë mundësisht vetëm tek investimet dhe shërbimet për komunitetin. Shpenzimet për paga në bashkinë tonë zënë vetëm 20% të totalit të buxhetit, pjesa tjetër shpenzohet për investimet dhe shërbime direkte për komunitetin.

 

Jam i informuar se kështu ndodh në shumë bashki e komuna të mesme e të vogla. Këto të dhëna rrëzojnë sajesat e qeverisë se gjoja njësitë tona të vogla e të mesme shpërdorojnë fondet.

 

Qeveria thotë se do kursejë fondet e përdorura për administratën e komunave. Nëse shkurtohen të gjithë kryetarët dhe këshilltarët e këshillave të të gjithë komunave të rrethit Kolonjë kursehen në vit më pak se 7 % e fondit të transfertës së qeverisë për të gjitha njësitë vendore të Kolonjës dhe kjo veçse një thërrime krahasuar me shpenzimet administrative të një ministrie.

Për kaq pak, fshatrat dhe komunat malore, me orë dhe ditë larg Ersekës, do të mbesin pa përfaqësim demokratik. Kontakti me bashkinë-rreth do t`ju kushtojë orë të tëra udhëtim dhe kosto transporti banorëve. Jam i sigurt se në rrethet dhe qarqet e tjera, veçanërisht ato malore te vendit, do të ketë shumë absurditete të këtilla.

 

Për kaq pak do të sakrifikohet edhe historia e një qyteti si Leskoviku, të cilin- mjaft tu referohesh ndarjeve territorial të para diktaturës-dhe e gjen atë nga rreth më vete e deri nënprefekturë e sanxhak.

 

Kolegët e majtë të bashkive dhe komunave, të cilët gjithashtu janë kundër hartës qeveritare, nuk munden të ngrejë zërin sepse iu bëhet presion politik. Kjo është e padrejtë. Kjo reformë përpara se të jetë partiake duhet të jetë për qytetarët dhe me qytetarët. Të gjithë jemi pro reformës territorial , por kur ajo tentohet të bëhet për hesape të pastra politike, padyshim që do t`i përkeqësojë shërbimet ndaj qytetarëve.

 

Që kjo të mos ndodhë ne kërkojmë që reforma territoriale të kryhet pa shkelur kushtetutën; me pëlqimin e komunitetit; për t`i shërbyer komunitetit; dhe para së gjithash, që kjo reformë të jetë sa më e qëndrueshme në kohë, duhet të ketë konsensusin politik!

 

Ka alternativa të tjera në Kolonjë dhe kudo. Ndaj jam këtu edhe për ta kundërshtuar fort hartën qeveritare edhe për mbështetur reformën tonë decentralizuese, administrative dhe territoriale që ka në qendër të vëmendjes, qytetarin, komunitetet, ekonominë, historinë.