Deputeti i PD, Gent Strazimiri paraqet prova e fakte se si krerët e Policisë së Shtetit pranojnë dështimin, ndryshe nga propaganda qeveritare e kryeministrit. 

 

 

Edi Rama e ka kthyer Policinë e Shtetit në gjymtyrën e tij të propagandës për aksionet e zhurmshme mediatike. Dhe rezultatet në realitet, në terren, aty ku jetojnë çdo ditë qytetarët janë katastrofike; 

vrasjet janë shtuar, 

vjedhjet e grabitjet po ashtu. 

Aksidentet marrin çdo ditë jetë.

Ndërkohë, policia e shndërruar në një strukturë partiake që merr urdhëra politikë, ka rritur arbitraritetin ndaj qytetarëve.

Po tregojmë sot disa të vërteta që i pranojnë vetë krerët e Policisë së Shtetit. Kemi këtu një letërkëmbim të Shefit të Qarkullimit të Tiranës, me kolegët dhe eprorët e tij.

Në këtë komunikim, evidentohet me sinqeritet një situatë krejtësisht e ndryshme nga ajo që paraqet propaganda qeveritare.

Shprehimisht, thuhet se:  

“Konstatohet mungesë korrektësie në kryerjen e detyrës; 

moszbatim i procedurës standarde në lidhje me ndalimin, verifikimin dhe marrjen e masave ndaj drejtuesve të mjeteve. 

Konstatohet se në orët e vona të natës, vendosen gjoba vend e pa vend dhe pa prezencën e drejtuesit të mjetit nëpër rrugicat e lagjeve”.

Kjo është situata e vërtete e funksionimit të policisë së rilindur. Çfarë do të bëjë Kryeministri; a do t’ua kthejë qytetarëve paratë që u ka marrë me dhunë dhe jashtë rregullit ?!

Kemi këtu një letër-porosi të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, ku pranohet dështimi me lojërat e fatit. Shprehimisht, thuhet se; 

“Këto mangësi, vijnë nga mungesa e profesionalizmit të oficerëve në kryerjen e veprimeve të para proceduriale, në mosbashkëpunim me organin e prokurorisë, si dhe nuk përjashtohen rastet edhe të mungesës së seriozitetit në kryerjen e veprimeve hetimore”.

Çdo të thotë tani Kryeministri për aksionin, që në fakt rezultoi se nuk ishte aspak “Fundi i marrëzisë” por as “marrëzia e fundit”. Marrëzitë me policinë nisën që ditën e parë dhe vazhdojnë.

Shkarkimi masiv i profesionistëve dhe zëvendësimi i tyre me militantë, me numërues të parë e oborrtarë partie, ka sjellë rezultatet që i prekin cdo ditë qytetarët e vendit, me përkeqësimin e rendit dhe sigurisë publike, dhe me rritjen e arbitraritetit të policisë që përdoret nëpër aksione me marrëzi të pafund propagandistike e deri në përfshirje direkte të rilindasve në uniformë në trafik droge.

Dhe kjo vetëm në 300 ditët e para… Në thelb ka vetëm një përkufizim:

“Qeveria urdhëron qytetarët…të ndjehen më të sigurtë…”