Kryetari i Partisë Demokratike: Fjalën e radhës e kanë gardianët e Kushtetutës, fjalën e fundit qytetarët

 

 

Dje shumica e pacilësuar Rama-Meta, që u bë e cilësuar jo me votat e lira të  qytetarëve shqiptarë, por me mandate të trafikuara dhe pazare të pista pas zgjedhjeve, miratoi në Kuvendin e Shqipërisë,  me bujë  demagogjike hartën e cifligjive oligarkike.

Reforma e shumëreklamuar u katandis dje në një hartë të interesave të errëta të Edi  Ramës, Ilir Metës dhe  kujtdo tjetër  që u përfshi për kocka dhe thërrime në këtë farsë. U katandis  në një akt që rrezikon të zhdukë autonominë vendore dhe vetë kuptimin e pushtetit vendor në demokraci. U katandis në një përpjekje brutale për të shtrirë dhe unifikuar pushtetin oligarkik të qeverisjes së sotme  qendrore me qeverisjen e ardhshme vendore. 

Asgjë që ka të bëjë me fuqizimin e mëtejshëm të pushtetit vendor, asgjë që ka të bëjë me shtimin dhe modernizimin e sherbimeve dhe zgjidhjeve që ky pushtet duhet t’u ofrojë qytetarëve, asgjë që ka të bëjë me thellimin e decentralizimit  dhe autonomisë vendore.

Kjo është torta e çifligjeve të ëndërruara,  që oligarkët e shumicës kanë guximin dhe paturpësinë ta shesin në publik, me etiketën fallco të reformës administrative-territoriale.  

E nisen pa opozitën dhe e përfunduan pa opozitën, siç nuk ka ndodhur kurrë gjatë këtyre njëzet e tre viteve  me  reformat  e mëdha të  kësaj natyre, që e kanë standard kombëtar e ndërkombëtar gjithëpërfshirjen, konsensusin politik dhe qytetar.

E nisën gjoja me shoqërinë civile por shumë shpejt i futën brrylin dhe e bitisen pa të, sepse nuk duronin  dot asnjë opsion realist që nisej nga nevojat reale që ka vendi për një reformë moderne dhe bashkëkohore.

E nisen gjoja me konsultime me komunitetet vendore por thirren vetem te bindurit e klanit dhe injoruan zërat e arsyeve kundër,  dhe e bitisen me nje gjoja sondazh qe edhe pse i gatuar ne kuzhinën qeveritare në vend që t’u japë argumente i demaskon.

E nisën duke mbajtur maskën e bashkëpunimit  të ngushtë  me partnerët tanë euroamerikanë, të cilët  e kanë krijuar dhe konsoliduar  nepër vite këtë  mushkëri të pazevendësueshme të demokracisë që quhet autonomi vendore. Por shumë shpejt e hoqën  maskën në fjalë, duke  injoruar deri në fund thirrjet e përsëritura  të SHBA-ve dhe Europës për gjithëpërfshirje dhe konsensus.

Duke i sfiduar hapur miqtë dhe aleatët me pazaret e ulta deri kriminale që bënë në një parlament  ku bota e  krimit përcakton shumicën dhe ka çelësat e vendimarrjes, dikton kryeministrin dhe ushqehet nga kryeministri për të votuar aktet e tij antikushtetuese dhe antikdemokratike.

E nisen së prapthi dhe e përfunduan së prapthi, jo nga fillimi por nga fundi, jo nga themeli por nga çatia, jo nga decentralizimi, por nga harta, duke dëshmuar haptasi për të gjithë shqiptarët se hartën, hartën dhe vetëm hartën, territoret, pasuritë dhe tortën e pushtetit kishin e kanë në mendje, si konkuistatorë, jo si administratorë  dhe shërbetorë të interesave të qytetarëve. 

E nisën kundër Kushtetetutës dhe përfunduan kundër Kushtetutës, e cila kërkon në mënyrë detyruese mendimin e qytetarëve për ndryshimin e kufinjve të njësive vendore.

Shkelën dhe dhunuan pa e vrarë mendjen fare ligjin themeltar të shtetit, duke imponuar edhe njeherë tjetër me arrogancën e tyre karakteristike sundimin e tyre mbi sundimin e ligjit, shtetin e orekseve personale mbi shtetin ligjor, pushtetin e oligarkisë mbi pushtetin  e qytetarëve. 

Qytetarët me të drejtë po pyesin: Si është e mundur? Si mund të shkelet me këmbë Kushtetuta, si mund të injorohen në këtë shkallë zakonet e mira dhe standardet e  gjithëpërfshirjes? Si mund të anashkalohen interesat dhe vlerat ekonomike, demokratike, historike dhe kulturore të komuniteteve dhe banorëve që janë ngritur në këmbë nga Vermoshi në Konispol për ta bërë zërin e tyre të dëgjohet.

Të gjithë e paskan gabim, edhe opozita, edhe qytetarët, edhe shoqëria civile, edhe partnerët  ndërkombëtarë, edhe Kushtetuta,  vetëm  këta, vetëm Rama dhe Meta  nuk e paskan gabim? 

Duhej të ishte e pamundur kjo që  ndodhi,  por e bënë të mundur  për një arye të vetme: interesi kleptokratik për përfitim personal i dyshes Rama-Meta për këtë hartë të vizatuar si me bishtin e garuzhdës ku gjithçka është hartuar në mënyrë të tillë   sa çdo gjë ligjore, çdo gjë europiane, çdo gjë rracionale që do të duhej të  reflektohej në këtë reformë do t’u prishte planet, ëndrrat dhe llogaritë e llokmave vendore. 

Ndaj mbyllën sytë dhe u investuan kundër traditës, kundër zakoneve, kundër Kushtetutës, kundër qytetarëve që u derdhën në rrugë e sheshe, duke zevendësuar gjithëpërfshirjen dhe konsensusin  e munguar me opozitën me pazare  të padenja për lartësinë dhe natyrës e reformës, fyese dhe të  turpshme për parlamentin dhe parlamentarizmin.

Vetë mënyra si i bënë numrat për një reformë nga të rrallat, në mos e vetmja  që i jep shprehje në Kushtetutë të drejtës së drejtpërdrejtë të qytetarëve për t’u shprehur, për të thënë mendimin e tyre, për të dëgjuar zërin e tyre, tregon edhe njeherë se  krimi nuk është  thjesht i pranishëm, nuk është një përjashtim që ka depërtuar në Kuvend  nën rrogoz si pa e kuptuar,  por është një mënyrë mafioze të menduarit e të  vepruarit nga  krerët e  kësaj shumice. 

Që dje Rama më te tijtë kanë pushtuar ekranët e foltoret dhe po thërrasin duke fryrë gjoksin “jemi  krenarë”.

Për çfarë janë krenarë? 

Që  bënë një gjë që nuk e ka bërë askush  para tyre pa opozitën, pa qytetarët? 

Që vizatuan një hartë të njësive të qeverises  vendore kryesisht  në bazë të hartës së gatshme të ish komiteteve ekzekitive të kohës së Enver Hoxhës, sidomos në pjesën veriore dhe qendrore të vendit? 

Që i përdorën disa komuna dhe fshatra të Jugut të vendit si plaçkë tregu, si ti kishin mallin e tyre, duke hapur e ndezur sherre që s’dihet ku do t’u dalë tymi, thjesht për të  kënaqur interesa klienteliste, korruptive dhe të paskrupullta? 

Që ideuan dhe mundësuan ikjen në drejtim të paditur të dëshmitarit kyç, të mbrojtur nga drejtësia, në procesin gjyqësor për vrasjen e kryekomisar  Dritan Lamajt?

Që po kërkojnë të nxjerrin vetë drejtësinë në gjyqin e krimit dhe kriminelëve, siç nuk ka ndodhur  kurrë në asnjë vend  demokratik të botës?  

Për ketë janë krenarë? Paturpësia nuk turpërohet ta mbajë kokën lart. 

Por është e sigurt se shqiptarët i refuzojnë me përbuzje dhe me i

ndinjatë të  thellë këto turpe.       

Partia  Demokratike dhe mbarë opozita ka mbështetur që prej fillimit nevojën për një reformë administrative-territoriale të standardeve europiane që t’u përgjigjet dhe t’u japë zgjidhje të drejta problemeve  të krijuara dhe pritshmërive të reja në këtë fushë. 

Ne kërkuam në çdo moment që decentralizimi të printe dhe ndarja territoriale ta ndiqte. Kërkuam edhe në 24 prill në Kuvend që Komisionit Parlamentar t’i shtohej detyra – reforma decentralizuese, krahas hartës. Por dyshja Rama-Meta i shpërfilli këto kërkesa dhe nxitoi të shtonte anëtarin e saj në komision.

Ne kemi ngulmuar pareshtuar për një standard të historisë sonë të re politike dhe të mbarë botës demokratike kur është fjala për reforma të këtyre përmasave: për konsensus!

Në bashkëpunim me  shoqatat e Qarqeve, Bashkive dhe Komunave të  vendit dhe me shumë organizata të shoqërisë civile të angazhuara për reformën në fjalë, organizuam tri konferenca kombëtare dhe kemi konkluduar me një rezolutë në të cilën kemi përbledhur paketën e pikëpamjeve dhe kritereve tona, propozimeve tona për kurorëzimin me sukses të reformës administrative-territoriale.

Rama dhe Meta nuk e dhanë kurrë konsensusin në Kuvend. Në të kundërtën, u tallën dhe mejtuan ta fyenin opozitën duke e ftuar t’i bënte fresk hartës së tyre dhe duke injoruar nga fillimi në fund kërkesat e saj.   

Ata jo vetëm e dogjën këtë shans, por e thelluan të keqen duke votuar  të vetëm një  akt  që nuk është votuar kurrë nga një pale  e vetme. 

Përmes aktit të djeshëm dyshja Rama-Meta u investuan fuqishëm për politikën e konfliktualitetit, dhe ka goditur në themel bashkëjetesën demokratike në Shqipëri.

Sot është një ditë e keqe për demokracinë shqiptare. Por që kemi bindjen se nuk do të mbetet, nuk do të qëndrojë, nuk do të zgjasë si si e tillë. 

Harta antikushtetuese e shumicës Rama-Meta është e papranueshme dhe nuk do të pranohet kurrë. 

Fjalën e radhës e kanë institucionet e pavarura që kanë funksionet e gardianëve të Kushtetutës, që janë thirrur sërish në provën e qëndrueshmërisë së sistemit të përhershëm demokratik përballë  akteve antikushtetuese të qeverisë së përkohshme. 

Fjala e fundit është e qytetarëve që kanë të drejtë të ngrejnë gishtin e akuzës ndaj qeverisë oligarkike që refuzoi t’i pyeste, kur Kushtetuta i urdhëron t’i pyesë e të mos vendosë pa ta. 

Që kanë të drejtë të shprehen dhe  vendosin zbatimin e drejtpërdrejtë të Kushtetutës si  ligji suprem i pushtetit të popullit.  

Partia Demokratike beson në qëndrimin e drejtë  ligjor të institucioneve kushtetuese, beson në reagimin  pa kompromis të qytetarëve si fuqia madhore e demokracisë. 

Ne do të jemi me ta dhe përkrah tyre, në lartësinë e angazhimeve tona të shpallura për reformën administrative-territoriale në  Republikën e Shqipërisë.