Partia Demokratike publikon dokumentet zyrtare të dënimit nga Gjykata e Romës të deputetit Arben Ndoka nën akuzën e “shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese” dhe “heqje të paligjshme të lirisë së personit”
Po bëjmë sot publike para qytetarëve shqiptarë, dokumentat zyrtare që vërtetojnë lidhjen e Edi Ramës me krimin.
Dokumentet zyrtare që vërtetojnë se përfaqësuesit e botës së krimit janë sot deputetët e Edi Ramës, që urdhërohen prej tij për të goditur fizikisht opozitën.
Kemi këtu dosjen e plotë të deputetit Arben Ndoka, i dënuar nga Gjykata e Romës me 7 vjet e 27 ditë burg nën akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana të rënduara, dhe heqje të paligjshme të lirisë ndaj personave të tjerë.
Gjykatat shqiptare, ajo e faktit në Lezhë, dhe e Apelit në Shkodër kanë bërë njohjen e vendimit të Gjykatës së Romës dhe e kanë ulur masën e dënimit në 4 vjet burgim.
Arben Ndoka, është transferuar nga Italia për ta vuajtur dënimin në Shqipëri.
Arben Ndoka më pas ka përfituar nga sistemi ynë i drejtësisë lirim para kohe me kusht, dhe në vitin 2005, është liruar.
Ky është pra personi që Edi Rama futi në listën e Lezhës në zgjedhjet e 23 qershorit.
I rikujtojmë shqiptarëve se për ti hapur rrugë futjes së Arben Ndokës në Parlament, Edi Rama spostoi dhunshëm dy deputete gra që ishin para Ndokës në listën e kandidatëve.
Ky është personi që Edi Rama urdhëron të godasë fizikisht deputetët e opozitës. Kjo është rilindja e Edi Ramës