Partia Demokratike organizoi sot një konferencë për rendin e sigurinë në vend, me pjesmarrjen e specialistëve, njohësve të fushës, aktorëve të shoqërisë civile dhe organizatave partnerëve.
Në këtë tryezë u konstatua se treguesit e rendit dhe sigurisë publike në Shqipëri në këto 300 ditë, janë përkeqësuar ndjeshëm.
Eksperti i këtyre cështjeve, Veli Haklaj, në hulumtimin e tij konstatoi se krimet ndaj jetës, ndaj pronës, dhe aksidentet në rrugë janë rritur në mënyrë dramatike. Si dhe të dhënat tregojnë se zbulueshmëria e këtyre veprave ka rënë.
“Sipas të dhënave zyrtare, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, vrasjet dhe viktimat janë rritur, vjedhjet me dhunë janë 7 fishuar, vjedhjet e banesave kanë qënë 41 përqind më shumë, krimet ndaj pronës janë dyfishuar, dhe zbulueshmëria e policisë ka rënë me 14.5%”, u shpreh eksperti Veli Haklaj.
Duke analizuar trafikun e drogës, juristi Ivi Kaso tha se në këto 300 ditë, janë riaktivizuar kanalet e trafikimit dhe grupet kriminale, cka ka sjellë rritje të drogës shqiptare që mbërrin në Europë në masën mbi 300 përqind.
Sasia e drogës që ka kaluar përmes kufinjve tanë në vendet fqinje, është 4 deri në 5 herë më e madhe krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kaso, tha se është e dënueshme sjellja e qeverisë e cila nuk tregoi transparencë para denoncimeve dhe shqetësimeve të opozitës dhe opinionit publik, në lidhje me rritjen e trafikut të drogës dhe futjes edhe të mjeteve si avionë në këtë fenomen.
Në analizën e shkaqeve dhe pasoja që ka sjellë paligjshmëria në Policinë e Shtetit, deputeti i Partisë Demokratike, Arben Ristani, vlerësoi se ka pasur shkarkime të padrejta dhe të pamotivuara ligjërisht, si dhe emërime të paligjshme, me kritere politike, duke sjellë rënie të profesionalizmit dhe rënie të rendit.
Ristani u shpreh se karakteristika e aktivitetit të Policisë së Shtetit këto 300 ditë ka qënë; paligjshmëria, shndërrimi i Policisë së Shtetit në polici të partisë, kriminalizimi i Policisë, klientelizmi, mungesa e profesionalizmit, mungesë përvoje dhe humbje e lidhjeve me terrenin, shpërqëndrimi i fokusit të punës.
Deputeti Ristani tha se deri në janar, janë shkarkuar 403 punonjës policie të kualifikuar, nga drejtuesit më të lartë deri tek stafi civil, janë shkurtuar 80 funksione në strukturën e posqame të policisë, janë hequr 51 shefa komisariatesh, dhe janë emëruar 12 drejtues të policisë në qarqe dhe 21 shefa komisariati që nuk përmbushin gradën që kërkon ligji.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vlerësoi se qeveria ka dështuar në detyrimin e saj primar ndaj qytetarëve që është garantimi i rendit dhe i sigurisë publike në vend.
“Eshtë një dështim i bujshëm në raport me premtimin, me saktë me tullumbacen e madhe të Ramës dhe ministrit të tij të Brëndshëm për të “kthyer policinë në detyrë” dhe për të “vendosur rendin brenda treqind ditëve”. Shifrat që u paraqiten këtu, që janë marrë nga raportet dhe buletinet zyrtare të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, janë totalisht e kundërta e asaj që kanë premtuar. Këto shifra justifikohen vetëm po të kishin premtuar largimin e policisë nga detyra dhe prishjen e rendit brënda treqind ditëve. Në fakt këtë kanë bërë”, tha Basha.
Më tej Kryetari i Partisë Demokratike shtoi se: “Ne i ballafaqojme me shifrat e një viti më parë jo se viti 2013, si viti i fundit i qeverisjes sonë tetëvjeçare, është etaloni i suksesit tonë. Ne jemi Partia e ndryshimeve historike në këtë vend, por nuk kemi etalone të kësaj natyre. Etaloni ynë janë standartet europiane që synojmë të arrijmë. I përmendim shifrat dhe i bëjmë krahasimet për t’i përballur me marrëzinë dhe genjeshtrat e tyre, për t’u treguar Ramës me shokë se sa absurdë dhe amatorë janë në qasjet e tyre për punët e rendit, për t’u provuar se edhe në vitin e nusërimit të tyre jo nuk janë më mirë, por janë me keq se në vitin e fundit të qeverisjes sonë të shkuar, që ka qenë një vit elektoral, që zakonisht nuk është si çdo vit tjetër”.
Z.Basha tha se opozita do të bëjë gjithcka për të kontribuar në përmirësimin e situatës së rendit dhe sigurisë publike në vend.
“Përballë kësaj situate të përkeqesuar e në përkeqësim të pandalshëm, detyra jonë është të jemi në lartësinë e një opozitë të vendosur dhe profesionale, të jemi në mbështetje të Policisë së shtetit si institucion, të policëve dhe oficerëve të përkushtuar që punojnë e sakrifikojne për rendin dhe sigurinë në vend, të tregojmë të vërtetën, të bëjmë trasparencën që nuk bën qeveria, të kontrollojmë qeverisjen, të denoncojmë pa kompromis politikat e saj të gabuara, qëndrimet e saj të gabuara”, u shpreh Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike tha se premisat nuk janë aspak të mira, dhe përkeqësimi i rendit dhe sigurisë publike do të thellohet sa kohë që rendi vazhdon të jetë sektori ku krimi nuk luftohet, por punësohet, ku interesat kriminale të përfitimit të paligjshëm e kriminal janë forca lëvizëse aty ,dhe jo ligji, jo interesi publik.
Basha theksoi se kriminalizimi i administratës dhe përfshirja e elementëve me të shkuar kriminale deri në sallën e kuvendit, është një provë që rendi dhe siguria publike nuk mund të ofrohen nga kjo qeveri.
Fjala e plotë e Kryetarit të PD, Luzim Basha:
Të nderuar pjesmarrës, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.
Të nderuar ambasadorë, përfaqësues të trupit diplomatik.
Të nderuar përfaqësues të shoqatës të punonjësve të policisë në lirim.
Tablloja që u përfaqësua nga këto 3 prezantime është shumë e zymtë, është tronditëse, është është shumë shqetësuese.
Në fakt kjo është gjendja e rendit dhe sigurisë në Shqipëri bazuar jo në supozime dhe as në falsifikime, as në avazin e opozitës së vjetër për të prodhuar virtualitete për axhendë politike, por në bazë të të dhënave dhe statistikave zyrtare të kësaj Ministrie të Brendshme dhe kësaj qeverie.
Kjo që pamë e dëgjuam këtu është e verteta.
Perkeqësim, shembje të rendit dhe sigurisë, rënie e të gjithë treguesve të zbulueshmërisë dhe efektivitetit të Policisë së Shtetit.
Nuk na pëlqen dhe s’ka se si të na pelqejë. Por shifrat dhe faktet janë kokëforta. Situata nuk i lë hapësirë as për interpretime, as për propagandë, asnjë qytetari që do të shohë të vërtetën në sy . Argumentet janë të palëvizshëm si gurët e rëndë dhe nuk lenë ha
pësirë për lojëra fjalësh apo bojrash.
Dua ta them që në fillim se jemi mbledhur këtu sepse kjo situatë na dhëmb dhe s’ka si të jetë ndryshe.
Prapa shifrave dhe fakteve tronditëse për vrasjet, aksidentet, vjedhjet me dhunë, kërcënimet,gjobëvëniet janë në fakt tragjedi dhe drama e mëdha qytetare, individuale, familjare, shoqërore që kanë të bëjnë me humbjen e jetës, të afërmve, bashkëqytetarëve tanë. Kanë të bëjnë me plagosje, kanë të bëjnë me frikën, intimidimin, për veten e tyre dhe fëmijëve të tyre, për pronën, për qetësinë, për normalitetin, e lë më pastaj për aspiratën e ligjshme të çdo shqiptari për të jetuar në mënyrë të gëzueshme të sotmen dhe të nesërmen. Të mos harrojmë që nuk bëhet fjalë për një probabilitet, as për një luks por për një detyrim që çdo qeveri ka ndaj qytetarëve, ndaj taksapaguesve të këtij vendi dhe nuk po e marrin këtë shërbim jetik për të cilin paguajnë paguajë taksat dhe mandatojnë qeverisjen.
E kundërta po ndodh. Qytetarët janë të rrezikuar, janë të kërcënuar nga hovi që ka marrë krimi dhe kriminaliteti në vend, madje mund të them nga statusi i privilegjuar që ka fituar krimi dhe individët me rekorde kriminale në qeverisjen e sotme të Edi Ramës dhe Ilir Metës, aq sa nuk është e tepërt të themi se për rendin sot, vlen shprehja popullore, ia kanë varur ujkut mëlçitë në qafë.
Kjo gjendje na indinjon. Na therrët për një aksion qytetar e politik duke nisur nga A-ja që është të themi të vërtetën ashtu siç është me vendosmëri, me paanshmëri, me fakte konkrete dhe argumentim konkret siç po bëjmë edhe sot. Kjo rrugë na çon drejt nxjerrjes në pah me vërtetësi të plotë të shkaqeve se pse ndodhemi sot këtu, të shkaqeve të perkeqësimit të gjithë treguesve të rendit dhe sigurisë, por po kështu pas evidentimit të shkaqeve, pas nxjerrjes në pah të paaftësisë nga njëra anë, dhe paligjshmërisë nga ana tjetër si arsyeja themelore të gjendjes ku ndodhemi, thërret për një reflektim të fortë për atë që na pret.
Duhet t’ë falenderoj folësit në emrin tim dhe besoj në emrin tuaj, pavarësisht shifrat dhe argumentet që dhanë janë dëshpëruese por janë të vërteta.
E verteta dhemb por nuk ka rrugë tjetër, nuk ka premisë tjetër për të kontribuar e për të gjënë gjithçka tjetër si qytetarë, si opozitë, si njerës me përgjegjësi politike, për përmirësimin e gjendjes përveç të parës të së vertëtës në sy, ashtu siç është dhe pa e zbukuruar.
Gjëja më e thjeshtë që na shkon në mendje e duhet ta themi, kemi detyrimin ta themi dhe po e themi para qytetarëve shqiptarë dhe para publikut shqiptar është dështimi i qartë, dështimi pa asnjë ekuivok i qeverisë “Rama-Meta” në fushën e rendit dhe sigurisë publike.
E tregojnë shifrat, e tregojnë faktet, e tregojnë sondazhet të opinionit publik sado spontane, e tregon gjendja e alarmante për jetën, pronën, panikut, frikës, që ka mbërthyer vendin, qytetarët,. Ka të bëjë me dinjitetin e tyre, me jetën e tyre, me pronën, me të ardhmen e tyre.
Dështimi është një dështim i trefishtë.
Së pari është një dështim në raport me premtimin e bujshëm, ose të themi më mirë me tollumbacen e madhe të Edi Ramës dhe ministrit të tij të Brëndshëm për të “kthyer policinë në detyrë” dhe për të “vendosur rendin brënda treqind ditëve”. Shifrat dhe faktet që u paraqiten këtu janë marrë nga raportet dhe buletinet zyrtare të Ministrisë së Brendshmë dhe Policisë së Shtetit dhe janë totalisht e kundërta e asaj që kanë premtuar Edi rama dhe Sajmir Tahiri. Këto shifra justifikohen vetëm po të kishin premtuar largimin e policisë nga detyra dhe prishjen e rendit brenda treqind ditëve. Në fakt këtë kanë bërë.
Dështim i dytë është në raport me pritshmëritë e publikut. Qytetarët shqiptarë nuk vuajnë nga sindroma e vitit zero të Ramës. Qytetarët normale e kanë pritur me skepticizëm premtimin e tyre se do të vendosin diçka që e gjetën të vendosur.
Por qytetarët kanë pritur patjetër dhe është normale që kanë pritur që qeveria e re të sjellë permirësim në fushën e rendit dhe sigurisë publike, fjala vjen nga 38 vjedhje me armë dhe me dhunëqë gjetën këtu nga qeveria e mëparshme në periudhën këta ta çojnë shifrën në 30, apo në 25, apo nga 52 përqind që ishte zbulueshëmria për vrasjet në janar-Qershor 2013, këta ta çonin në 60 për qind Janar-Qershor 2014. Nuk po them se i kanë caktuar me përgjindje por ka fakte dhe pritshmëri normale, për ecuri pozitive. Në fund të fundit kjo është arsyeja që qeveritë ndërrohen me votë nga qytetarët.
Ka ndodhur e kundërta me qeverinë Rama-Meta. Për të qëndruar te shembuj e mësipërm ilustrues, vjedhjet me armë e dhumë nga 38 janë berë 279, jo 1 por 7 fish më të larta vjedhje me armë e dhunë se sa periudha pararendëse e vitit të kaluar. Zbulueshmëria e vrasjeve nga 52, 5 përqind ka rënë në 38 për qind. Pra, jo përmirësim nuk kanë sjellë, po as në vendnumëro, por kemi përkeqësim të rreguesve kryesorë dhe në fakt në të gjithë treguesit e rendit, sigurisë dhe kriminalitetit në vend.
Dështim i tretë ka të bëjë me raportin me treguesit e rendit dhe sigurisë publike me qeverisjen e mëparshme. Dua të them se pavarësisht se koha ecën, koha punon dhe mundësia e qeverisë së re për të shkuar përpara në kushtet e rrotaconit është e hapur, e provuar, kjo nuk ka ndodhur dhe nuk ka gjasa të ndodhë në rastin e këtij rrotaciaoni politik.
Treguesit themelor të rendit publik dhe të kriminalitetit të kësaj qeverie në krahasim me qeverinë e mëparshme vërtetojnë se votat që kanë marrë nuk kanë shkuar për përparimin por për kthimin prapa, për përkeqësimin e rendit dhe të sigurisë, meqë po flasim sot për këtë temë, kushtëzohemi këtu. Sigurisht, ne, Opozita, Partia Demokratike, i ballafaqojmë me shifrat e një viti më parë, në 2013. Jo se ky vit ka qenë etalon i suksesit, duke qenë edhe viti i fundit i qeverisjes tonë 8 vjeçare. Etaloni jonë, e përsëris, janë standartet Europiane. Por i përmendim këto shifra dhe i bëjmë krahasimet për ti përballur publikisht, në mënyrë të pakundërshtueshme, me marrëzinë dhe gënjeshtrat e tyre.
Për t’i treguar Ramës dhe shokëve të tij se sa absurd dhe amatorë janë në përqasjen e tyre në punët e rendit, për t’ju provuar se edhe në këtë vit, që është viti i nusërimit të tyre politik, nuk janë më mirë, por janë më keq se në vitin e fundit të qeverisë paraardhëse që ka qenë një vit elektoral dhe jo si çdo vit tjetër. Cfarë ka ndodhur? E kemi paralajmëruar situatën që në fillim, që kur u mprehën hanxharët kundër policisë së shtetit, madje edhe kundër ligjit së policisë së shtetit të hartuar me asistencën dhe bashkëpunimin e misionit të Bashkimit Europian PAMECA, sepse në fillim iu ra ligjit dhe pastaj iu ra policisë. Kur bie ligji, bien të gjitha. Ka qenë dhe është iluzion se ndokush mund të përmirësojë gjërat, në Shqipëri apo kudo tjetër, me arbitraritet dhe jashtë ligjit.
Arbitrariteti e bën keq kur e gjen mirë, e bën edhe më keq kur e gjen keq. Në rastin e këtij viti, ka paraprirë sindroma e vitit zero, ka paraprirë qëllimisht nxirja
e situatës paraprake me qëllim që të justifikoheshin veprimet arbitrare. Në këtë rast dëmet e arbitraritetit dhe sindromës së vitit zero janë të shumëfishta. Problemi I madh që del në pah është sip o reagon qeveria tani që gjendet nën rrethimin kokëfortë të shifrave të dështimit. A ka reflektim serioz? A ka analizë për të kuptuar se çfarë po çalon, ku po çalon puna, cilat janë gabimet që duhen ndrequr? Çfarë korrigjimesh duhen bërë? Çfarë masah të reja duhen marrë për të ndaluar trendin dramatic të përkeqësimit që po e çon gjendjen e sigurisë dhe të rendit keq e mos më keq. A ka diçka të tillë? Jo, nuk ka.
Tre ditë më parë, Shqiptarët panë bashkë me opozitën se nuk ka asnjë sens reflektimi, vetëm eufori, vetëm propagandë, me idenë e vjetër, sterile dhe të dëmshme të Edi Ramës, se suksesi mund të prodhohet në ekranet televizive, se realiteti dhe e vërteta mund të fshihen prapa apo poshtë paradave propagandisitike. Refuzim i reflektimit është baraz me dorëheqjen nga të kuptuarit të gjërave. Kemi detyrën tonë të lajmërojmë, pik së pari, qeverinë, dyshen Rama-Meta, por edhe qytetarët Shqiptar, edhe partnerët tanë ndërkombëtar, të japin alarm, se përkeqësimi në fushën e rendit dhe sigurisë publike jo vetëm nuk ka gjasa të ndalojë, por do të thellohet e shumëfishohet. Do të thellohet për sa kohë amatorizmi është ulur këmbë kryq në majë të piramidës së qeverisë. Qasja amatoreske manifestohet orë e çast në çdo deklaratë dhe qendrim të Edi Ramës për punët e rendit. Është i vetmi krymenistër në botë që i konsideron vrasjet e vjeshtës së kaluar si larje hesapesh, ngaqë donte të vendoste rendin brenda 300 ditëshit të tij.
Po tani që vrasjet janë shtuar, çfarë do thotë? Do të thellohet përkeqësimi sa kohë politizimi është ulur këmbë kryq në majë dhe në bazë të piramidës së policisë së shtetit. Janë hequr profesionistët e trajnuar me mundin dhe paratë e taksapaguesve shqiptar dhe evropian e amerikan. Janë vendosur numëruesit, komisionerët partiak, klientela politike dhe korruptive, duke shartuar policinë e shteit si strukturë me policinë politike të partisë dhe nuk ka asnjë reflektim, asnjë korrigjim në këtë rrafsh. Do të thellohet sa kohë që ligji i policisë së shtetit është shkelur me këmbë nga Kryeminsitri dhe Ministri i Brendshëm sa kohë Ministri i Brendshëm bën kryepolicin dhe kryepolici bën politikanin. Dhe nuk ka asnjë reflektim, asnjë korrigjim as në këtë rrafsh. Do të thellohet për sa kohë që të gjitha sektorët ku kjo qeveri ka dështuar nuk janë në gjendje të gjenerojnë apo ti nënshtrohen analizës profesionale, por në të kundërt faji kërkohet jashtë, kërkohet tek shërbimi informative njëherë, herën tjetër në prokurori, madje edhe tek Opozita. Kërkohet edhe tek Opozita. Si një shprehje e njohur, “kur gishti tregon Hënën, budallai tregon gishtin”. Do të thellohet sa kohë që rendi vazhdon të jetë sektori ku krimi nuk luftohet por punësohet. Interesat kriminale të përfitimit të paligjshëm dhe kriminal janë forca lëvizëse aty dhe jo ligji.
Shembujt këtu janë të shumtë dhe dramatik. Rikthimi në detyrë, në detyra të larta drejtuese të oficerëve të policisë së shtetit të larguar në vitin 2004 dhe 2005 nga qeverisja Socialiste pas evidentimit të tyre nga raportet zyrtare të Bashkimit Evropian si njerëz të dyshuar, që jo vetëm nuk bënin detyrën që iu ishte ngarkuar por favorizonin krimin e organizuar përmes veprimeve dhe mosveprimeve të tyre.
Kjo kambanë alarmi që ra që në shtator dhe në tetor është sot një nga arsyet e degradimit sepse peshku qelbet nga koka. Kjo është situata zonja dhe zotërinj, me përjashtim të një statistike, që për hir të të qenurit të vërtetë nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me performacnën e popullësisë dhe nuk është dhe nuk mund të jetë tregues i punës së dobët të policisë dhe kjo është statistika dramatike e rritjes së numrit të vrasjeve dhe tentativave për vetvrasje.
Kjo statistikë nuk ka të bëjë me rendin dhe sigurinë. Kjo statistikë ka të bëjë me gjendjen e përgjithshme ekonomike, shoqërore dhe psikologjike. Me përgjegjësinë e gjithanëshme dhe të drejtpërdrejtë të Edi Ramës dhe Ilir Metës dhe stilit të tyre të qeverisjes që kanë shkaktuar, brenda një kohe fare të shkurtër, jo vetëm një rënie dhe përkeqësim të tregue4sëve ekonomik, shanseve për punësim, fuqia blerëse, por ç’është më e keqja ka zymtuar horizontin e shpresës për çdo Shqiptar, por kjo është një temë tjetër të cilën do ta trajtojmë në ditët e ardhshme.
Në çdo fushë tjetër, absolutisht në çdo fushë tjetër, prekim, ndjejmë, shohim, me faktet dhe shifrat e tyre, dështimin total të premtimit të bujshëm për rivendosjen e rendit në 300 ditë. Shohim një Shqipëri që ka shkarë në këto 300 ditë të qeverisjes Rama-Meta, drejt pasigurisë, drejt ritjes së kriminalitetit, drejt strukturimit të profileve të reja të krimit të organizuar. Drejt bashkëpunimit deri në nivele interkontinentale të kartelave të drogës dhe këtu se kam fjalën vetëm për kanabisin e rritur në Shqipëri por dhe për heroinën Aziatike dhe kokainën Amerikano-Latine.
Shohim, nga ana tjetër, se si moszbatimi i ligjit nga njëra anë dhe përqasja amatoreske, jo profesionale në drejtim të policisë së shtetit e deri në qelizat e saj bazë. Pamë si 51 shefa komisariatësh ishin zëvendësuar të 51, gjysma me njerëz pa kualifikimet përkatëse, pra dy gradë më poshtë se çparashikon ligji dhe gjysma tjetër me njerëz të ripranuar.
Po të marrim analizën se kush janë këta të ripranuar na bie që ata që s’kanë gradën ti marrin e ti puthin në ballë e ti mbajnë në krahë. Kjo është situata, këto janë shkaqet. Detyra jonë e parë është ti bëjmë transparente. Ti bëjmë transparente e të themi përpara qytetarëve shqiptarë, të cilët vuajnë ditë për ditë këtë përkeqësim dramatik si në formën e ballafaqimit me krimin, me vjedhjet po kështu edhe në formën tjetër që bërbën edhe shqetësimin kryesor atë të terrorit psikologjik, të frikës për të sotmen dhe për të nesërmen. Dhe këtu është vendi dhe koha tu deklarojmë bashkëqytetarëve tanë të djathtë, të majtë, të qendrës, pa bindje politike, çdo prindi, nëne, babai, se opozita shqiptare në të gjitha qëndrimet e saj ka dhe do të ketë për qëllim përmirësimin në çdo fushë të jetës dhe në veçanti në fushën e rendit dhe të sigurisë, si fushë themelore dhe se ajo që na ka mbledhur sot këtu nuk është kënaqësia për të fërkuar duart dhe për të duartrokitur rënien e turpshme, dështimin e madh të Ramës me rendin, por se çfarë do të bëjmë, çfarë duhet të bëjmë që ajo që ka shkuar keq e ka gjasa të shkojë edhe më keq, të ndalet.
Në raport me problemin e drogës ne artikuluam një qëndrim të fortë, politik së pari e pastaj gjithpërfshirës dhe qytetar dhe ishte nën këtë presion ku më së fundi qeveria Rama-Meta nisi disa prej aksioneve qoftë këto edhe të shartuara me dëshirën e papërmbajtshme për spektakël televiziv. Shoh këto të shoqëruara me mosarritjen e objektivave operacionale dhe me tiganisjen e stigmatizimin e një individi siç po duket që është taktika politike në çdo rrafsh të kësaj qeverie, siç ishte rasti i Lazaratit, ku akoma nuk kemi një statistikë të plotë se sa drogë u kap, sa u gjet, sa drogë parashikohej të gjendej, cilët janë krerët e kësaj pune, por çdo mëngjes, drekë dhe darkë, sardele që tiganiset në tigan është Gate Mahmutaj.
A thua se aty fillonte dhe aty mbaronte problemi. Çrarë do të bëjmë? Çfarë duhet të bëjmë falë një qeverie e cila përpara shkeljes së ligjit dhe amatorizmit ka ngritur një problem të jashtëzakonshëm para shqiptarëve dhe përpara faktorit ndërkombëtar. Problemin e depërtimit të krimit dhe veshjes së krimit me pushtet deri në parlamentin shqiptar që është në fund të fundit edhe arsyeja kryesore, sepse këta deputetë të nderuar të opozitës, të dashur qytetarë, janë sot këtu dhe jo në atë që duhet të jetë altari, tempulli i demokracisë, por që sot është strehë e personave me precedentë kriminal, e trafikantëve të grave, të drogës, të personave të dyshuar për vrasje dhe likuidime, të cilët si asnjëherë më parë janë veshur me pushtet parlamentari dhe që pritet të gjykojnë ligjet e reformat, për të përmirësuar rendin dhe sigurinë, madje atyre u besohet dhe do t’u besohet shumë shpejt sipas propozimeve të Edi Ramës dhe të Ilir Metës të marrin vendime edhe për gjyqtarët edhe për drejtësinë. Kush më mirë se ta?
Vëllezër dhe motra,
Të dashur bashkëqytetarë
Përballë kësaj situate të përkeqësuar dhe me përkeqësim të pandalshëm ne si opozitë kemi marrë dhe kemi detyrën e mbështetjes nga njëra anë, të policisë së shtetit si institucion, të policëve dhe oficerëve të përkushtuar që punojnë dhe sakrifikojnë për rendin dhe sigurinë në vend dhe dua ta them me gojën plotë, se këtë mbështetje e kanë dhe do ta kenë në çdo çast nga opozita dhe Partia Demokratike.
Nga ana tjetër jemi të vendosur të tregojmë të vërtetën dhe transparencën që nuk bën qeveria, të denoncojmë pa kompromis politikat e saj, qëndrimet e saj e në veçanti përgjegjësitë e saj për sa i përket situatës në vend, të sensibilizojmë së bashku për një reagim të fuqishëm kundër pasigurisë për jetën, pronën dhe të ardhmen dhe në veçanti kundër instalimit të krimit në qeverisjen e vendit.
Një mesazh të veçantë dua t’i drejtoj sot faktorit ndërkombëtar. Jo vetëm ambasadorëve të nderuar dhe përfaqësuesve të tjerë që janë të pranishëm dhe që i falenderoj për praninë e tyre, por të gjithë faktorit ndërkombëtar dhe të gjithë përfaqësuesve të tyre në Tiranë se ky nuk është momenti për të qëndruar larg dhe për ti parë punët cekët. Ne kërkojmë dhe duam bashkëpunim me ju për një investim të përbashkët që është sot nën kërcënimin më të madhe e të drejtpërdrejt për demokracinë, për vlerat, për shtetin ligjor që është sot nën kërcënimin më të drejtpërdrejt të vendosjes së regjimit oligarkik me sfond kriminal dhe mafioz të një gangokracie që synon të zëvendësojë demokracinë e qytetarëve.
Ne do të ngulmojmë pa u lodhur dhe pa u tërhequr asnjë çast dhe as një milimetër nga kërkesa jonë për të larguar të inkriminuarit nga strukturat drejtuese qeveritare, parlamentare dhe policia e shtetit. Sikundër do të dënojmë me forcë dhe para publikut çdo përpjekje, të çdokujt për të bërë pazare të fëlliqura e kompromise politike në kurriz të qytetarëve dhe në favor të krimit.
Do të kërkojmë pa u lodhur rikthimin në fuqi të ligjit për policinë e shtetit, rikthimit në detyrë të profesionistëve, largimi i të cilëve ka hapur një fushë të gjerë për veprime dhe livadhisje të krimit të organizuar dhe krimit ordiner. Do të kërkojmë që së bashku me shoqërinë civile, me faktorin ndërkombëtar dhe me gjithë qytetarët shqiptarë të përgatisim dhe të zhvillojmë alternativën tonë për rendin, sigurinë, luftën kundër krimit dhe korrupsionit në parametra dhe strandarde europiane siç është dhe mbetet një nga kriteret për integri min e vendit në Bashkimin Europian.
Por gjithçka fillon dhe do të fillojë nga transparenca dhe është pikërisht se do ta flijojmë këtë transparencë që mazhoranca dhe dyshja Rama-Meta kanë përgatitur dhe vazhdojnë të zbatojnë skema për t’i mbyllur gojën opozitës, medias dhe qytetarëve. Kjo e sotmja është një tregues i qartë se opozitës nuk ja kanë mbyllur dhe nuk kanë për t’ja mbyllur dot gojën. Sepse opozita është e vendosur të thotë të vërtetën, opozita është e vendosur që luftës me krimin t’i përgjigjet sy më sy dhe dhëmbë për dhëmbë, por jam i sigurtë që në këtë luftë që nuk është për interesat tona politike, por për interesat legjitime të çdo shqiptari kemi me vete dhe përfaqësojmë shumicën e shqiptarëve të ndershëm dhe uroj këto interesa legjitime të frymëzojnë kurajo dhe papërtueshmëri në të gjitha segmentet shoqërore të kësaj lufte duke nisur me mediat dhe duke vazhduar me të gjithë njerëzit që i thonë këtij vendi shtëpi dhe që nuk kanë ndërmend ta braktisin për asnjë çast dhe për asnjë çmim.
Ju falenderoj edhe një herë për pjesmarrjen në këtë konferencë, falenderoj në veçanti të ftuarit dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të vendeve mike dhe së bashku do të shihemi javën tjetër për temën e rradhës dhe transparencën e rradhës në raport me mashtrimet qeveritare të 300 ditëshit.