-Jemi të lidhur nga baza në majë të piramidës partiake me fijet e respektit dhe solidaritetit politik dhe njerëzor.
-Kryetarët e degëve të Partisë Demokratike do të dinë të jenë modeli i drejtuesve që bashkojnë në një, respektin me autoritetin, konsultimin me vendimarrjen, modestinë me forcën, moderacionin me vendosmërinë.
-Nga këto dy fushata Partia ka dalë me një data baze të rregullt e të dixhitalizuar të anëtarësisë që numëron 101 mijë anëtarë, e sot me siguri akoma më shumë.
-Pas këtyre fushatave të paharrrueshme, jam shumëfish optimist për të sotmen dhe të ardhmen e Partisë Demokratike. Jam shumëfish optimist se do t’ia dalim, se do të mbërrijmë ay ku e kemi synimin, se do të rikthehemi forcë fituese në zgjedhje.
Të dashur kryetarë të degëve të Partisë Demokratike,
Mendova të mblidheshim sot, në përfundim të një maratone të gjatë politike, që na ka parë sëbashku me gjithë anëtarësinë në dy fushata vendimtare për të sotmen dhe të ardhmen e Partisë Demokratike: në atë të regjistrimit të anëtarësisë dhe të zgjedhjeve të reja në Parti në nivel seksionesh, grupseksionesh dhe degësh.
Do të kisha dashur të ishin këtu gjithë demokratët që morën pjesë dhe votuan në këto zgjedhje. Do të kisha dashur të ishin këtu të gjithë ata që ishin në garë me ju, të gjithë kandidatët e tjerë në nivel seksionesh, grupseksionesh dhe degësh, dhe që janë sot pjesë e një ekipi të madh drejtues të PD-së në themelin e saj, në kolonat e saj.
Sigurisht që janë shumë. E merrni me mend se nuk ka sallë që mund t’i nxërë të gjithë. Por duke u takuar me ju në praninë e liderit tonë historik, kryetarit të Grupit Parlamentar dhe nënkryetarit të Kuvendit, duke u takuar me ju pra që jeni përfaqësuesit e votës së tyre, besoj se po komunikoj me të gjithë demokratët, me gjithë të zgjedhurit. Dëshiroj t’i përshendes dhe t’i falenderoj një për një kudo ku janë; t’ju uroj pushime të mbara atyre që janë në pushime dhe punë të mbarë atyre që janë akoma në punë.
Dëshiroj të falenderoj nga zemra gjithë koordinatorët që u angazhuan vullnetarisht në këtë fushatë të madhe, përkushtimi, serioziteti dhe maturia e të cilëve ka pasur një rol të dorës së parë për kurorëzimin me sukses të këtyre dy aksioneve politike. Dua t’iu uroj ju, kryetarë të zgjedhur të Partisë Demokratike: Punë të mbarë dhe suksese në misionin fisnik të drejtimit të degëve të Partisë Demokratike.
Ju u zgjodhët me votë të lirë, në gara të hapura, demokratike, të forta, të ndershme dhe luajale. Kjo padyshim ju bën krenarë dhe ju jep shumë me shumë energji, kurajo dhe autoritet si drejtues politikë. Dua të nënvizoj me kënaqësi të madhe faktin se këto gara plot emocione pozitive përfunduan gjithnjë me shtrëgime duarsh mes rivalëve, mes fituesve dhe jo fituesve, si shenjë e vendosmërisë për të punuar sëbashku, pasi ky është kuptimi i garës brenda për brenda partisë: garohet jo për të marrë medalje, por për të marrë pergjegjësi dhe për të ndarë përgjegjësi me njëri-tjetrin.
Teksa jemi mbledhur këtu me ju, fituesit e këtyre garave, para syve më dalin kandidatët e shumtë që morën pjesë në këto zgjedhje, ku vetëm për detyrën e Kryetarit të Degës, konkuruan 281 kandidatë. Ata konkuruan me dinjitet dhe seriozitet të madh, duke sjellë secili dhe secila kontributin dhe vizionin e tij të vyer për ringritjen e Partisë Demokratike, duke nderuar votën e lirë, duke iu bindur votës së lirë, që është guri i themelit ku mbështetet shpresa përherë e gjallë dhe besimi përherë në lulëzim i demokratëve për të ecur përpara. Mjaft prej garave u zgjidhën në fotofinish ose në balotazh, nga të cilat vetëm në garat për Kryetarë të Degës pati 22 balotazhe dhe kjo ishte shprehja më e bukur e frymëzimit të ri politik që përfshiu Partinë Demokratike në këto zgjedhje. Dua t’i siguroj të gjithë, edhe ata që u renditen të fundit, edhe ata që debutuan për herë të parë në këtë nivel gare, se kontributet dhe mbeshtetja e tyre do të respektohen, se Partia Demokratike mbetet e hapur për të mundësuar me rregulla të qarta loje zhvillimin dhe realizimin në vazhdimësi të ambicieve politike të gjithsecilit.
Ne jemi një parti e madhe politike që është krijuar dhe jeton si një marrëveshje e gjallë zemrash dhe mendjesh të lira. Siç e kam nënvizuar disa herë në turet e mia, anëtarët pa përjashtim janë aksionerë të barabartë të kësaj ndërmarrjeje politike. Nëse ka një fushë ku shkon më shumë se gjetkë shprehja “të parë mes të barabartëve” kjo është pikërisht marrdhënia e të zgjedhureve me të zgjedhurit në Partinë Demokratike. Kjo i jep përgjigje edhe çështjes së hierarkisë dhe disiplinës në partinë tonë. Jemi të lidhur nga baza në majë të piramidës partiake me fijet e respektit dhe solidaritetit politik dhe njerëzor; respektojmë drejtuesit, programin dhe statusin që janë kontrata e bashkimit tonë
Të gjithë duhet të dimë ta interpretojmë drejt në punën tonë të përditshme këtë filozofi, këtë marrëdhenie me anëtarët, me të zgjedhurit e forumeve me të ulta, me qytetarët në përgjithësi. Gjëja më e keqe që duhet të shmangim patjetër në këtë rast është një autoritarizëm bosh, shterp dhe amatoresk, që shfaqet si mendjemadhësi, si kapadaillëk, si uzurpim i vendimarrjes në kundërshtim me statutin dhe udhëzimet, si nëvlerësim i anëtarëve dhe forumeve. Në kohën tonë qytetarët i përbuzin këto sjellje dhe partia vetëm humbet prej tyre. Autoritarizmi në fakt përfaqëson dështimin e autoritetit. Autoriteti fitohet, mbahet dhe forcohet me punë, me bashkëpunim, me respekt ndaj të tjerëve, me hapje, me talent, me meritë, duke berë diferencën me ide dhe me zgjidhje efikase. Autoriteti si i tillë është një vlerë e madhe në parti. Ndëkohë që autoritarizmi është një çedim nga të gjitha këto vlera duke i zevendësuar me “ligji jam unë”, që është modeli antidemokratik i papranueshëm që po ndjekin sot krerët e shumicës qeveritare Rama-Meta.
Kam besimin dhe bindjen e plotë se kryetarët e degëve të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe gjithë të zgjedhurit e partisë sonë do të dinë të jenë e të mbeten modeli i drejtuesve modernë, që bashkojnë në një, respektin me autoritetin, konsultimin me vendimarrjen, modestinë me forcën, moderacionin me vendosmërinë.
Të dashur miq,
Ka qenë dëshira dhe detyra ime të marr pjesë në të gjitha kuvendet e degëve, t’i ndjek nga afër, të prek dhe të ndjej pulsin e një partie, që pasi humbi zgjedhjet, po ngrihet e po ngrihet për Nisjen e re, për Demokracinë e re, për fitoren e re.
E kam parë e jetuar nga afër, mes jush, mes demokratëve anembanë vendit, bashkimin dhe ribashkimin e partisë, regjistrimin dhe riregjistrimin e anëtarësisë nga më i vjetri te më i riu, hapjen e re dhe përtërirjen, vërshimin domethënës e frymëzues të rinisë në një Parti Demokratike që sapo kishte dalë në opozitë. Ka qenë një periudhë e vështirë për ne, që lidhej jo vetëm me rezultatin e paparashikuar të zgjedhjeve politike, por parasëgjithash me politikën antidemokratike dhe antikushtetuese që vuri në zbatim, me t’u inastaluar në pushtet, dyshja Rama-Meta, politikë e cila na ka imponuar një opozitë të ndryshme nga ajo që kishim konceptuar në fillim, një opozitë për çështjet ekzistenciale, për çështjet themelore të shoqërisë së lirë
, një opozitë për mbrojtjen nga agresioni qeveritar i kolonave të demokracisë, siç janë zgjedhjet e lira, shteti ligjor, pavarësia e institucioneve, ndarja demokratike e pushteteve, konsensusi, liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve shqiptarë. E shoqëruar me braktisjen e bujshmë të premtimeve elektorale dhe me dështimet e mëdha të qeverisë në ekonomi, në rend dhe në të gjithë sektorët e tjerë (me përjashtim të sektorit të agjitacionit), politika antidemokratike e dyshes Rama-Meta na detyroi të rishpërndanim në kohë forcat dhe energjitë, por nuk na shmangu për asnjë moment nga vendosmëria jonë për të ringritur e modernizuar Partinë Demokratike, për të bërë analiza realiste dhe të përgjegjshme për rezultatin që morën në zgjedhjet e kaluara, për të zhvilluar një fushatë zgjedhore nga më demokratiket që vuri në qendër të saj anëtarin dhe anëtaren e Partisë demokratike dhe në themel të saj votën e lirë.
Fushatat e regjistrimit dhe zgjedhjeve në Parti ishin një festë dhe një shkollë e vertetë e demokracisë. Partia dhe të gjithë ne kemi mësuar shumë nga vendosmëria e anëtarëve për t’u nisur nga e para, nga fryma e diskutimeve dhe debateve në parti, nga mendimet, opinionet, vërejtjet dhe kritikat e gjithsecilit, nga propozimet për korigjimin e nevojshëm të politikave, qëndrimeve, të metave dhe gabimeve. Vota e lirë e gjallëroi partinë, duke venë në lëvizje ambicie të zgjuara dhe të fjetura, preferenca dhe gjykime të lira për kandidatët konkurues. Kjo është një përvojë e madhe që e ka vendosur konkurencën si një standart të karrierës dhe meritës në Partinë Demokrartike.
Nga këto dy fushata Partia ka dalë me një data baze të rregullt e të dixhitalizuar të anëtarësisë që numëron 101 mijë anëtarë, e sot me siguri akoma më shumë. Ka dalë me një ekip drejtuesish të zgedhur më votë të lirë, ku gërshëtohen më së miri përvojat, karrierat, kontributet dhe moshat. Ne ia kemi dalë të krijojmë besimin tek çdo Demokrat, tek çdo simpatizant, tek çdo i ri që dëshiron ti bashkohet kësaj Partie se kontributi i tij ose asaj do të vlerësohet dhe vota do të jetë ajo që do të vendosë për organizimin dhe karrierën në Parti.
Nga natyra jam një njeri dhe një politikan optimist që beson në arritjen e synimeve të shpallura. Por sot, pas këtyre fushatave të paharrruara, jam shumëfish optimist për të sotmen dhe të ardhmen e Partisë Demokratike. Jam shumëfish optimist se do t’ia dalim, se do të mbërrijmë ay ku e kemi synimin, se do të rikthehemi forcë fituese në zgjedhje.
Burimi i këtij optimizmi, që dua ta ndaj sëbashku me ju, është në radhë të parë anëtarësia e PD-së, janë të zgjedhurit e saj, janë qytetarët shqiptarë që përcollën e përcjëllim me vemendje dhe respekt zhvillimet në partinë tonë, që po afrohen gjithnjë e më shumë drejt nesh jo vetëm për shkak të zhgenjimit të thellë me qeverinë Rama-Meta, por parasëgjithash falë qëndrimeve tona, falë opozitarizmit tonë të fortë e të argumentuar, falë frymës demokratike që karakterizon nisjen tonë të re, falë alternativave tona të para që do të vinë duke marrë formë në të ardhmen e afërt.
Ta ruajmë si sytë e ballit këtë shpresë dhe besim në rritje të qyetarëve ndaj nesh. Ta ruajmë dhe ta zhvillojmë me qëndrime të drejta, me propozime të menduara dhe të peshuara mirë, me sjellje të mbështetura në virtutet më të mira të traditës shqiptare dhe epokës moderne të integrimit.
Partia Socialiste e Edi Ramës dhe LSI e Ilir Metës e kompromentuan rëndë drejtimin vendit, duke promovuar e emëruar në detyra të rendësishme, deri në Kuvendin e Shqipërisë, trafikantë të të gjitha llojeve, individë më rekorde kriminale, spekullantë dhe mashtrues të të gjitha kategorive. Ata jo vetëm e futën në një krizë të panjohur më parë, por edhe e damkosen me njollën e turpit, drejtimin, si praktikë dhe si vlerë.
Ne do ta nxjerrim drejtimin nga kriza, ne do ti heqim njollat e turpit që i vuri Rama dhe Meta, ne do të rikthejmë vlerat, demokracinë, pjesmarrjen, meritokracinë, seriozitetin, dijen, përkushtimin, kulturën e shërbimit ndaj qytetarëve. Bashkë me të zgjedhurit që do të dalin nga Kuvendi i afërt kombëtar i Partisë Demokratike, ne që jemi sot këtu dhe gjithë të zgjedhurit në PD, jemi ekipi politik që ka marrë përsipër të udhëheqë ndryshimin e ri të Shqipërisë, ngritjen dhe ringritjen e Shqipërisë së lirive, të ligjit, të punës dhe intelektit mbi atë të antiligjit dhe krimit që sot ka kapur qeverisjen.
Ta ruajmë dhe ta zhvillojmë këtë vlerë. Por jetojmë në një shoqëri të hapur në ndërveprim dhe fuzion të vazhdueshëm idesh dhe vlerash mes grupeve dhe kategorive të ndryshme shoqërore.
Ne kemi program, kemi sistemin e vlerave tona, kemi rregullat tona dhe s’mund të jetë ndryshe për një parti politike serioze, por në thelb nuk i zgjedhim ne njerëzit që vijnë në PD. E zgjedhin ata PD-në. Detyra jonë është t’i presim krahëhapur dhe t’i intregrojmë menjëherë si të barabartë me gjithë të tjerët në sistemin tone, në familjen tonë politike.
Mendësia e partisë së mbyllur në një rreth të caktuar apo të përjetshëm emrash e mbiemrash nuk është mendësia jonë.
Hezitimet, paragjykimet dhe frika se mos po na zënë vendin këta që vijnë nuk janë rroba e një partie që ka në themel të funksionimit të saj konkurencën dhe votën e lirë. Kjo është parti politike. Kush vjen, nuk vjen për t’i zënë vendin ndokujt, por për të rritur partinë, për të provuar shansin e tij në rrugën e politikës. Nga ana tjetër, të jemi të sigurtë se individët nga bota e errët e trafiqeve dhe krimit, edhe po ta kenë patur në mendje, e kanë kuptuar nga udhëzimet, kriteret dhe sidomos nga qëndrimet tona pa kompromis se nuk kanë hapësirë në Partinë Demokratike. Ata, për të keqen e shqiptarëve, e kanë kumbarin e tyre, që është njëkohësisht edhe vegla e tyre, Edi Rama.
Hapja për ne është një koncept më i gjërë se sa përtëritja e partisë me anëtarë të rinj. Hapja është tërësia e komukimeve, shkëmbimeve dhe bashkëpunimit me publikun, me qytetarët, me intelektualët, me sipërmarrësit, me shoqërinë civile, me kategoritë e ndryshme shoqërore. Një parti e hapur në këtë kontekst është një parti që jeton orë e çast me problemet e njerëzve pa dallime politike, një parti që di të dëgjojë, di të reagojë, di të propozojë, di të luftojnë në të mirë të qytetarëve. Nuk duhet të harrojmë se demokratët janë më shumë se anëtarët e Partisë Demokratike dhe se shqiptarët janë më shumë se demokratët. Duhet të bëjmë çmos, duhet të bëni çmos ti afroni, ti dëgjoni, të angazhoni intelektualët dhe njerëzit e lirë që nuk kanë shprehur dëshirën të anëtarësohen me teser në Partinë tonë, por që mbështesin alternativën tonë dhe mund ta shërbejnë e fuqizojnë këtë me kapacitetet e tyre të spikatura.
Koncepti ynë i hapjes është një koncept integrues për të gjithë që shpresojnë dhe besojnë tek Partia Demokratike, që ndajnë me ne pikpamje dhe qëndrime për disa çështje apo për të gjitha çështjet. Por hapja jonë duhet t’u dëshmohet si shenjë respekti edhe atyre që mendojnë ndryshe, edhe qytetarëve që kanë bindje të tjera politike.
Ne sot jemi një parti në opozitë. Detyra jonë korente dhe në vijimësi derisa zgjedhësit shqiptarë të na besojnë shumicën është opozitarizmi, një detyrë fisnike dhe jetike, që fiton vlera sidomos në kontekstin e historisë sonë të gjatë moniste-komuniste, pa opozitë. Këtë detyrë, këtë mision Partia Demokratike e ka bërë dhe po e bën me sukses prej njëmbëdhjetë muajsh në çdo aulë të politikës. Por opozitarizmi nuk duhet të konceptohet e t
ë mbetet një ekskluzivitet i partisë në qendër, i kryetarit dhe figurave të tjera të spikatura të partisë, i grupit parlamentar, i shtypit opozitar, i gazetarëve dhe publicistëve opozitarë. Opozitarizmin duhet ta shtrijmë në një formë më të programuar e më të organizuar se sa sot në çdo nivel të organizimit të partisë, nga seksioni i fshatit dhe i lagjes në degën e rrethit. Ju sot jeni 53 kryetarë partie dhe njëkohësisht 53 opozitarë, që i shtoheni fuqisë opozitare të Partisë Demokratike në qendër.
Është një nga detyrat tuaja të dorës së parë të organizoni dhe drejtoni axhendën opozitare të degës, duke filluar me axhendën tuaj si kryetarë të zgjedhur e duke vazhduar me axhendën e kryesisë, departamenteve, grupseksioneve dhe seksioneve. Partia Demokratike në bazë duhet të jetë e informuar për të gjitha problemet në territorin që mbulon. Ajo duhet të thotë fjalën e vet për këto probleme, për rendin, për sigurinë, për punësimin, për ekonominë, për shërbimet, për investimet, për infrastrukturën, për vaditjen, për kullimin, për farërat, për kontrollin ushqimor, për arsimin, për shëndetësinë, për gjithçka. E vërteta përballë mashtrimeve dhe demagogjisë qeveritare – kjo është motoja e opozitarimit tonë. Ne duhet ti përballim orë e çast kundërshtarët tanë me premtimet dhe bilancin e tyre fshat me fshat, lagje më lagje, qytet me qytet. Duhet ti përballim edhe me bilancin tonë të investimeve gjatë viteve që kemi qenë në qeverisje, jo se ne shohim prapa, përkundrazi, por që t’ju provojmë me fakte të pakundërshtueshme dështimin e tyre.
Në fuksion të një opozitarizmi më kapilar e më konkret, që mbështetet në fakte, degët duhet të institucionalizojnë mbledhen dhe përpunimin e përditshëm të informacionit rreth zhvillimeve në degën dhe rrethin përkatës; të institucionalizojnë deklarimin periodik të qëndrimeve dhe propozimeve përmes komunikatave, konferencave të shtypit dhe tryezave tematike, duke shfrytëzuar takimet e drejtpërdrejta me njerëzit dhe grupet e interesit, median lokale e qëndrore, internetin dhe mundësitë e pakufishme të telekomunikacionit sot.
Drejtuesit lolakë të PD-së të bëhën promotorë të debateve të hapura, të marrin pjesë në këto debate, të thonë të vërtetën, të mbrojnë të vërtetën, të denoncojnë me fakte dhe emra konkretë abuzimet dhe abuzuesit, spekullimet dhe spekullantët, korrupsionin dhe të korruptuarit, paaftësinë dhe të paaftët. Çdo rreth ka specifikat e veta, që do të thotë se përtej direktivës së përgjithshme që po shtrojmë sot këtu, çdo degë duhet të veprojë sipas rrethanave, duke zgjedhur mënyrat dhe mjetet më të përshtatshme për të bërë opozitë. Ajo që dua të nënvizoj është se puna e gjithsecilit prej të zgjedhurve në Partinë Demokratike në këtë fazë ku ndodhemi matet e do të matet me vëllimin dhe cilësinë e opozitarimit tonë në zonën përkatëse. Qytetarët, zgjedhësit, njërëzit në përgjithësi duhet të shohin me sy e të dëgjojnë me veshë se përveç opozitës që bëhet çdo ditë në qendër, ka edhe një opozitë të fuqishme vendore që adreson problematika dhe situata vendore. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme.
Ne jemi opozita, por jemi njëkohësisht alternativa. Ndaj, një detyrë tjetër shumë e rendësishme për degët e PD-së në rrethe është identifikimi i burimeve vendore njerëzore dhe natyrore të zhvillimit, mbështetja dhe angazhimi i këtyre burimeve. Po përgatisim udhëzimin për ngritjen e departamenteve pranë degëvë të Partisë Demokratike. Në këtë udhëzim i kemi dhënë një rëndësi konceptimit të departamenteve specifike nga vetë degët në vartësi të resurseve të veçanta që ka çdo rreth. Me specialistët më të mirë vendorë, me mbështetje nga partia në qendër, me përvojën që kemi grumbulluar, me asistencë nga partnerët tanë të sipërmarrjes së lirë, botës akademike, organizatave të Think-Tank-ut në Shqipëri dhe aleatëve tanë në Perëndim, çdo degë e PD-së duhet të ketë njohuri të thella e të sakta në çdo moment për gjendjen e prodhimit dhe investimeve në rrethe, për resurset në shfrytëzim dhe për resurset e fjetura; çdo degë duhet të përgatisë projektin e zhvillimit të rrethit mbështetur në vlerësimin shkencor dhe racional të kapaciteteve dhe mundësive në kushtet e hapjes dhe shkëmbimeve të lira, në kushtet e konkurencës. Këto kontribute do të integrohen në projektin e madh të PD-së, do të jenë pjesë e programit tonë elektoral dhe qeveritar për Shqipërinë dhe qytetarët. Puna e të zgjedhurve në Partinë Demokratike matet e do të matet edhe më aftësinë tuaj për të angazhuar forca të afta, për të hartur programe konkrete dhe efikase zhvillimi në nivel vendor në çdo rreth.
Të dashur miq,
Hapja, përtëritja, modernizimi, opozitarizmi dhe alternativa janë disa nga detyrat e saj imediate, aq edhe të përhershme të kryetarëve të Partisë Demokratike, gjithë të zgjedhurve të saj. Përpara kemi ngjarje të mëdha që do të kërkojnë angazhimin maksimal të gjithsesilit, kemi Kuvendin Kombëtar të Partisë që piksëpari do të vulosë nisjen tonë të re drejt fitores.
E thamë në fillim të kësaj fjalë se përfundimi i zgjedhjeve në parti nuk është fundi, por fillimi. Besoj se jemi në një mendje. Fillim dhe çfarë fillimi, apo jo?
Shumë faleminderit për vëmendjen.
Urime dhe suksese edhe njëherë të gjithëve
Rroftë Partia Demokratike.