Partia Demokratike organizon një konferencë për pensionet. Pensionistët, personat me aftësi të kufizuar, organizatat e shoqërisë civile, të gjithë njëzëri kundër planit të qeverisë për pensionet 

 

 

Partia Demokratike organizoi sot konferencën “Reforma e pensioneve?! Goditje ndaj shtresave në nevojë, pensione më të ulëta më pak mbrojtje sociale”. 

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u shpreh se kjo tryeze zhvillohet për të bërë transparente reformën e propozuar nga qeveria e cila prek në mënyrë tepër drastike shtresat në nevojë duke i dëmtuar ato, dhe plani për rritjen e moshës së pensionit afekton të gjithë qytetarët. 

Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues të grupeve të interesit, diplomatë, pjesëtarë të shoqërisë civile, shoqatat e pensionistëve, personave me aftësi të kufuzuar, të të verbërve, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura, ekspertë.

Njëzëri ata kërkuan nga opozita të ngrejë zëri fort për të ndaluar këtë reformë të qeverisë, pasi sipas tyre kjo do të vështirësojë më tej jetën e shtresave vulnerabël të shoqërisë.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të SHqipërisë Gëzim Kalaja u shpreh se reforma nuk ka marrë kërkesat e tyre ndërsa nuk bën transparente se sa do të përfitojnë shtresa të caktuara. Sipas tij, rritja e moshës së pensionit është tepër e gabuar dhe do të ndikojë negativisht në kushtet e jetesës së punëtorëve në veçanti.

Nga ana tjetër, përfaqësuesja e shoqatës së pensionistëve Sabrie Kapllani u shpreh se pagat dhe pensionet janë të vetmet që nuk po rriten nga qeveria. 

“Unë pensionin tim e bëj ilaçe, dhe falenderoj kryeministrin që rrit çdo gjë, që rrit çmimet, që rrit ushqimet por vetëm rrogat dhe pensionet nuk po i rrit”, pohoi Kapllani, e cila shtoi se pensionistët kërkojnë rritje pensioni dhe jo rritjen e moshës.

Eksperti i njohur i fushës së pensioneve, Fadil Kepi u shpreh se reforma e propozuar është e pastudiuar dhe do të ndikojë negativisht në shoqëri. Sipas tij, me anë të kësaj reforme, pensionet e ulëta dhe të mesme do të ulen, ndërsa pensionet e larta nuk do të ndryshojnë. Skema, tha Kepi, nuk do të rrisë dot kontributet ndërsa u shpreh kundër rritjes së daljes së moshës në pension. 

“Nëse vazhdojmë me këto ritme të rritjes së moshës së pensioneve, ulet punësimi i të rinjve të shkolluar me universitete brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe do të mbajmë në punë më shumë të moshuar ku rendimenti i tyre dihet që është i ulët sepse në vitin 2015 meshkujt do të dalin në pension të datëlindjes 1950 kur buka dhe çdo gjë ka qenë me triskë. Dhe brezi i mëvonshëm është ushqyer me tallon. Dhe më e keqja, bie cilësia e punës në disa profesione të zakonshme por të nderuara”, u shpreh Kepi.

Nga ana e tij, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shtoi se qeveria nuk po dëgjon zërin e grupeve të interesit duke e cilësuar si një gjendje shurdhërie e verbërie të plotë nga ana e qeverisë. 

“Takimi ka vlera të mëdha dëgjimore. Pikërisht këtë qeveria nuk po e bën, nuk po dëgjon sindikatat, grupet e interesit, refuzon të hapë veshët dhe sytë për atë çka për të thënë opozita. Nxiton të marrë vendime të cilat janë në kundërshtim të hapur dhe të plotë me interesat e të gjitha grupeve, veçanërisht grupeve në nevojë”, Basha.

Në prezantimin e paraqitur, deputeti Sherefedin Shehu vuri theksin tek pensionet e fshatit dhe theksoi se këta pensionistë po diskriminohen pasi do të paguajnë më shumë dhe do të marrin më pak. 

“Skema ul pensionet dhe fshati nuk do marrë atë që i takon. Qeverisja e PD garantoi që pensionistet e fshatit të marrin peinsione qyteti por kjo rrëzohet me këtë reform. Po u thonë fermerëve mos paguani kontribute se do u japim vetëm 70 mijë lekë. Ata mund të kenë pension të barabartë me qytetin vetëm nëse paguajë deri 4 herë më shumë kontribute. Me këtë skemë nuk ka rritje por vetëm indeksim dhe kjo lëmoshë nuk është as e garantuar. Rama-Meta po e dërmon këtë sistem duke e bërë të papërballueshme pagesën e kontributeve”, tha Shehu. 

Në ndërhyrjen e tij, Basha u shpreh se qeveria po vendos një apartheid pensionesh pasi gjysma e shqiptarëve do të jenë jashtë skemës. Sipas tij, skema e bën të pamundur mbledhjen e kontributeve çka e vendos skemën në rrezik. 

Kryetarja e Komisionit të Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, Albana Vokshi u shpreh se qeveria po ndërmerr politika anti-sociale. Sipas saj, skema e pensioneve po deformohet pasi ul numrin e të siguruarve sepse të gjithë do të kenë një pension të barabartë. Ajo denoncoi mos mbatjen e premtimeve të qeverisë duke treguar një postim në rrjetet sociale të Ministrit Erjon Veliaj 3 vite më parë në opozitë, i cili ishte kundër rritje së moshës së pensioneve ndërsa tani po bën kundërtën. Vokshi shtoi se gratë do të jenë shtresa më e goditur nga mosha e pensioneve.

Organizatat e shoqërisë civile deklaruan se kërkesat e tyre nuk po merren parasysh nga qeveria.

Kujtim Hysensani nga shoqata e të verbërve u shpreh kundër reformës. “Infrastruktura për personat me aftësi të kufizuara është e papërshtatshme, Personat me aftësi të kufizuar kanë protestuar. Pra nuk ka asnjë arsye përse miratimi i këtij ligji të bëhet me urgjencë”, tha ai.

Përfaqësuesi i shoqatës së personave me aftësi të kufizuar u shpreh se realiteti është krejt ndryshe nga sa premtohet. Ai denoncoi faktin se po hiqet pagesa për ndihmësin e personit me aftësi të kufizuar.

Besim Ndregjoni, përfaqësues i ish të përndjekurve politike, u shpreh se qeveria nuk e ka në planet e saj trajtimin e kësaj shtrese, duke deklaruar se pensioni që ata marrin është shumë i ulët dhe i pamjaftueshëm për të jetuar.

Duke u ndalur në nevojën e konsultimit sa më të gjërë për të tilla ligje, z.Basha u shpreh:

“I gjithë mekanizmi i demokracisë është ndërtuar në mënyrë të tillë që procesi i hartimit dhe aprovimit të ligjit të jetë i ngadaltë pikërisht për të lënë kohë për konsultim për transparencë, pikërisht për të mos i lënë kohë zullumit të mishërohet në lëgjislacion. Dhe sa më të rëndësishme çështjet aq më e ngadaltë është procedura, është një rregull i artë i demokracisë që ka lindur bashkë me parlamentet moderne në SHBA apo më përpara në Britaninë e Madhe. Një parim që konsolidohet dhe është konsoliduar edhe këtu tek ne,  ku Kushtetuta ndalon procedurat e përshpejtuara që parashikohen në disa raste për ligje me shumicë të cilësuar”. 

Basha shtoi se mungesa e konsultës, mosdëgjimi i zërit të qytetarit janë tipar dallues i qeverisë Rama-Meta, dhe kështu ka ndodhur edhe në projektin që ata kanë për pensionet.