Fjala e Kryetarit të Partisë Demokratike në mbledhjen e Grupit Parlamentar. Analizë e situatës së rënduar të rendit, ekonomisë dhe demokracisë në vend. 

 

 

 

Të nderuar deputetë,

Përkundër paradave propagandistike tashmë të dala boje, përkundër  fletlavdërimeve dhe  medaljeve që Edi Rama shpërndau për vartësit e tij në fundjavë,  si në të  dielat e Enverit,  natyrisht duke mbajtur medaljen më të   madhe  për vete, qeveria  e dyshes Rama-Meta vjen  në treqind ditët e saj të para me një bilanc të përkeqësuar në të  gjitha fushat e në radhë të parë në fushën e rendit publik dhe ekonomisë, që janë edhe  më të ndjeshmet  për qytetarët.

Statistikat, shifrat dhe faktet  flasin qartë për një qeveri  që  jo vetëm ka gënjyer në mënyrën me të paskrupullt e të papërgjegjshme zgjedhësit shqiptarë, duke e venë  gënjeshtrën e stërmadhe elektorale në një rang me zarfin e parave për të blerë vota, por ka dështuar bujshëm këto treqind ditë edhe në ato pak premtime të cilat nuk i braktisi publikisht.

Mashtrim dhe dështim- këto janë dy fjalët kyçe që karakterizojnë qeverisjen e këtyre treqind ditëve, fjalë me të njëjtin kuptim, ç’është e verteta, që dallojnë  nga njëra-tjetra vetëm për faktin se mashtrimet me legalizimet falas apo shendetësinë i vulosen pa i nisur fare, kurse mashtrimet me rendin dhe ekonominë  i regjistruan e po i regjistrojnë si dështime në fushë të hapur, në qeverisjen e përditshme

Të dhënat zyrtare tregojnë se në treqind ditëshin e famshëm të  përbetimit të  Ramës dhe Tahirit për “të kthyer policinë e shtetit  në detyrë” dhe  “për të vendosur rendin në vend”,  numri i vrasjeve  është rritur. Numri i aksidenteve  nga 734 në  periudhën janar-maj 2013  ka shkruar në 872 për të njëjtën  periudhë të këtij viti,  pra 138 aksidente më shumë; numri i  krimeve të denoncuara e të rregjistruara  kundrejt pronës së qytetarëve, vjedhje me dhunë apo vjedhje pa dhunë, ka  kapur shifrën rekord të 3046 rasteve kundrejt 2671 rasteve të  së njëjtës periudhë të një viti më parë. 

Të shohësh këto shifra, të ndjesh nga afër dhe të prekësh me dorë pasigurinë e madhe të qytetarëve për jetën dhe pronën e tyre anembanë vendit, siç e kam ndjerë unë  në turet që kam bërë në Shqipëri gjatë këtyre muajve dhe siç  e ndjeni ju të gjithë  në  kontaktet dhe takimet tuaja me zgjedhësit, vetvetiu mendon pa e tepruar aspak dhe pa i rënë fare në qafë:  po të kishin ardhur me premtimin për ta berë më keq, nuk do ta bënin ndryshe.

Për ne si opozitë ka qenë e qartë se  Rama me ministrin e tij të rendit do ta bënin keq e më keq qëkurse premtuan me megalomaninë  e tyre tipike vendosjen e  një  gjëje të vendosur,  siç ishte rendi publik, falë të cilit, pavarësisht problemeve që kanë ekzistuar e ekzistojnë, vendi mori anëtarësimin në NATO, heqjen e vizave dhe rekomandimin pozitiv të Komisionin Euripianin për marrjen e statusit.

Nuk premtuan përmirësim –  për përmirësim ka gjithmonë vend dhe hapësirë nga çdo qeveri e re – por vendosjen e rendit me sindromën e vitit zero. Ku e kanë rendin e tyre? Ne i ballafaqojme me shifrat e një viti më parë jo se viti  2013, si viti i fundit i qeverisjes sonë tetëvjeçare,  është etaloni i suksesit tonë. Ne jemi Partia e ndryshimeve historike në këtë vend, por nuk kemi etalone të kësaj natyre.

Etaloni ynë janë standardet europiane që synojmë të  arrijmë. I permendim shifrat dhe i bëjmë krahasimet për t’i përballur me marrëzinë e tyre, për t’u treguar Ramës me shokë se sa absurdë dhe amatorë  janë në qasjet e tyre për punët e rendit, për t’u provuar  se edhe në vitin e nusërimit të tyre jo nuk janë më mirë, por janë  me keq se në vitin e fundit të qeverisjes sonë të  shkuar, që  ka qënë një vit elektoral, që zakonisht nuk është si çdo vit tjetër.

Për ne, ka qenë e qartë se keq e më keq do ta bënin qëkur ndërmorën raprezaljen e tyre në kupolën drejtuese të Policisë së Shtetit, siç nuk kishte ndodhur asnjëherë tjetër më parë, qëkur promovuan në funksione  drejtuese  dhe të larta numërues dhe komisionerë të partisë në një anë,  individë me precendentë penalë, në anën tjetër.

Për ne është e qartë se akoma më keq do ta bëjnë  qëkurse festojnë dështimin  dhe shpërndajnë   medalje  për njëri-tjetrin në festat  e tyre  të mbyllura, si të mos jetonin  në  realitetin dhe me realitetin  e vështirë të shqiptarëve, por në një realitet virtual që me Shqipërinë nuk ka asnjë lidhje.  

Kemi folur e protestuar gjatë si opozitë kundër përmasave gjiganteske  të narkotrafikut në qeverisjes  e  Ramës. Operacioni i policisë së shtetit në  Lazarat u  ndërmor në sfondin e një Shqipërie të tërë, në këmbë kundër drogës, të presionit të opozitës dhe ndërkombëtarve dhe vetedijës së shtuar  edhe  brenda  radhëve të shumicës së nuk mund të shtyhej kështu.

Ne e kemi  mbështetur hapur dhe pa ekuivoke operacionin e policisë në Lazarat. Kemi kërkuar dhe kërkojmë që kjo betejë të vazhdojë në  “lazaratet” e tjerë në pjesë të ndryshme të vendit dhe në zemër të vetë aparatit drejtues të qverisjes Rama-Meta. Ia kemi berë të qartë kryeministrit që në fillim se mburrjet dhe paradat politike  me Lazaratin janë të dëmshme sepse shpërqendrojnë policinë e shtetit nga detyrat korente dhe jo vetëm korente.

Dhe ja ku mbërrriti atentati i tmerrshëm mafioz kundër Artan Santos mu në mes të  qendrës poltike-administative dhe financiare të kryeqytetit, mu përpara bankës  ku i ndjeri ishte themelues, aksioner dhe drejtor ekzekutiv, atentat i cili, në rindërtimin e tij, ka rrëzuar përtokë si një fallsitet pseudoreformën e  Ramës dhe  Tahirit me policinë  rrugore të  Tiranës dhe vetë gadishmërinë e  strukturave policore në  qeverisjen e tyre.

Sot Tirana dhe mbarë vendi i akuzon ata për ngritjen në këmbë me alibi të turpshme  të një policie të  gjobave arbitrare për qytetarët, por që nuk ndalon për t’i kërkuar letrat  motorrit të vrasëve që bridhnin në kryeqytet sipas qejfit për ditë më radhë, duke kolauduar planin e tyre kriminal.

Kjo vrasje ka dhënë mesazhin  e rendë se krimi nuk e llogarit fare rendin e kësaj qeverie dhe godet kur të dojë e ku të dojë. Kjo është e vërteta e rendit.

Ecuria e ekonomisë vazhdon të mbetet një nga shqetësimet tona  parësore. Vëllimi i investimeve në ekonominë shqiptare është në nivelet minimale historike. Kreditimi për bizneset shënoi një rënie me 3.2% në muajin prill 2014 dhe niveli i papunësisë vazhdon e rritet dita-ditës, duke shënuar masën prej 18.3% në tremujorin e parë të vitit aktual.

Qeveria propagandistike kërkon të fshihet pas gjethes së fikut duke dashur të maskojë dështimet e saj  me artifice, siç është përshembull krahasimi qeshar

ak, aty ku i intereson, i të ardhurave  nga taskat e rritura prej saj, me të ardhurat nga taksat e ulëta të  qeverisë së mëparshme. Ne si opozitë ua kemi thënë dhe po ua përsërisim bashkë me opininon e gjerë publik se, kur vjen fjala për të ardhurat, qeveria duhet të matet me planin e saj të  miratuar në Kuvendin e Shqipërisë. Ku je me planin e miratuar? E ke realizuar apo jo? Kjo është transparenca. Të tjerat janë akrobaci propagandistike. Çfarë thotë trasparenca?

Trasparenca thotë se duke pasur parasysh që është parashikuar një rritje vjetore e të ardhurave totale prej 13.1%, rritja e këtyre të ardhurave për 5 muajt e parë të vitit 2014, është  sa 2/3-tat e parashikimeve të qeverisë. Po këtë raport ndjekin edhe te ardhurat tatimore për 5-mujorin si dhe për të ardhurat direkte nga tatimet dhe doganat.

Bazuar në raportin zyrtar të qeverisë, rezulton një mosrealizim për muajin maj 2014 prej 137 milionë lekë krahasuar me planin e të ardhurave tatimore.

Lidhur me 5 mujorin, duhet të theksojmë se nëse qeveria do të bënte një shpërndarje të drejtë të planit të të ardhurave atëhere qeveria do të rezultonte me një mosrealizim të të ardhurave tatimore për periudhën janar-maj 2014, prej 11.5 miliardë lekë (rreth 115 milionë dollarë).

Të ardhurat nga tatimet dhe doganat për maj 2014 rezultojnë më pak se plani me 539 milionë lekë.

Tatim-Fitimi për periudhën janar-maj 2014 deklarohet të jetë në masën 9.477 miliardë lekë, ose 523 milionë lekë më pak sesa parashikimi i qeverisë prej 10 miliardë lekësh. Pritshmëritë e vetë qeverisë për këtë zë (ashtu si edhe për shumë zëra të tjerë të fiskales) nuk po realizohen, pasi rritja e barrës fiskale për bizneset ka ndikuar dhe vazhdon të ndikojë negativisht në performancën e tyre. Qeveria  ndërmori politikën e rritjes së normës së tatim-fitimit me 50% (nga 10 % në 15 %) dhe sipas të dhënave fiskale rezulton së për periudhën janar-maj 2014 të ardhurat nga tatim fitimi janë rritur vetëm me 25.1% krahasuar më të njejtën periudhë të vitit të kaluar.

Akcizat për periudhën 5-mujore të vitit aktual rezultojnë 2.5 miliardë lekë më pak sesa plani i vendosur nga vetë qeveria (rreth 17%  më pak) dhe, çfarë është për të vënë duart në kokë, rezultojnë njëkohësisht  mbi 1 miliardë lekë më pak sesa fakti i periudhës janar-maj 2013, ose 7.4% më pak, kur akcizat kanë qënë më të ulta për njësi produkti.

Të ardhurat nga TVSH në Maj 2014 nga administrata tatimore janë 510 milionë lekë më pak se në maj 2013, ose 27% më pak. Ky tregues i muajit maj si dhe rimbursimi mjaft i ulët i TVSH korente për sipërmarrjet këto 5 muaj flasin se suksesi që trumbeton qeveria për TVSH është një tollumbace që ka plasur tashmë.

Tatimi mbi të ardhurat personale për periudhën janar-maj 2014 rezulton me një mos-realizim prej 297 milionë lekë (ose 2.7% më pak sesa plani) dhe njëkohësisht rezulton të jetë 1.084 miliardë lekë (mbi 10 milionë dollarë) më pak sesa fakti i të njejtës periudhë të vitit paraardhës (ose 9 % më pak).

Duhet t’i rikujtojmë qytetarëve dhe taksapaguesve shqiptarë se qeveria ka ndërhyrë dhe ndikuar direkt negativisht në buxhetet dhe performancën fiskale të Njësive të Qeverisjes Vendore, pasi me paketën famëkeqe fiskale të dhjetorit 2013, qeveria i hoqi çdo bashkie dhe komune në Shqipëri të drejtën e agjentit tatimor për mbledhjen e “taksës për biznesin e vogël”, duke ia tranferuar këtë të drejtë administratës qendrore tatimore.

Sipas të dhënave zyrtare, rezulton se për periudhën janar-maj 2014 qeveria ka mbledhur 612 milionë lekë për zërin “taksë mbi biznesin e vogël”, ndërkohë që nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës (ku mbledhja e kësaj takse ishte kompetencë e vetë bashkive dhe komunave) atëhere shohim se qeveria ka mbledhur 470 milionë lekë më pak, ose e thënë ndryshe pothuajse 44% më pak.

Nga njëra anë qeveria vazhdon e vetme në rrugën e saj të reformës administrative, duke përdorur si një nga argumentet e reformës faktin që kjo do të rriste performancës e Njesive të Qeverisjes Vendore, dhe nga ana tjetër mbledh 44% më pak të ardhura, duke ndikuar drejtpërsëdrejti negativisht në buxhetet e Njësive të Qeverisjes Vendore, pasi me të ardhura më të pakta ato janë duke kryer më pak shpenzime.

Kjo gjë vërehet lehtë pasi për periudhën janar-maj 2014 “shpenzimet për buxhetin vendor” rezultojnë 25 milionë dollarë më pak sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar (ose mbi 20% më pak), ku vetëm gjatë muajit maj 2014 janë kryer mbi 11 milionë dollarë më pak shpenzime për buxhetet vendore.

Të ardhurat për kompensimin e ish pronarëve vazhdojnë muaj pas muaji të jenë në nivele minimale. Gjatë periudhës janar-maj të vitit aktual, qeveria ka mbledhur vetëm 39 milionë lekë, ndërkohë që parashikonte të mblidhte 11.5 herë më shumë (450 milionë lekë). Fakti i periudhës janar-maj 2013 prej 836 milionë lekë është mbi 21 herë më i lartë sesa fakti i periudhës janar-maj 2014.

Në muajin maj të ardhurat nga sigurimet shoqërore janë afro 4 miliardë lekë duke rënë në nivelin e serisë së muajve më të dobët të periudhës 8 mujore fiskale të kësaj qeverie.  Kjo rënie e të ardhurave nga sigurimet shoqërore në maj rivërteton tezën tonë se ose ka rënë punësimi ose është rritur evazioni dhe se nuk mund të ekzistojnë njekohësisht edhe rritje e punësimit dhe ulje e evazionit.

Bazuar në analizat krahasimore e nëse vazhdon me këto ritme, të ardhurat e këtij 5 mujori të qeverisë projektojnë një deficit të pritshëm deri në fund të vitit prej 15-20 miliard lekë. Këtë pritshmëri, ndonëse nuk e pohon, e ka edhe qeveria e cila i ka dalë të keqes përpara duke ulur në mënyrë drastike shpenzimet në disa zëra veçanërisht ato për investime dhe për mbështetjen e shtresave të caktuara.

Dhe në fakt, shpenzimet totale për periudhën janar-maj 2014 rezultojnë pothuajse 26 miliardë lekë më pak sesa plani i qeverisë për këtë periudhë (mbi 250 milionë dollarë).

Ndonëse qeveria vazhdon dita-ditës të deklarojë se po kryen pagesat për ish të përndjekurit politike, qeveria mashtron duke thënë që po paguan dhe se po mbështet këtë shtresë të vuajtur më shumë sesa qeverisja e mëparshme. Shifrat flasin krejtësisht ndryshe. Gjatë periudhës janar-maj 2014, qeveria parashikonte të paguante 300 milionë lekë, por realisht ka paguar vetëm 62 milionë lekë (vetëm 600 mijë dollarë), ose 5 herë më pak. Nga ana tjetër, nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, ku gjatë periudhës janar-maj 2013 qeverisja e Partisë Demokratike ka paguar plot 2.339 milionë lekë (pothuajse 23 milionë dollarë), ateherë rezulton se qeverisja e mëparshme ka paguar pothuajse 38 herë më shumë sesa qeverisja rilindase.

Vazhdojmë të ngremë çdo muaj shqetësimin për bllokimin e ekzekutimit të fondit vjetor të planifikuar për shtresat në nevojë. Ndonëse qeveria parashikon që gjatë vitit 2014 të shpenzojë 1.1 miliardë lekë për zërin “kompensim për shtresat në nevoje”, deri më sot as edhe një qindarkë nuk është paguar për këtë zë. I kërkojmë qeverisë që me urgjencë të miratojë VKM-në për kriteret e shpëndarjes së këtij fondi, ashtu siç

e detyron ligji për “buxhetin e vitit 2014”.

Për kontratat ekzistuese të investimeve publike të lidhura gjatë qeverisjes së mëparshme, qeveria aktuale deklaron se po kryhen pagesat e “detyrimeve të prapambetura në infrastrukturë”, por nëse plani i qeverisë për 5-muajt e parë të vitit 2014  ishte prej 9 miliardë lekë (rreth 90 milionë dollarë), fakti rezulton se janë paguar vetëm 3.489 milionë lekë (34 milionë dollarë), pra janë paguar rreth 56 milionë dollarë më pak sesa plani i qeverisë.

Nga ana tjetër, investimet publike me financim të brendshëm (me lekët e taksapaguesve shqiptare) për periudhën janar-maj 2014 rezultojnë të jenë në nivelin 4.6 miliardë lekë (45 milionë dollarë), ose 4.3 miliardë lekë (ose 42 milionë dollarë) më pak sesa plani i qeverisë për këtë 5-mujor. Ndërkohë rezulton të jenë paguar mbi 15.7 miliardë lekë (rreth 156 milionë dollarë) më pak sesa fakti i periudhës janar-maj 2013.

Investimet publike totale të brendshme dhe të huaja për periudhën janar-maj 2014 rezultojnë rreth 66 milionë dollarë më pak sesa plani i qeverisë për këtë periudhë, që do të thotë rreth 20.8 miliardë lekë (ose 200 milionë dollarë) më pak sesa fakti i periudhës janar-maj 2013. Nëse kësaj vlere i shtojmë edhe vlerën më pak të paguar nga qeveria aktuale gjatë periudhës tetor-dhjetor 2013, atëherë për periudhën 8-mujore të qeverisjes socialiste (tetor 2013-maj 2014) qeveria ka paguar 280 milionë dollarë më pak punime për projektet e investime publike krahasuar me të njëtën periudhë të vitit paraardhës.

Pra kuptohet mjaft qartë mashtrimi mediatik që bën qeveria, pasi shifrat flasin vetë: të deklarosh  se  mbështet bizneset do të thotë të paguash më shumë dhe jo të paguash mbi 240 milionë dollarë më pak.

Procesi i privatizimeve vazhdon të mbetet i bllokuar . Gjatë 5-mujorit të parë 2014 arketimet nga procesi i privatizimeve rezultojnë të jenë vetëm 4 milionë lekë, ndërkohë që gjatë të njejtës periudhë të vitit të kaluar janë arketuar mbi 400 milionë lekë, ose mbi 100 herë më shumë (pa perfshirë këtu të ardhurat nga privatizimet strategjike të hidrocentraleve).

Këto janë shifrat, kjo është trasparenca, kjo është e verteta. Qeveria propagandistike reklamon suksese  të paqëna që shqiptarët nuk i shohin e nuk i prekin. Qeveria propagandistike nuk ka sjellë asnjë ligj për të hapur vende pune por ka sjellë boll ligje që ka mbyllur mijëra vende pune. 

Tablloja e zymtë  e një ekonomia të mekur dhe  në mosbesim të pandryeshueshëm  ndaj qeverisë, edhe tani pas  treqind ditëve, është pasqyra më e saktë e paaftësisë  së saj për të drejtuar  ekonominë  e vendit.  Duhet ta kemi vazhdimisht  në vemëndje se prapa shifrave të përkeqësuara në limite është rrokullisja që  vazhdon, janë mijëra perspektiva të mbyllura, mijëra vende pune të humbura për burrat, gratë, të rinjtë e të reja, mijëra pritshmëri e shpresa të papërmbushura, mijëra e mijëra halle  që nuk qahen, nuk shërbehen, nuk zgjidhen, është drama e shumicës së qytëtarëve dërmuese të qytetarëve shqiptarë nën qeverisjen e mashtrimeve dhe dështimeve.

Duke bërë trasparencën e munguar, duke treguar të vërtetën për qeverinë e dyshes Rama-Meta, ne kemi detyrimin gjithashtu të bëjmë çmos për të shkurtuar me opozitën tonë  të fortë e të palëkundur dhe me alternativën tonë, ditët e së keqes që ka zënë shumicën e qytetarëve shqiptarë me qeverisjen Rama-Meta.

Faleminderit!