Kryetari i PD, Lulzim Basha merr pjesë në Kuvendin Zgjedhor të degës së Fushë-Krujës: “Një vit pas rrotacionit politik, asgjë e re, asgjë e mirë por përkeqësim në çdo fushë duke nisur me xhepat dhe tavolinat e qytetarëve”

 

 

Nga Fushë– Kruja ku mori pjesë në Kuvendin Zgjedhor të demokratëve, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka theksuar se vendosja e votës në themel të zgjedhjes dhe karrierës në PD, do ta bëjë partinë më të fortë dhe më të besueshme.  Zoti Basha vijoi fjalën e tij duke theksuar se PD-ja do të mbetet e lirë,  siç lindi dhe u rrit në stuhitë e përmbysjeve politike të viteve nëntëdhjetë, ajo do të vijë duke e zgjeruar vazhdimisht dimensionin e lirisë, pasi sipas liderit të demokratëve nuk ka rrugë tjetër për të shkuar përpara. 

 

“Vota e lirë ka qënë në themel të organizimit tonë që ditën e parë që kemi lindur. Dhe duke e përdorur atë me përgjegjësi dhe me zgjuarsi, duke e bërë atë bazën e çdo vendimi sa i përket organizimit dhe karrierës në Partinë Demokratike, ne do të arrijmë ta bëjmë partinë më të fortë, më të konsoliduar, më të besueshme, më të respektuar si karshi qytetarëve ashtu edhe karshi partnerëve ndërkombëtare”, tha Basha. 

 

Sot më shumë se kurrë, tha zoti Basha, qytetarët presin nga demokratët t’u rikthejë shpresën pasi nën qeverisjen e dyshes Rama-Meta vihet re veçse përkeqësim dhe pasiguri anembanë vendit. 

 

 “Në këto 10 muaj zhgënjimi të thellë popullor, me zullumet e dyshes Rama –Meta, ka patur dimensione të jashtëzakonshme. Mashtrimet, zullumet, përkeqësimet ndihen kudo. Një vit pas rrotacionit politik, asgjë e re, asgjë e mirë por përkeqësim në çdo fushë duke nisur me xhepat dhe tavolinat e qytetarëve, duke vazhduar me perspektivën për të nesërmen, me sigurinë e jetës, me demokracinë në vend, përkeqësim në të gjitha fushat”, tha Basha.