Deklaratë e deputetit Igli Cara

 

 

 

 

 

Jam sot para jush si deputet i Partisë Demokratike dhe qytetar i këtij vendi për të denoncuar e bërë transparencë mbi kriminalizimin që Edi Rama – kryeministër, po i  bën çdo ditë shtetit, parlamentit e gjithë politikës shqiptare.

Edi Rama prej 39 ditësh hesht, hesht përpara dhunës e sulmit banditesk të organizuar prej tij ndaj deputetëve të opozitës. Dhuna si mjet force e represioni politik ndaj opozitës mbetet burim tensioni e krize politike, mbetet dhe nuk zhuritet as nga vapa e gushtit dhe as nga pushimet e qeverisë.

Prej 39 ditësh Rama hesht përballë gjithë fakteve që dëshmojnë inkriminimin e Kuvendit të Shqipërisë, Kuvendit të një vendi ku përpjekjet e shqiptarëve në 24 vite bënë që  sot të gëzojë statusin e kandidatit për në Bashkimin Europian

Askush nuk mund të guxojë t’i mbyllë gojën opozitës, shqiparët  nuk do ta lejojnë, madje nuk do ta lejojnë dhe ata të 1 milion shuplakave. Shqiptarët nuk pajtohen më as me dhunën politike dhe as me skandalet që plasin çdo ditë e gjithëkund, pas provave e fakteve për deputetë të dënuar për prostitucion a rrëmbim personi apo zyrave të partisë që përfundojnë në skandale seksuale.

Partia Demokratike, ne deputetët e saj, nuk do të pranojmë dhe nuk do të lejojmë që Edi Rama të vendosë në politikën shqiptare e në Kuvendin e Shqipërisë standardin e tij, të trafikantit deputet, e të deputetit dhunues të opozitës e opozicionit në këtë vend.

Ne demokratët do të jemi çdo ditë në këtë foltore, në çdo zyrë, institucion, fshat e qytet për të denoncuar e bërë transparencë mbi kriminalizimin e politikës, e këtë do bëjmë  me fjalën tonë, vullnetin politik dhe respektin për shqiptarët.