Zëdhënësja Vorpsi denoncon heshtjen dhe papërgjegjshmërinë e Ministrit të Punës, i cili në janar dha garancinë e tij për kushtet teknike dhe të sigurisë në Hidrocentral

 

 

Aksidenti tragjik që u mori jetën tre punëtorëve në Hidrocentralin e Qafë Mollës, është ngjarje e rëndë dhe meriton të hetohet me shpejtësi nga prokuroria.

Por një nga përgjegjësit për humbjen e këtyre jetëve, është padyshim Erion Veliaj, i cili jo vetëm ka autoritetin dhe detyrën për të garantuar sigurinë, por bash si Ministër i Punës, ai në janar të këtij viti ishte pikërisht në këtë kantier, dhe dha konfirmimin e tij zyrtar për kushtet e punës.

Tre punëtorët mund të ishin mes nesh sot, nëse Ministri i Punës do ti shqyrtonte me kujdes e përgjegjësi rrethanat, pra nëse do ta bënte si duhet punën e tij.

Nëse ju kujtohet, Erion Veliaj e farkëtoi karrierën e tij politike kur ishte në opozitë, si demagog i nëntokës. 

Ai ishte shpirti më i ndjeshëm për minatorët, dhe punëtorët si tre viktimat e fundit, të ndjerët që punonin në galeri të thella deri në 1600 metra në kushte mizerabël, sic thonë kolegët e tyre.

A e keni parë këto ditë Erion Velinë të thotë një gjysëm fjale për këtë aksident tragjik që mori tre jetë, ngjarje për të cilën ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë. As edhe një gjysëm fjale.

Eshtë parë Ministri i Punës në krye të dafrungës në zonën e tij elektorale me shampanjë në dorë, por asnjë minutë nuk ka pasur ai për punëtorët e nëntokës.  

Prokuroria duhet të hetojë dhe të bëjë drejtësi.

Por para opinionit publik sot, përgjegjësi numër një për humbjen e këtyre jetëve, është Erion Veliaj.