Deklaratë e deputetit Gerti Bogdani
Partia Demokratike denoncon përpjekjet e qeverisë dhe ministrave për të mohuar krimin mjedisor me ndërtimin pa leje që ka ndodhur 100 metra larg shtëpisë së Kryeministrit në Dajt.
Deputeti Gerti Bogdani ishte sot në vendin ku po bëhet ndërtimi, dhe akuzoi Kryeministrin për standartet e dyfishta që përdor në rastin e ndërtimeve paleje dhe trajtimit të terrenit.
“Para disa ditësh, Kryeministri i cilësoi masakrat mjedisore si krime të rënda që duhen ndërshkuar rëndë. Këtë masakër mjedisore që ndodhet prapa krahëve të mi këtu në Surrel, e kemi denuncuar disa herë si Parti Demokratike. Kemi zgjedhur këtë, sepse ndodhet në rrugën që të çon në shtëpinë e re të kryeministrit. Pra bëhet nën hundën e kryeministrit i cili në këtë rast nuk ka as sy të shikojë dhe as veshë të dëgjojë, ndryshe nga gjithë rastet e tjera kur i vë tritolin apo rruspat ndërtimeve me leje apo pa leje të qytetarëve shqiptarë, që i bëjnë me mundin dhe djersën e tyre, të emigratëve shqiptarë që kthehen nga emigracioni ku kanë vuajtur për të ndërtuar një jetë më të mirë në Shqipëri. Për ta, kryeministri shqiptar, nuk mendon një moment më shumë por i vë tritolin dhe i shkatërron. Në këtë rast duket që kryeministri mbyll sytë dhe veshët dhe kjo ndodh sepse kryeministri ka marrë vetëm një masë nëpërmjet ministrit Veliaj i cili është munduar të bllokojë nëpër media lajmin për këtë masakër mjedisore duke vërtetuar kështu lidhjet e tij të drejtpërdrejta dhe lidhjet personale me këtë rast, me këtë krim që i bëhet mjedisit shqiptar. Duket që qeveria Rama është një qeveri që operon me dy standarde. Është një qeveri që i mashtroi qytetarët shqiptarë më 23 qershor për t’i dhunuar sot dhe për t’i rrënuar akoma edhe më shumë”, u shpreh Bogdani.