Deklaratë e deputetit të Partisë Demokratike, Eduard Halimi

 

 

 

 

Qeveria dhe të gjithë ata që rreshtohen në llogore me të i kanë hyrë fushatës së sulmit ndaj Drejtësisë dhe kërkojnë ta fusin Drejtësinë nën kontroll, sepse zyrtarët e saj janë përfshirë kokë e këmbë në korrupsion, janë pjesë e krimit të organizuar dhe bandave kriminale.

E do qeveria drejtësinë nën kontroll, se do ta bëjë gjumin e qetë për emerimet kriminale të bëra në administraten e vendit, ku banditët e dalë nga burgu i veshën me kollaren e pushtetit dhe i emëruan në postet drejtuese që qeverisin vendin.

Qeveria e do drejtësinë nën hyqmin e saj që të mos ketë problem me korrupsionin ekonomik të tenderave me taksat e qytetareve, ku 90% e tyre bëhen me prokurorim të drejpërdrejtë me klientët e pushtetit.

Qeveria e do drejtësinë nën këmbët e saj, që të mos ketë drejtësi per  korrupsionin politik të blerjes së votave të qytetareve shqiptare në Korcë dhe përsëritjen e krimit me amnistinë me forcën e kartonave të blerë me korrupsion.

Edi Rama dhe Ilir Meta e duan drejtësinë nën sqetull që të mos përgjigjen para ligjit për vjedhjen e serverit të tatimeve dhe bllokimit që po i bëhet në parlament trasparencës së këtij krimi. 

E duan drejtësinë nën kontrollin e tyre që të fshehin krimin e vrasjes me makinën e eskortës të një djali 19 vjeçar në aksin e Gjirit të Lalëzit. 

Drejtësinë të tulatur e do Edi Rama që të mos japë llogari për presionin personal që u bën gjyqtarëve duke i telefonuar dhe çuar mesazhe për vendime në favor të tij dhe qeverisë së tij.

Kjo qeveri që mban rekordin si qeveria e korrupsionit politik dhe ekonomik, para se të drejtoje gishtin në problemet e drejtesise, duhet të japë llogari para qytetareve dhe para drejtësisë për problemet e rënda që ka me korrupsionin politik dhe ekonomik.

Partia Demokratike e nxit Prokurorinë e vendit dhe sistemin gjyqësor si autoritetet e vetme që kanë atributin kushtetutes për të hetuar, gjykuar dhe dënuar  në menyre te shpejte dhe efikase çdo zyrtar të vendit në ekzekutiv dhe në sistemin e drejtësisë, që është i përfshirë në korrupsion, në çdo kohë dhe kudo qoftë ai. 

Ta kryejë këtë mision me profesionalizëm dhe përkushtim pavarësisht presionit politik në rritje nga Kryeministri i vendit që kërkon me çdo kusht kapjen politike dhe kontrollin politik të drejtësisë.

Kryeministri dhe qeveria e tij, nuk kërkojnë asgjë tjetër, përveçse me metoda staliniste, një sistem drejtësie të gjunjëzuar para tyre me qëllimin e vetëm për t’iu shmangur ndëshkimit para ligjit dhe para drejtësisë të tyre, dhe gjithë të tjerëve që janë të lidhur kokë e këmbë me krimin.