Partia Demokratike denoncon heshtjen e Edi Ramës pas kërcënimit banditesk të zëdhënëses Vorpsi

 

 

 

Sot është dita e tretë e heshtjes së Edi Ramës, pas kërcënimit banditesk që ai i bëri zëdhënëses së Partisë Demokratike, Laura Vorpsi, me anë të deputetit Arben Ndoka.

E gjithë shoqëria e dënon aktin e shantazhit mafioz që kryhet me frymëzim dhe me porosi të Edi Ramës.

Kërcënimi me jetë i zëdhënëses dhe i familjes së saj, janë një kërcënim për fjalën e lirë, për demokracinë në vend.

Vetëm Edi Rama hesht, bën të paditurin.

Ai flet për orë të tëra me atë propagandën e tij bajate të shportës bosh, po nuk thotë asnjë fjalë për kërcënimin me bekimin e tij, rrugacëror e banditesk të zëdhënëses së Partisë Demokratike. 

Eshtë Edi Rama, që bën propagandë për të drejtat e grave, por në realitet ai hoqi dy gra kandidate, vetëm për ti hapur rrugën hyrjes në parlament të një personi të dënuar për shfrytëzim prostitucioni.

Me oligarkinë kriminale dhe strukturën e dhunës që ka instaluar Edi Rama deri në Parlament, cdokush po merr mesazhin se është nën kërcënim nëse denoncon, nëse flet. 

Edi Rama po synon të krijojë një shoqëri të mbyllur dhe kërkon të kontrollojë fjalën e lirë, me para e me pushtet nga njëra anë, më dhunë e kërcënime për jetën nga ana tjetër.