Deklaratë e deputetit të PD, Ardian Turku

 

 

Prej 15 ditësh, opinioni publik pret një reagim nga Edi Rama, pasi është vërtetuar botërisht lidhja e tij me elementët kriminalë të cilët i ka sjellë në aulën e Parlamentit, në radhët e institucionit më të rëndësishëm në vend.

Kur provohet publikisht, me dokumenta dhe me dosjen e plotë penale, dënimi i deputetit Ndoka për Trafik Prostitucioni dhe Rrëmbim Personi, kryeministri i një vendi anëtar në Nato dhe që ka marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian, minimalisht duhet të reagojë më një fjali.

Aq më tepër, kur Edi Rama ishte vetë që provokoi opozitën duke thënë, a keni emër, a keni prova.

E vërtetë,  Shqipëria është në NATO e ka fituar statusin e vendit kandidat, por Edi Rama i përket një bote tjetër.

I përket botës së errët të aleancës me krimin, të përpjekjes për të krijuar një shoqëri të mbyllur, që dhunon opozitën, që kërkon të përgjojë cdo shqiptar në jetën e tij private, për të shantazhuar pastaj këdo që nuk mendon si ai.

Prandaj Edi Rama hesht. Hesht duke dashur të tregojë se ai e ka futur vetë me firmën e vullnetin e tij në kuvend, një të dënuar me krime të rënda. Ai dëboi nga lista dy kandidate gra për ti hapur rrugën të dënuarit drejt parlamentit. Ai e urdhëron atë të sulmojë e të kërcënojë me jetë opozitën, sa herë që Edi Rama sikletoset nga denoncimet e Partisë Demokratike.

Por Partia Demokratike do të vazhdojë çdo ditë të denoncojë lidhjet kriminale të Edi Ramës.

Do të denoncojmë e do të bëjmë transparencë para qytetarëve.

Ne nuk lejojmë që ky vend të bëhet vilajet privat i Edi Ramës dhe bandave të tij.