Deklaratë e Partisë Demokratike
Edi Rama po thyen edhe rekordin personal të papërgjegjshmërisë duke hyrë në ditën e 31-të të heshtjes, pas vërtetimit me fakte e prova të inkriminimit që i ka bërë parlamentit. Opinioni publik, mbarë qytetarët mësuan me anë të dokumentave se Edi Rama i dha mandatin dhe imunitetin e deputetit, të dënuarit për trafik prostitucioni në rrethana rënduese dhe rrëmbim personi. Një akt i paprecedent në 23 vitet e demokracisë sonë, për të cilin Edi Rama heshti ditën kur gjithë shqiptarët u tronditën nga dosja kriminale e Arben Ndokës, dhe hesht edhe sot e kësaj dite. Që rilindja e Edi Ramës ishte një ngjizje e aleancës me krimin kjo është parë herët dhe është denoncuar vazhdimisht nga Partia Demokratike. Por edhe pse është themeluesi i kësaj aleance, qytetarët sërish prisnin që Edi Rama të reagonte pasi faktet e rënda dolën në dritë. Siç do të kishte reaguar çdo kryeministër i një vendi anëtar të NATO-s. Por Edi Rama hesht e bën të paditurin. Mosdhënia e llogarisë dhe papërgjegjshmëria janë tiparet kryesore të këtij kryeministri. Heshtja e tij 31 ditore pas sulmit ndaj opozitës në parlament prej instrumentave të dhunës, banditë që ai i ka dhënë karrike në kuvend, nuk ndihmon aspak në harresën e burimit të tensionit të skajshëm , përkundrazi e bën më të gjallë dëshminë e aleacës kriminale të Edi Ramës dhe pasojat që kjo ka sjelle në kulmimin e krizës politike në vend.