Koordinatori Salianji denoncon fasadën e qeverisë dhe mosmarrjen e masave kundër aksidenteve dhe kriminalitetit në vend

 

Partia Demokratike denoncoi sot propagandën dhe fasadën e qeverisë në luftën ndaj kriminalitetit dhe aksidenteve rrugore. Koordinatori i Partisë Demokratike për Mbrojtje Ligjore dhe Denoncimet Ervin Salianji deklaroi se qeveria nuk po merr masa për të ulur shifrat e kriminalitetit dhe aksidenteve rrugore, por në vend të tyre po vendos fasada dhe policë kartoni anembanë vendit. Duke theksuar se shifrat e kriminalitetit janë rritur ndjeshëm në vend, Salianji u shpreh se qeveria duhet të marrë masa të mënjëhershme dhe të mos bëjë show dhe propagandë. 

A ju kemi thënë që kjo qeveri është qeveri e propagandës, show-t dhe fasadës?! Ja ku kemi një rast tjetër të policëve prej kartoni, të shpërndarë tashmë në rrugët e Shqipërisë. Teksa numri i vrasjeve është rritur, vjedhjet janë 7-fishuar, numri i zbulueshmërisë së krimeve nga policia ka rënë me 15 %, numri i aksidenteve rrugore në rrugët e Shqipërisë është rritur ndjeshëm, ky ministër i cili as dordolec nuk mundi të bëhej dot në krye të Ministrisë së Brendshme, ka vendosur këta dordolecë për të trembur shkelësit e ligjit. Kjo qeveri, në vend që të marrë masa të menjëhershme, emergjente, efiçente dhe energjike, për të parandaluar krimin dhe shkelësit e ligjit, vendos të lyejë këto fasada boshe dhe inefiçente. Në 300 ditë, gjendja e krimit dhe pasigurisë publike në vend është rritur. Në 300 ditë, vlera e jetës dhe pronës së qytetarëve shqiptarë ka rënë ndjeshëm”, tha Salianji.