Kastriot Sulko: Rritja e moshës, ul kohën e gëzimit të pensionit

Sot  janë mbi 500 mijë njerëz që përfitojnë nga skemat e pensioneve, por të gjithë të tjerët urojnë dhe mendojnë që të kalojnë në një fazë të tillë me shëndet. Sipas statistikave te Institutit të Sigurimeve Shoqërore, numri i pensionistëve në fund të vitit 2013 rezulton të jetë mbi 570 mijë nga të cilët mbi 418 mijë ishin pensionistë të zonave urbane dhe 152 mijë ishin pensionistë të zonave rurale. Po të kihet parasysh se numri i kontribuesve është rreth 702 mijë na rezulton se numri i pensionistëve është kategoria e popullsisë më e madhe si grup shoqëror, pasi në kontribuesit përfshihen edhe ata persona që paguajnë kontribute por në të vërtetë nuk kryejnë aktivitete ekonomike konkrete, siç janë rastet kur pagesat kryhen nga emigrantët për antarë të afërm të tyre në Shqipëri, apo shtëpiake të cilat kontribuojnë për skemën për të siguruar kohën e pleqërisë. Pra grupi i pensionistëve është një grup shumë i madh personash të cilët preken dhe do të preken edhe në të ardhmen nga çdo inisiativë apo ndryshim politikash që kanë të bëjnë me skemën e sigurimeve shoqërore dhe sidomos atë pjesë që i takon pensioneve. Ndryshimet e ligjit per sigurimet shoqërore shtojnë një barrë shumë të rëndë për pensionistët dhe ata që presin të dalin në pension, të cilët edhe pa këto shtrëngesa konsiderohen me të drejtë si shtresat më në nevojë për vetë specifikat që i shoqërojnë. 

Masa  më e rëndë që shoqëron këtë projektligj është shtesa e moshës së daljes në pension si për gratë edhe për burrat. Edhe në kushtet aktuale mosha e daljes në pension 60 vjeç per grate dhe 65 vjeç per burrat, është e krahasueshme me vëndet e tjera të Europës, por në ndryshim me to, ne kemi një jetëgjatësi më të ulët, për rrjedhojë edhe periudha e gëzimit të pensionit është më e ulët dhe kjo shkon nga 5 deri në 10 vjet më pak se në këto vënde. Nga ana tjetër, është e dukshme që pensionistët në Europë kanë një standart më të lartë jetese. Pra jetojnë më gjatë dhe më mirë. 

Ka vetëm një vit që ka mbaruar efektet e veta reforma e mëparshme e rritjes së moshës së pensioneve, pra kemi vetëm një brez që ka filluar të dalë në pension në moshën 65 vjeç, dhe tju thuash njerëzve se do të fillojmë tju rrisim përsëri këtë moshë, demonstron pasiguri tek popullsia. Kur u kaluan ndryshimet për rritjen e moshës së daljes në pension, në vitin 2002, nga 60 vjeç në 65 vjeç (për burrat) dhe po e njëjta rritje për gratë, u bë një pakt me një grup njerëzish të cilëve ju shpjegua që ju (kryesisht ata që ishin 35 deri 45 vjeç) do të sakrifikoni sepse do të duhet të bëni një sakrificë duke për punuar 5 vite më shumë në mënyrë që të gëzoni një pension të plotë. Tani po ju themi po të njëjtëve njerëz që do ta prishim atë pakt dhe do tjua rrisim me dy vite të tjera.  Të gjitha këto na çojnë në përfundimin se pasiguria është evidente dhe mund të ndodhë edhe me skemën e pensioneve, dhe atëherë do të ishte shumë e vështirë që të bindje njerëzit, që të kontribuojnë sot për të marë përfitimet në një të ardhme dikur.

Në  mënyrë që të kemi një rritje të numrit të kontribuesve në skemën e sigurimeve shoqërore Qeverisja e Partisë Demokratike uli normën e kontributeve nga 38.5% në 24.5% pra me rreth 30%, në mënyrë që ata persona të cilët ishin në punë por nuk paguanin sigurimet të ishin më të interesuar dhe po kështu edhe për punëdhënësit e tyre. Sot në këtë projektligj rritet norma e kontributeve për të vetpunësuarit me rreth 100 mijë lekë të vjetra në vit për një kategori prej 75 mijë deri 80 mijë personash e cila është një barrë e rëndë për këtë grup shoqëror. 

I gjithë ky ndryshim ka si synim shpëtimin e skemës nga rrënimi, pra të zvogëlohet subvencionimi i buxhetit të shtetit për pensionet sidomos duke joshur për tu përfshirë në skemën e kontributeve ata persona të cilët deri më sot nuk paguajnë. Por a mund të mendohet që një person i cili i ka rezistuar tundimit të përfshirjes në këtë skemë, pasi të kuptojë se edhe pa paguar këto kontribute do të përfitojë një pension social. Është shumë e vështirë që të mendohet se kjo gjë do të ketë ndonjë ndikim pozitiv në këtë skemë. 

Këto ndryshime ligjore bëjnë shumë kujdes për ata që marrin paga të larta dhe për rrjedhojë paguajnë kontribute më shumë, ndaj këta persona duhet të marrin më shumë pensione, dhe ne nuk kemi ndonjë gjë kundër, le të shkojë “haka tek i zoti”, por edhe dhëmshuria për ata që marrin rroga të ulta duhet të na karakterizojë. 

Në vitin e parë të qeverisjes së Partisë Demokratike, pensionet minimale në qytet u rritën me 5 %  dhe në fshat u rritën me 20 %, ndërsa sot qeveria ka një rritje me vetëm 2%, çka praktikisht, po ta zhveshësh nga inflacionit, nuk ka rritje fare. 

Nëse  gjatë 8 viteve të qeverisjes së Partisë Demokratike kemi një rritje me 53% për pensionet minimale ne qytet dhe 140 % për pensionet në fshat, me këtë ritëm rritje të kësaj Qeverie, do ti duhen 70  vjet për të kapur kuotat e PD për fshatin dhe 26 vite për qytetin. 

Që të quhet reformë duhet të shikohet skema në tërësinë e saj. Por deri më sot ne kemi përpara një ligj dhe askush nuk e ka të qartë se çdo të bëhet me pjesët e tjera të shoqërisë të cilat janë objekt i kësaj skeme por nuk janë parashikuar se si do të preken. Unë nuk mendoj se me parrullën “shohim e bëjmë më vonë” do të na mundësojë ndonjë gjë të mirë, dhe mendojë se kjo do të bëjë të njëjtin efekt që bënë edhe sistemi i taksave që do të duhet ti rishikojnë përsëri dhe shumë ligje të tjera. Në rastin konkret një situatë e tillë do të ndikojë negativisht në besimin e njerzve në skemën e pensioneve, çka do të shoqërohet me një rezistencë për të kontribuar, dhe për rrjedhojë me një përkeqësim të situatës.

 

Sherefedin Shehu: Projekti Rama-Meta shkatërron pensionet e fshatit

E ashtuquajtura Reforme e Pensioneve që Rama-Meta po ju shesin qytetareve është reforme qe i ul pensionet dhe për fshatin e bën te pamundur marrjen e nje pensioni. Partia Demokratike e konsideron atë si sektorin më të veshtire me më pak mundesi për të ardhura dhe që duhet mbeshtetur. PD në fushën e pensioneve, ka zbatuar politikën e dy-fishimit te tyre dhe te barazimit me qytetin. Në 2010 pensionet e fshatit arritën mbi 100 dollarë dhe në vitin 2014 ata janë 12 mije e 505 lekë në muaj. Projekti Rama-Meta po e derrmon këtë sistem duke i bërë të paperballueshme kontributet për pensione në fshat dhe duke ofruar si alternative një lemoshe lëmoshë prej 6 mijë e 500 lekë në muaj që e quajnë pension social. 

Sistemi i Pensioneve që krijoi PD i bindi fermerët për drejtesine dhe qëndrueshmerine e tij. Për këtë arsye, në periudhen 2009-2011 u dyfishua numri i fermerëve që paguan contribute, duke shlyer edhe për vitet e meparshme. Dhe me tej vazhdoi rritja e tyre. Keshtu nga 168,500 fermere që paguan kontribute në vitin 2012, në vitin 2013 numri i tyre u rrit n

ë 205.200 ose 22 përqind më shumë. Rames dhe Metës, fshati i duhet vetëm për vota. Me skemen e tyre ata e bëjnë të pamundur qe fermeret të kene nje pension. Deri në vitin 2014, fermerët kanë paguar kontribute të subvencionuara të cilat në vitin 2014, janë përkatësisht 23 mije lekë për zonat malore, dhe 30 mijë lekë për zonat fushore, ose gati 2 here më të uleta se kontributet e të punësuarve ne qytet. Në ligjin Rama-Meta percaktohet se kontributet e fshatit do te jene te barabarta me te qytetit qe do te thote se nga 23-30 mije që paguajne sot, ata nesër duhet të paguajnë 78 mije e 672 lekë. Pra Rama-Meta po e shkatërrojne sistemin e pensioneve në fshat dhe qendrueshmërine e sistemit në pergjithësi mbasi fermeret nuk do të jenë në gjendje dhe as të interesuar që të paguajnë këtë nivel kontributesh. Kështu Rama-Meta, të gjithe barrën e deficitit të skemes së pensioneve po e varin në qafën e fermereve duke u hequr atyre mundësinë për pensione të barabarta me qytetin, mbasi ata u thonë fermereve mos paguani kontribute sepse mund t’u japim një lëmoshë para se të vdisni. Rama dhe Meta po tallen me fermeret. Rritja e paperballueshme e kontributeve për fermeret e bën për ta pensionin një ënderr. Projekti i tyre u thotë fermereve se pensionin e barabartë me qytetin që u njeh ligji sot në vitin 2015, mund ta merrni vetëm nëse do të paguani 2.6 dhe 3.4 herë më shumë kontribute përkatësisht për zonat fushore dhe malore. 

Sistemi qe po krijojne Rama dhe Meta jo vetëm qe i heq gjysmës së popullsise të drejten për të marrë pension, por nga ana tjetër edhe lemoshen e premtuar nuk do ta rrisin. Në vitin 2005 pensioni minimal i fshatit ishte 3 mije e 430 leke. PD u angazhua per rritjen e pensioneve të fshatit dhe barazimin e tyre me të qytetit. Dhe ky angazhim u plotësua duke e cuar pensionin minimal të fshatit ne vitin 2014 në 8 mije e 731 leke dhe duke i mbajtur kontributet e fshatit mbi 2 herë më të ulëta se të qytetit dhe duke garantuar nga ana tjetër përfitime të barabarta me të qytetit. Ndërsa Rama-Meta, po i denigrojnë fermerët duke u kërkuar kontribute që ata nuk mund t’i paguajnë dhe ofruar në kembim, të ashtuquajturin pension social 6 mijë e 500 leke. Por problemet për fshatin nuk mbarojnë këtu. Rama dhe Meta, politiken e rritjes së pensioneve e kanë zevendësuar me indeksim. Pra lemosha do te mbetet realisht aq sa është sot. Por për fshatin edhe kjo lëmoshe nuk është e garantuar, mbasi ajo jepet kur plotësohen disa kushte. Kështu, nëse ke të ardhura sic mund të jenë ato që vijnë nga toka, bagëtia apo pasuri të tjera në pronesi të fermerit, ky i fundit nuk mund të marrë as pensionin social.

 

Jorida Tabaku: Qeveria po dështon me kompensimin e pronave 

Për të qenë të sinqertë e për të pranuar realitetin dhe gabimet tona, duhet të pranojmë se pronarët kanë pritur më shumë nga qeverisja e djathtë. Ndjej keqardhje që nuk arritëm të vendosnim drejtësinë për padrejtësinë e një sistemi që luftonte pronarët. 

Nuk do ndjehesha e qetë nëse nuk do pranoja këtë dhe gjithashtu nuk ndjehem e qetë kur shoh se çfarë vendimesh po merren sot për Kthimin e Kompensimin e Pronarëve.

E drejta e pronës, një e drejtë natyrale e cilitdo qytetari të këtij vendi (e të ciltido qytetar të botës) nuk mund të anashkalohet e nëpërkëmbet. Prona, është kapitali më i rëndësishëm përmes të cilës zhvillohet ajo që ne e quajmë ekonomi tregu. Nën këtë moto e këtë parim mendojmë qw kjo cwshtje wshtw një tjetër pikë kardinale për dështimin e ekonomisë për të krijuar një rritje të qëndrueshme.

Në të gjitha vendet Evropiane e drejta e pronës është një e drejtë themelore e njeriut, përjashtim bëjnë vetëm ish vendet komuniste. Kështu që për të qenë në frymën e Evropës, në të cilën aspirojmë të jemi, më së paku duhet të respektojmë jo vetëm historinë e saj por edhe integritetin e mohuar klasës së pronarëve që çuditërisht sot po quhen “ish-pronarë”.

Po sigurisht këtu ndahet e majta nga e djathta, dhe kjo është mendësi që ne nuk ia ndryshojmë dot! Sot prona ashtu si shumë çështje të tjera po trajtohet si koncept politik, si koncept social si mëshirë si falje nga qeveria, ndërkohë që ne besojmë se pa i dhënë zgjidhje kësaj cështje, shumë të tjera do të mbeten pezull! 

Po çfarë premtoi qeveria?

Premtimet ndaheshin në katër shtylla kryesore:

(i) Do tu jepet përparësi kompensimit në natyrë, në raport me kompensimin financiar, në mënyrë që të ulet fatura financiare për shtetin;

(ii) e orientuar procesin e privatizimit të pasurive publike drejt kompensimit të ish-pronarëve;

(iii) saktësuar fondin e kompensimit për ish-pronarët; dhe

(iv) eliminuar me ligj dhe në praktikë zvarritjet burokratike.

Por aktualisht cfarë ka ndodhur në këto 300 ditë?

-Me Vendimin e marrë për heqjen nga fondi i kompensimit fizik të fondit të tokës bujqësore me sipërfaqe 18 076 (tetëmbëdhjetë mijë e shtatëdhjetë e gjashtë) ha të ish – ndërmarrjeve bujqësore dhe ish – institucioneve kërkimore – shkencore zerohet fondi për kompensimin fizik të pronarëve. Duke abuzuar kështu me ligjin e miratuar po nga kjo parti që sot qeveris, në vitin 2004, dhe me fondin e përcaktuar të pronave pasuri të paluajtshme shtetërore që vihen në dispozicion për kompensim fizik të bërë në 2011 nga qeveria e shkuar si pjesë e një angazhimi konkret për reformën në cështjen e pronave. Mirë apo keq, qeveria e shkuar la në trashëgimi fondin e kompensimit fizik toke: mbi 71.000 ha pyje, mbi 18.076 ha tokë bujqësore dhe rreth 117 objekte shtetërore.

-Në maj të këtij viti qeveria ndërmori vendimin për ndryshimin e Ligjit për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave. Jo për ta përshpejtuar procedurën, jo për të eleminuar burokracitë, por për ta shtyrë atë. Duke e shtyrë deri në  prill të 2015 afatin për dhënien e vendimit administrativ për cështjen e pronave. Kështu qeveria duke kërkuar të blejë kohë ka rifilluar të rishikojë dhe njëherë të gjitha dosjet nga fillimi me pretendimin e digjitalizimit ndërkohë që në 300 ditë nuk është marrë asnjë vendim i AKKP dhe po procedohet me vendimet e marra nga qeveria e kaluar.

-Në ndryshimet e fundit të Ligjit për titujt e pronësisë u shty afati me dy vjet për procesin e dhënies së titujve të pronësisë për tokat bujqësore. 

-Ndërkohë që dhe amendamentet e deputetit Mediu që pronat në zonat bregdetare t’i kthehen dhe kompensohen drejtpërdrejte pronarëve, dhe të mos mblidhen në fondin e AKKP nuk u mor parasysh. Sigurisht që mënyra e funksionimit të kooperativave vazhdon të jetë model për qeverinë.

-Në ndryshimet e fundit të Ligjit për legalizimin, qeveria mori një vendim totalisht kundër pronarëve, duke bërë të mundur që fondi që merret nga pagesat e legalizimeve të mos shkojë 100 përqind dpd tek fondi i kompensimit si më parë por të ndahet në raportin 70 përqind me 30 përqind. Ku 30 përqind tashmë do ti shkojë buxhetit të agjensisë së legalizimit për të mbuluar kostot e procesit! Kjo sjell një rënie në buxhetin e kompensimit të pronarëve!

-Së fundmi në këtë kuadër erdhi dhe vendimi i GJEDNJ. I cili në

ndryshim nga ajo që deklaroi KM në fillim të Qershorit e detyron qeverinë të paguajë detyrimet duke qënë se nuk ka marrë asnjë masë konkrete gjatë këtij viti. GJEDNJ pasi shqyrtoi Plan –Veprimin e pronave të paraqitur nga Qeveria, në datë 4 Korrik 2014 i njoftoi Qeverisë se, vendosi të mos merrte në konsideratë kërkesën e bërë  në lidhje me shtyrjen 1 vjecare të kërkuar nga ana e autoriteteve shqiptare. Gjykata ka shprehur shqetësimin e saj se nuk është bërë përpjekja më e vogël në lidhje me zbatimin e vendimit pilot dhe të Rezolutës së Ndërmjetme të Qershorit 2013 dhe se masat e parashikuara në Plan Veprimin e paraqitur nga Qeveria në datë 1 Prill 2014 nuk sjell asnjë risi dhe nuk përmban asnjë masë të ndryshme nga ato të parashikuara në Strategjinë e Pronës të vitit 2012 apo në Plan Veprimin e vitit 2011. Plan Veprimi i paraqitur së fundi,  për më tepër nuk tregon se cili është mekanizmi efektiv i ndërtuar për të bërë të mundur zbatimin e vendimit pilot. 

Të vendosura përballë njëri tjetrit këto katër shtylla kryesore do të reflektonin si më poshtë

Kompensimi fizik përparësi ndaj atij financiarHeqja nga fondi i kompensimeve tokave bujqësore me sip.18.760 ha   

Orientimi i procesit te privatizimit te pasurive publike per kompensim pronaresh; Nuk ka asnjë kuadër ligjor që ta përmendë këtë megjithëse kemi dëgjuar mbi privatizimet që qeveria pritet të kryejë   

Skema e qartë e kompensimit; Nuk kemi asnjë draft të tillë të paraqitur nga mazhoranca për këtë pikë   

Eleminimi i burokracirave; Qeveria sjell një projektligj që shtyn afatin e kompensimit dhe për një vit tjetër 

E sikur kjo të mos mjaftonte qeveria është përkujdesur që hapin pozitiv që mazhoranca e djeshme hodhi, për të cilin e ripërsëris që nuk qe i mjaftueshëm e as nuk na shmang nga përgjegjësitë, aleanca e sotme nuk po e vazhdon. Mjafton të hedhim një sy grafikut mbi Të Ardhurat për Kompensim në vlerë të Pronarëve (vitet 2013-2014):

Për të parë trendin negativ nga Shtatori e më pas, kjo për të treguar që hunda e zgjatur e opozitës së djeshme nuk mundi dot të përmbushte pritshmëritë e atyre që e votuan e me të cilat ajo sot krenohet.

Nëse do të shohim raportin tonë të deri djeshëm mes Shpenzimeve për kompensim monetar me të ardhurat për këto kompensime nga legalizimet:

Shohim se dëshira dhe qendrueshmëria e qeverisë së shkuar qenë më të mëdha se sa hovet e qeverisë së sotme. Edhe pse kjo mazhorancë premtoi se konkurente nuk do të kishte mazhorancën e djeshme por veten e saj, rezultatet flasin vetë.

Në momentin kur qeveria ka ezauruar të gjithë fondin për kompensimin fizik, kur dukshëm ka caktuar në buxhet një fond më të ulët se ai i caktuar vitin e fundit, kur jo vetëm nuk ka marrë asnjë masë konkrete për këtë shtresë por cdo vendim ka qënë në drejtim të kundërt do të duhet që i gjithë buxheti vjetor të shkojë për zbatimin e vendimeve të GJEDNJ. 

Sigurisht që përveçse çështje mendësie, çështje vizioni kjo është dhe çështje vullneti politik që dukshëm nuk ekziston!

Në gjithë sa përmenda më sipër një gjë është e sigurtë, sikundër dhe taksat që paguajmë më shumë sot, ekonomia jonë do të jetë në gjendje kome derisa prona dhe pronari të mos vlerësohen ashtu siç ekonomia e tregut e kërkon. E kjo nuk është thjesht çështje ekonomie por edhe ideologjie!

 

Albana Vokshi: Plani Rama-Meta për pensionet, i godet rëndë gratë

Kjo reformë është antisociale dhe e varfërimit të mëtejshëm. Ajo deformon skemën aktuale që bazohet mbi bazën e kontributeve dhe dekurajon pagesën e tyre çka do të ulë numrin e të siguruarve. Reforma e propozuar do të rrisë informalitetin dhe papunësinë. Sipas të dhënave të INSTAT, ka 500. 529 persona të punësuar në fshat dhë më shumë se gjysma nuk paguajnë kontribut shoqëror. Përpara rritjes së moshës së pensionit qeveria duhej të kishte ndërmarrë politika për futjen në skemën e sigurimeve të atyre që punojnë në bujqësi. Gratë janë më të goditurat e reformës së pensioneve. Rritet me 7 vite mosha e pensionit, ato do të kenë më shumë kontribute dhe më pak përfitime nga skema. Do të ulen përfitimet me 30 % në barrëlindje, do hiqen njohja e viteve të studimit pr efekt pensioni dhe hiqet mundfësia për dalje të hershme në pension për gratë me shumë fëmijë. Kjo do të sjellë rritjen e papunësisë së grave. Gjatë kësaj qeverisje janë hequr nga puna 2800 gra dhe vajza nga të cilat 200 kanë qënë kryefamiljare, 300 të përdjekura dhe shumë nga komuniteti rom. Përsa i përket të përndjekurve qeveria premtoi 80 milionë dollarë por ka përcaktuar vetëm 18 milionë dolarë, me këtë ritëm, kësaj qeverie i duhen 20 vite për dëmshpërblimin e tyre dhe jo brenda një mandati siç premtoi. 

 

Myqerem Tafaj: Kjo skemë, rrënon arsimtarët

Çështja e moshës së pensione ka rëndësinë e vetë për çdo shtresë por duhet të theksoj se rritja e moshës së pensionit është shkatërrimtare për sistemin arsimor shqiptar. Profesionin e mësuesit ne e kemi bërë profesion të rregulluar, dhe vetëm pas rritjes së pagave është rritur ndjeshëm kërkesa e të rinjve për të studiuar profesionin e mësuesisë. Rritja e moshës së pensionit të mësuesve do të thotë një goditje e shpresës së mijëra vajzave dhe djemve që po studiojnë me pasion për tu bërë mësues. Dhe kjo nuk mund të ndodhë. Fakti që në shumë vende të tjera të zhvilluara dhe unë po marr Gjermaninë, megjithëse ka lande që e kanë moshën 65 vjeç, mësuesit dalin masivisht 3 vjet në pension, para kohe. Ne e kemi diskutuar nxjerrjen në pension para kohe bashkë me sindikatat në moshën 57 vjeç për gratë dhe 60-62 për burrat. Prandaj unë i ftoj dhe sindikatat, sepse rritja e moshës së pensionit tek mësuesit, jo më për gratë mbi 60 vjeç, por as për burrat, është me efekte të jashtëzakonshme negative për sistemin arsimor në Shqipëri për dy dekadat që vijnë. 

Lulzim Basha: Kjo skemë u heq shansin të rinjve që duan të futen në arsim

Shikoni se çfarë problematike krijohet. Nga njëra anë për një profesion në vështirësi të mëdha të njohura siç është mësimdhënia, mesuesve duhet tu krijohen kondidita, kushte më të mira për të kryer profesionin e tyre dhe një nga kushtet të shqyrtuara deri para një viti ka qënë edhe pesnioni i parakohshëm në raport me moshën aktuale të pensionit. Nga ana tjetër, i mohohet mijëra e mijëra mësuesve të rinj të tranjuar në kushte bashkëkohore, superiore duhet ta pranojmë, si nga botëkuptimi ashtu nga metodologjia, edhe nga substanca e përgatitjes së tyre me trupën e trajnuar para viteve 90, marrja dhe shansi për tu futur në sistem, për shkak të verbërisë, mungesës së vizionit, mungesës së profesionalizmit, papërgjegjshmërisë, shpirtkazmërisë, që paraqet propozimi që kanë futur sot me nxitim që kanë futur sot së bashku me 23 ligje të tjera në Kuvend dhe kanë për të thyer rekordin Gines. Do ti vejnë vulën një keqbërje të madhe në këtë sektor. E njëjta gjë po ndodh në sektorë të tjerë. Një plagë e madhe po hapet për vendin e në veçanti për të rinjtë që sapo

kanë përfunduar apo prej kohësh kanë përfunduar kualifikimin e tyre në profesione të ndryshme, dhe që për shkak të kësaj reforme që sot duan ti vënë vulën e turpit në Kuvendin e Shqiprisë, nesër do ta kenë disa fish më të vështirë të kërkojnë dhe të gjejnë me sukses një vend për tu punësuar.  

 

Gëzim Kalaja, Bashkimi i Sindikatave: Penalizohen 90% e të punësuarve 

Sipas studimit të bërë nga ne, skema nuk përputhet me deklarimet që bën ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale dhe ministri i Financave, sepse ata që marrin një pagë bazë prej 450 mijë lekësh do të penalizohen me ligjin e ri, nga 24 mijë deri në 55 mijë lekë të vjetra. Nëse unë sot marr këtë pensione prej 165 mijë lekësh më 1 janar të 2015 do të marr 120 mijë lekë. Ky është penalizim që i bëhet 90 % të punonjësve të Shqipërisë. 

 

Besim Ndregjoni, ish të përdjekurit politik: Projekti duhet ndaluar, është diskriminues

Më vjen mirë që jemi në këtë tryezë ku nuk dëgjohet zëri i politikanit por zëri i profesionistëve dhe specialistëve dhe shikoj që opozita po e kryen misionin e saj me këmbë në tokë dhe jo me demagogji siç bën pjesa e pushtet. Problemet janë madhore si ajo e pensioneve. Por duhet të bëjmë një kahasim, po të shikoni listën e pensioneve për popullsinë, ne të përndjekurit politikë, jemi në vend të fundit. Të burgosurit politikë kanë pensione minimale dhe qesharake dhe ata duhet ta përballojnë me një pension 70-80 dollarë të gjithë keqtrajtimin antinjerëzor që ata kanë përjetuar nëpër burgje.  Këtu bërtitet më shumë sepse xhelatët e djeshëm kanë pensione të majme dhe janë janë krenarë për atë që kanë bërë. Problem është se këtu ka diskriminim ndaj shtresave të popullisë dhe do ti kërkoja opozitës ti themi ndal kësaj kësaj urrejtje dhe diskriminimi. 

 

Sabrie Kapllani, Shoqata e Pensionistëve: Rama i rriti të gjitha, përvec pagave e pensioneve

Faleminderit që na ftuat në këtë tryezë pasi ne kemi mundësi të themi fjalën tonë. Tani kam ardhur të falenderoj kryeministrin që na rrit çdo gjë, na rrit çmimet moshën, si dhë të gjitha të tjerat, vetëm nuk e ka gjetur se ku ndodhet pensioni dhe rroga, që ti rrisë dhe ato. Pra këto nuk po na i gjen. I bëjmë një thirrje kryeministrit të Shqipërisë ta shqyrtojë me seriozitet gjendjen e mjerueshme tonën të pensionistëve, dhe të na mbështesë të drejtat tona. I kërkojmë qeverisë rritje page dhe jo rritje moshe. I kërkojmë qeverisë ti japë bashkive fondin për udhëtim falas dhe ta zbatojë ligjin që është për shërbimin në shtëpi falas si dhe medikamentet e sëmundjeve kronike, falas.

 

Fadil Kepi: Jo rritje të moshës së pensionit, shqiptarët janë ushqyer me tallon

Lidhur me ligjin e ri të pensioneve, unë kam këto mendime. Së pari të mos rriten moshat e daljes në pension për femra dhe meshkuj nga 60 që janë femrat sot në gradualisht shkon në 67 dhe po kështu edhe për meshkujt nga 65 në 67 vjeç. Siç e tha edhe parafolësi ka vende të zhvilluara të Europës që kanë pensionet më të mëdha dhe kanë moshat më të ulëta. Vendet fqinjë si Italia po e rrisin gradualisht moshën e pensionit deri në 2018 dhe aty femra u ndal në moshën 66 vjeç. Vetëm në këtë pellg duam ta bëjmë 67. Kur Italia e jetëgjatësinë 5 vjet më shumë se vendi ynë dhe pensionet më të larta se ne. Së dyti do të mbajmë në punë më shumë të moshuar kur duhet se rendimenti i tyre është më i ulët.  Nëse vazhdojmë me këto ritme të rritjes së moshës së pensioneve, ulet punësimi i të rinjve të shkolluar me universitete brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe do të mbajmë në punë më shumë të moshuar ku rendimenti i tyre dihet që është i ulët sepse në vitin 2015 meshkujt do të dalin në pension të datëlindjes 1950 kur buka dhe çdo gjë ka qenë me triskë. Dhe brezi i mëvonshëm është ushqyer me tallon. Së dyti bie cilësia e punës në disa profesione të zakonshme por të nderuara. Kemi mendim të përbashkët me z.Tafaj, që një mësues të japë mesim me cilësinë e duhur në moshën 67 vjeçe, por unë i thashë që janë shtuar orët e fiskulturës dhe si do të bëjë një mesuese në këtë moshë fiskulturë në zonat malore ku nuk ka palestra si mundet që një shofer ta ngasë autobuzin 67 vjeç kur shqisat pamore dhe dëgjimore bëjnë punën e tyre me kalimin e kohës. Si mundet që një pilot në këtë moshe për emergjenca që mund të ndodhin. Si mund të shkojë ai në Dukagjin apo në Konispol kur mund ti duket se është në Janinë. 

Në projektligjin e ri lejet e lindjes ulen, megjithëse janë pakësuar me një të tretën në krahasim me 1990, pra megjithëse është pakësuar, aktualisht paguhen lejet me 80 % të pagës bruto, me ligjin e ri shkon 80% të pagës neto, pra ka një ulje shumë të madhe për nënat që lindin fëmijë. Kur vdes bashkëshorti, gruaja e papunë aktualisht merr pension familjar në moshën 50 vjeçe dhe merr gjysmën e pension të burrit, ndërsa parashikohet që edhe kjo moshë të rritet me 5 vjet, pra të mos e marrë 50 vjeçe por në moshën 55 vjeçe. Aktualisht është që nëse gruaja ka fëmijë nën 8 vjeç dhe i vdes burri, sepse aktidentet marrin më shumë jetë të rinjsh dhe lënë nënat e reja me një hall të madh, si mund të rrisë ajo 3 fëmijë në një moshë 27 vjeçe, dhe aktualisht i thotë rriti si të duash dhe pensionin merre 55 vjeçe. Nënat mbi 6 fëmijë dalin sot në pension më moshën 50 vjeçe dhe u kërkohet 30 vite punë për pension të plotë dhe kështu ka qënë që nga 1993. Për çudi me një janar, edhe nënat me 6 fëmijë do të dalin në pension 55 vjeç. Pra u shtohet dhe atyre. Brezi që del tani në pension ka shumë fëmijë dhe janë lodhur shumë. Nuk duhet të tallemi kështu me thinjat. Do të rriten kontributet edhe për fermerët. Po ua shtove kontributin atyre ai nuk do të sigurohet. Është premtuar për minatorët që të dalin në moshën 55 vjeç nga ministri Mirëqënies Sociale, por në ligj nuk thuhet asnjë fjalë por sërish nuk thuhet sa vite u duhen nën tokë. Kur nuk i nxjerr as 60 vjeç minatorët, si do i nxjerrësh 55 vjeç? Është hequr edhe shpërblimi i lindjes. Po me urën çpatën? Shpërblimi është i barabartë me gjysëm e pagës minimale. Me formulën e re perosnat që marrin rroga të ulëta dhe mesatare do të marrin pensione me pak. Unë jam kategorikisht kundër pensionit social. Pension nuk është shqip. Është kthim kontributi. Ke punuar ke kontribute. Pension social është do të thotë që ti ske punuar dhe unë do të jap pension. Dëri në 70 vjeç nëse nuk ke punuar unë do të jap pension. Po si bëhet sot. Ka shumë të papunë por u japin ndihmë ekonomike. Pensioni social ka një të metë të madhe sepse 70 vjeç, hiq 15 vite,   pra në moshën 55 vjeç qoftë burrit dhë qoftë gruas nuk i interesohet më të sigurohet. Sepse thotë që unë do e marr pension dhe skam pse të sigurohem. 

 

Lulzim Basha: Ne jemi kundër kësaj reforme pensionesh, do të zhvillojmë alternativën tonë në ndihmë të qytetarëve 

Dua ta nis me një falenderim për pjesëmarrësit e ftuar në këtë konferencë. Opozita siç ka bërë me dije pas marrjes së vendimit për ndërprejen e marëdhënies me Parlamentin, për sa kohë ai është shndërruar në një strehë të krimit dhe krimi

nelëve, vazhdon me një axhendë të ngjeshur të prezantimit të çështjeve akute për qytetarët dhe shoqërinë shqiptare dhe denoncimit të problematikave, të dëgjimit të zërit të shqiptarëve për këto problematika, dhe të hedhjes së bazave, të themeleve të propozimeve dhe alternativave tona. 

Kjo është detyra jonë dhe po e bëjmë, packa se jo aty krimi ka vendosur të flasë para deputetit, por po e bëjmë këtu me qytetarët shqiptarë me përfaqësuesit e tyre të denjë dhe përfaqësuesit dhe interesit të çdo kategorie shoqërore që preket nga vendimet arbitrare dhe jo transparente të kësaj qeverie. 

I referohem fjalës së fundit të përfaqësuesit të shoqatës të së verbërve, që tha ky është ligj urgjent. Nuk ka ligj urgjent. Në fakt i gjithë mekanizmi i demokracisë është ndërtuar në mënyrë të tillë që procesi i hartimit dhe aprovimit të ligjit të jetë i ngadaltë pikërisht për të lënë kohë për konsultim për transparencë, pikërisht për të mos i lënë kohë zullumit të mishërohet në legjislacion. Dhe sa më të rëndësishme çështjet, aq më e ngadaltë është procedura, është një rregull i artë i demokracisë që ka lindur bashkë me parlamentet moderne në SHBA apo në më përpara në Britaninë e Madhe. Një parim që konsolidohet dhe është konsoliduar edhe këtu, ku Kushtetuta ndalon procedurat e përshpejtuara që parashikohen në disa raste për ligje me shumicë të cilësuar.

Sigurisht që edhe kjo dispozitë kushtetuese, ju e dini fare mirë, është shkelur me të dyja këmbët siç ishte rasti i aktit normativ për nëpunësin civil. Pse?! Sepse zullumi dhe në veçanti ai qeveritar, ka një problem të madh me transparencën, ka një problem të madh me shtrirjen në kohë. Ujku do mjegull, qeveria e zullumit kërkon ti bëjë gjërat shpejt. Pa konsultim, pa transparencë, pa dëgjuar, duke bërë shurdhin ndaj zërit të qytetarit, duke bërë të verbrin ndaj asaj që duhet të shohë, që janë problemet, gjendja, mundësitë, ti vlerësojë dhe pastaj të marrë vendime për të ardhmen. 

Eshtë një tipar dallues i dyshes Rama-Meta në këtë vit të parë, ndoshta më dalluesi, që nuk dëgjojnë sepse nuk duan të dëgjojnë. Shmangin çdo moment, çdo mundësi, çdo hapësirë, për të dëgjuar zërin tuaj, që të marrin vendime arbitrare për të përmbushur një axhendë zullumesh që vetëm me axhendën qytetare nuk ka të bëjë. Madje ska të bëjë as me axhendën e tyre të premtimeve. Dhe këtu dua ta nis me tiparin e parë, të kësaj reforme të propozuar që sot apo javën e ardhshme duan ta fusin në Parlament. Eshtë mashtrimi. Kanë mashtruar gjatë fushatës. Kanë mashtruar pasi kanë ardhur në pushtet. Kanë mashtruar të gjitha grupet shoqërore, se këta do të jetë një qeveri e zemrës së dhimbsur, se këta të gjitha ato problem që trashëguan do ti zgjidhin, e do ti zgjidhin në bashkëpunim me grupet shoqërore. Madje  se do të tregonin edhe reflektim, edhe një sens më të madh përgjegjësie në raport me ato shtresa të cilët para dy vitesh Edi Rama i stigmatizonte si jo të tijtë, si janë të përndjekurit apo pronarët. U mbush e u mbush thesi me premtime dhe ja hapet sot, janë mashtrime. E patë se ç’shkruante ministri përgjegjës para dy vitesh. Shpifte se qeverisja jonë e atëhershme po planifikonte rritjen e moshës së pensionit, por faktet flasin ndryshe. Ne nuk e rritëm moshën e pensionit. Pikërisht sepse duke parë dy parametrat kryesore në krahasim me gjendjen në Europë, menduam se për qytetarët shqiptarë e në veçanti për të moshuarit shoqëria kishte një detyrim që të vazhdonte të mbante në fuqi moshën e pensionit të rënë dakort në një pakt të madh shoqëror jo më shumë se 12 vjet përpara. Një pakt shoqëror i cili shtrihej edhe për dekadat në vazhdim dhe këto dy parametra janë jetëgjatësia e shqiptarit dhe çfarë ka hequr shqiptari 50 vitet e kaluara në raport me italianin apo gjermanin apo anglezin apo francezin apo dhe grekun. 

Po erdhën këta, këta që akuzuan se mosha e pensionit do rritej nga qeveria jonë, dhe gjëja e parë që propozojnë është rritja e moshës së pensionit. E propozoi në fshehtësi, pa transparencë, pa konsultim, por kjo është një shoqëri e hapur dhe ju keni folur e ne kemi folur. Ne i kemi prirë kësaj beteje të opinionit publik dhe opinioni është ndërgjegjësuar. Qytetarët kanë folur e po flasin. Po me kë po flasin do thoni ju? Po flasin me murin e pashpirtësisë, me murin e indiferencës, me murin e shurdhërisë qeveritare e cila deri më sot ka refuzuar të ulet e të konsultohet, siç dëgjuam nga përfaqësuesit e sindikatave, nga përfaqësuesit e shoqatave të ndryshme dhe avancon pra me këtë platformë shpirtkazëm të rritjes së moshës së pensionit për të gjithë pensionistët shqiptar sot dhe nesër. Edhe për ata që e kanë nisur punën në moshën më të re, në kushtet më të vështira, edhe për ata që për shkak të kushteve të punës, për shkak të kushteve të jetës në Shqipëri, në Shqipërinë e triskave dhe tollonave, jeta ndoshta nuk iu rezervon gjatësinë e duhur, për të shijuar pensionin dhe këtu është mashtrimi, sepse duke i rritur moshën veçanërisht këtyre kategorive, faktikisht ua ke hequr pensionin. Pra, punën do ta vazhdojnë, kontributet do ti paguajnë, në shumë raste më të rritura se sa janë sot, por pension nuk do të gëzojnë. Pensioni social është mashtrimi tjetër. Mashtrimi tjetër gjigand i cili është konstruktuar në mënyrë të tillë që gjysma e shqiptarve mos ta përfitojnë. Që të përfitojnë pensionin gjysma e shqiptarëve që jetojnë në fshat duhet të paguajnë 2.6 deri në 3.4 herë më shumë. 2.6 në fshat dhe 3.4 herë në qytet, përndryshe nuk kanë pension. 

Nuk kanë asnjë lloj pensioni sepse edhe pensionin prej 65.000 lekë të vjetra nuk do ta marrin dot nëqoftëse kanë në pronësi një bahçe, apo një viç apo dy dhenë. Gjysma e shqiptarve do të privohen tërësisht nga marrja e pensionit, e çdo lloj pensioni nga kjo skemë. Nuk është e shkruajtur kështu, por ky është konkluzioni i normave të shkruajtura të zezë në të bardhë në këtë propozim diabolik dhe çnjerëzor në raport me një në dy shqiptar sot. Mashtrimi i ndjek edhe në kategoritë e tjera. Faktet flasin vet, për mungesën totale të përgjegjshmërisë në raport me personat me aftësi të kufizuara, për mungesën totale të kujdesit për shtresat në nevojë, në veçanti për gratë, për nënat kryefamiljare, le më për romët, egjiptianët dhe të tjera shtresa në nevojë. 

Propozimi i tyre i përkthyer në kategori të ndryshme shoqërore tregon se sa thellë shkon mashtrimi. Çfarë premtuan për nënat e çfarë po bëjnë? E tha z.Kepi, një përkeqësim drastik të situatës së sotme. Po si është situata e sotme? Nuk është situata më e lumtur natyrisht. Ka shumë vend për përmirësim. A po e përmirësojnë? Jo. A po e mbajnë kështu siç është? Jo. Po e bëjnë keq e më keq. E njëjta gjë për të moshuarit. E njëjta gjë për kategoritë e veçanta. U përmendën minatorët të cilët përfaqësojnë, për nga kushtet e punës, një nga kategoritë më të rënduara. E ku janë në raport me premtimin e tyre? Nuk shihet asgjëkundi. Nga ana tjetër, kanë një vit që nuk zbatojnë as ligjin aktual. Mashtrimi dhe pashpirtësia janë tiparet dalluese të kësaj reforme të propozuar. Mashtrimi dhe pashpirtësia në fakt janë ana e një medalje, papërgjegjshmërisë. Papërgjeshmërisë sepse nuk ndihen llogaridhënës. Nuk ndihen llogaridhënës, nuk ndihen përgjegjës përpara qytetarëve shqiptarë. Zoti e di se para kujt ndihen përgjegjës, por para qytetarëve Jo. Prandaj nuk i konsultojnë, prandaj dhe nuk i pyesin dhe kur

qytetarët flasin nuk i dëgjojnë. Kjo është për ne një situatë e papranueshme. Partia Demokratike dhe Opozita shqiptare nuk mund ta pranojnë këtë situatë dhe nuk do ta pranojnë. Pak rëndësi ka nëse shumica vendos të ecë si somnabul drejt kësaj katastrofe shoqërore, nëse asnjë deputet i shumicës nuk ka guximin të çohet dhe të shohë të vërtetën në sy e të përfaqësojë zërin e qytetarëve që e kanë zgjedhur. Sot iu bëj me dije, të nderuar përfaqësues të shoqatave dhe gjithë opinionit publik se Partia Demokratike dhe Opozita nuk do ta pranojnë këtë Reformë. Se hapi ynë i parë do të jetë ndërtimi i një alternative tjetër e cila zhvillohet mbi themelin ekzistues e do të synojë përmirësimin e mëtejshëm të situatës dhe jo përkeqësimin e saj. Ne nuk mund të pranojmë rritjen afrofe të moshës së pensionit dhe nuk do ta pranojmë. Ne nuk mund të pranojmë dhe nuk do të pranojmë mosrritjen e pensioneve në një shoqëri e cila vjen nga 50 vjet padrejtësi themelore deri në kequshqyerje. 

Ne nuk mund të pranojmë dhenuk do të pranojmë, në emër të pseudopërgjegjësisë të buxhetit të shtetit shkatërrimin e gjësë më të çmuar që ka një shoqëri, që janë njerëzit. Kjo skemë nuk sjell dobi  as për buxhetin e shtetit dhe as për politikat fiskale, përkundrazi do ti rrënojë dhe më tej sepse kontributet do të bien. Kontributet do të bien. Më shumë shqiptarë do të zgjedhin të mos paguajnë kontribute. Jo vetëm kaq, por kjo skemë është skemë e rrënimit ekonomik. Eshtë skemë e përjashtimit të dhjetra mijëra të rinjve nga tregu i punës duke u thënë prisni se babai juaj 65 vjeç duhet të punojë edhe dy vjet të tjera, se nëna juaj duhet të punojë edhe 5 vjet të tjera. Prisni ju, për ju nuk do të ketë vende pune. Nuk ka dhe nuk mund të gjendet ndonjë propozim kaq negativ në çdo aspekt të tij, se sa kjo Reformë Rama-Meta për pensionet. Ndaj duke marrë parasysh të gjitha sugjerimet tuaja, që përbëjnë një bazë të mirë dhe një pikënisje të rëndësishme për të ardhmen, duke marrë parasysh përvojën pozitive të deritanishme, por edhe gabimet dhe të metat e skemës së deritanishme, Opozita do të nisë menjëherë punën për ndërtimin e një platforme të re. Të një platforme të re për pensionet dhe çështjet sociale. Të një platforme realiste, me këmbë në tokë, por një platforme që në themel do të ketë kujdesin për njeriun, dhëmbshurinë njerëzore, solidaritetin të bazuar natyrisht mbi mundësitë reale të gjendjes aktuale dhe të rritjes ekonomike të projektuar të Shqipërisë. Duke kërkuar pikërisht mekanizmat, rrugët, platformat e një zhvillimimi më të fuqishëm ekonomik e mundësive që çdo shqiptar e në veçanti brezi i ri të japë, të prodhojë, të krijojë. Dhe pikërisht përmes një rritje të prodhimit dhe të ekonomisë, të një solidariteti më domethënës, në rradhë të parë më brezin paraardhës e pastaj me gjithë shtresat në nevojë. Sigurisht pa lënë pasdore dhe detyrimet tona kombëtare, njerëzore dhe esencialisht kushtetuese dhe ligjore ndaj të përndjekurve dhe pronarëve. Duke mbyllur fjalën time, dua t’iu siguroj se konsultimi i sotëm që ia nxori petët lakrorit pa lakra të Edi Ramës dhe Ilir Metës, të kësaj kafshate që nuk kapërdihet, që i vë këmbën në fyt shtresave në nevojë e në veçanti pensionistëve, pa hapur asnjë prespektivë pozitive për të rinjtë, përkundrazi duke i mbyllur prespektivat për ta, dhe pa siguruar asgjë në raport me deklarimin e tyre politik se kjo do të sjellë konsolidim të politikave buxhetore, përkundrazi duke i përkeqësuar ato, iu garantoj se ky është një hap i parë por jo i vetmi, se ne do të vazhdojmë të kemi në fokus çështjen e pensioneve dhe të pensionistëve, do të vazhdojmë të kemi në fokus çështjen e personave me aftësi të kufituar, të invalidëve, të personave dhe shtresave në nevojë, barazinë gjinore, nënave kryefamiljare, të personave që i përkasin kategorive të tjera të goditura rëndë nga shurdhëria dhe indiferenca qeveritare. 

Natyrisht edhe të atyre që janë goditur këtë vit nga paligjshmëria, që janë shoqata e të larguarve nga puna dhe të dy shtresave shumë domethënëse për këtë shoqëri dhe për identitetin politik të kësaj Partie Demokratike dhe të kësaj Opozite, që janë të përndjekurit politik dhe pronarët. Ne do të insistojmë, me të gjitha format dhe mënyrat ligjore, që zbatimi i ligjit dhe kushtetueshmëria të ndjekin hap pas hapi dhe mundësisht ti paraprijnë arbitraritetit dhe pashpirtësisë së kësaj qeverie. Do të përdorim për këtë çdo hapësirë, por ndërkohë që hapësirat institucionale e ligjore sa vijnë e ngushtohen, do na duhet të mbështetemi gjithmonë e më shumë tek ndërgjegjësimi i qytetarëve. Ndërgjegjësimi i qytetarëve për ti dalë para së keqes e cila nuk është më foshnjë, është rritur e po rritet dita ditës, të cilën duhet ta ndalim, jo për hir të një axhende politike, as për hir të një axhende Opozitare, por për hir të një axhende kombëtare dhe shoqërore që është Shqipëria në zhvillim, Shqipëria solidare, Shqipëria Europiane.