Deputeti gjerman i CDU Thorsten Frei vizitoi Partinë Demokratike ku u prit nga deputetët Genc Pollo dhe Gerti Bogdani.

 

Gjatë takimit në selinë e Partisë Demokratike u fol për bashkëpunimin mes dy forcave politike të qendrës së djathtë që i përkasin Partisë Popullore Europiane,  gjendjen politike në Shqipëri si dhe perspektivën europiane të vendit. Zoti Frei shprehu dëshirën për mbajtjen e zhvillimin e kontakteve dypalëshe në të ardhmen. 

 

Z. Pollo falenderoi deputetin gjerman për përkrahjen në dhënien e statusit kandidat dhe duke shpresuar se do të vijojë hapja e negociatave në kohën më të afërt të mundshme. Sipas deputetëve demokratë, pengesë për këtë janë cënimi i shtetit ligjor, i konsensusit politik, zaptimi i pushteteve të pavarura dhe joqeveritare si KLD, ILDKP, AMA, AMF, kompetencat e Presidentit, destabilizimi i administratës publike dhe emërimi në poste kyçe i personave të dënuar për krime të rënda dhe depërtimi i tyre edhe në Kuvend, siç e dëften incidenti i deputetit socialist Arben Ndoka. Partia Demokratike mbetet forcë politike proeuropiane që do të përkrahë në Kuvend çdo reformë që i shërben integrimit europian, tha Pollo. 

 

Deputeti gjerman Frei shoqërohej nga ambasadori gjerman Hoffman dhe shefi zyrës së fondacionit Adenauer në Tiranë Dr. Schrappel.