Kryetari i PD, Lulzim Basha merr pjesë në Kuvendin Zgjedhor të degës së Malësisë së Madhe: “Ekonomia në krizë, shqiptarët më të varfër”.

 

 

 

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha mori pjesë në Kuvendin Zgjedhor të demokratëve në Malësi të Madhe. Zoti Basha është ndalur në fjalën e tij në këtë Kuvend në situatën e rëndë ekonomike-sociale dhe të sigurisë që po kalon vendi. Premtimet e Rilindjes, tha Basha, janë shpuar si një tufë tullumbacesh dhe sot realiteti tregon një perspektivë të zymtë për çdo shqiptar.  

“Legalizime falas, e nënshkroi në mes të Kamzës ndërkohë në buxhet ka parashikuar 1.3 miliardë lekë të ardhura nga legalizimet. Shëndetësi falas e dëgjuan shqiptarët. Shëndetësia është në ditën e saj më të zezë. Rend dhe siguri brenda 300 ditëve, a thua se morën të qeverisin Libanin e viteve 80 dhe jo një vend që ishte bërë anëtar i NATO-s dhe kishte hequr vizat. Çfarë u thua kriminelëve kur thua do të rivendos rendin brenda 300 ditëve?! Ti u thua se s’do të ketë rend për 300 ditë dhe nuk ka patur rend për 300 ditë. Çfare ligji kanë sjellë një vit në Parlament që të hapin një vend të ri pune. Asnjë ligj,  por kanë sjellë ligje që mbyllin vendet e punës. Kanë shpresën se me propaganda me boritë e propagandës do ta arrijnë prap t’ia shesin sapunin për djathë shqiptarëve”, tha Basha. 

Kryetari i PD-së ka kërkuar nga demokratët ta përdorin me përgjegjësi votën e tyre në procesin e zgjedhjes së drejtuesve të Partisë dhe vlerësimit të karrierës. Ndërsa maxhoranca po promovon çdo ditë në postet më të larta drejtuese në administratë antivlerat, demokratët do t’i japin alternativën që meritojnë shqiptarët.

“Realiteti i hidhur me të cilin po përballet një popull i tërë i cili nuk votoi më 23 Qershor të shikonte ngritjen e vesit në piramidën e shtetit, që të shikonte kthimin dhe rikthimin e krimit dhe narkotrafikut në poste drejtuese, por votoi për një shpresë njerëzore, për mirëqënie dhe një të ardhme të sigurt. E pra, këtij projekti ogurzi ne duhet t’i përgjigjemi, po i përgjigjemi duke promovuar vlerat, njerëzit tanë më të përkushtuar, më të zotë, më të vendosur, njerëzit që kanë reputacionin dhe besimin e duhur brenda radhëve të partisë dhe jashtë radhëve të partisë për të rritur mbështetjen popullore ndaj PD-së dhe për ta drejtuar këtë forcë politike drejt fitores”, tha Basha.