Koordinatori Salianji denoncon papërgjegjshmërinë e qeverisë që zvarrit punimet duke vështirësuar jetën e banorëve të zonës dhe gjithë Veriut
Partia Demokratike denoncoi sot neglizhencën dhe papërgjegjshmërinë e qeverisë me aksin rrugor Kamëz-Fushë Krujë, ku prej një viti nuk bëhet asnjë punë, cka ka bërë që banorët dhe qytetarët e kësaj zone e më gjërë të gjithë Veriut të kenë vështirësi të përditshme.
Koordinatori i Partisë Demokratike për Ndihmë Ligjore dhe Denoncimet, Ervin Salianji ishte sot në këtë pjesë të rrugës, bisedoi me qytetarët dhe banorët e zonës, dhe dënoi vonesat e qeverisë që sipas tij kanë në sfond edhe diskrimimin politik.
“Ky është një tjetër projekt i kontraktuar dhe i lënë gati, por projekti nuk po avancon, pavarësisht se Kryeministri thotë se problemet e financimit janë të zgjidhura. Për shkak të paaftësisë, për shkak të diskriminimit politik apo për shkak të neglizhencës deri në papërgjegjshmëri, në këtë rrugë nuk po punohet, dhe është kthyer në një burim aksidentesh. Është kthyer në një shqetësim për banorët dhe qytetarët e Kamzës por edhe për të gjithë qytetarët e veriut të Shqipërisë apo edhe të Kosovës të cilët kalojnë përmes kësaj rruge për të ardhur në Tiranë. Vlerësimi i punës së qeverisë nuk matet nga cilësia e fotove në konferencat propagandistike të sukseseve imagjinare, por vlerësimi i punës së qeverisë, matet nga rritja e cilësisë së shërbimeve për qytetarët dhe nga përmirësimi i cilësisë së jetës të tyre”, tha Salianji.
Banorët u shprehen të shqetësuar dhe paralajmëruan qeverisë se do të ketë protesta nëse neglizhenca dhe papërgjegjshmëria e saj do të vazhdojë.