Koordinatori Salianji denoncon dhunën e strukturave qeveritare ndaj biznesit për qëllimet klienteliste ç’ka rrezikon mijëra vende pune

 

Partia Demokratike denoncoi dhunën dhe presionin e strukturave qeveritare që i është ushtruar një biznesi të madh në Vlorë ku punësohen me qindra qytetarë. 

Përfaqësuesja e këtij biznesi Marina Kapino u shpreh për mediat se struktura qeveritare të CEZ dhe Policisë së Shtetit kanë dhunuar ambjentet e biznesit pa pasur asnjë shkak apo mandat ligjor. “Jam përfaqësuese e këtij biznesi në Vlorë, një biznes i konsoliduar prej 24 vitesh dhe i shtrirë në dy aktivitete, në fason dhe dyer alumini. Shqetësimi im kryesor është tendenca dhe sulmi nga drejtori i CEZ në Fier Arjan Fasku në bashkëpunim me shefat e Policisë së Vlorës ku për interesa personale dhe klienteliste dëshiron bllokimin e kësaj veprimtarie, të aktiviteteve tona kryesore, duke lënë kështu të paktën 200 persona të papunë. Por edhe duke prishur një kontratë bashkëpunimi me gjermanët ku do të siguroheshin të paktën 3 mijë vende pune. Jo më larg se dje, organe policore kanë hyrë me tendencë dhe dhunë në repartin tone, pa një mandat apo pa shkresën më të thjeshtë”, tha Kapino.

Koordinatori për Mbrotje Ligjore dhe Denoncimet në PD Ervin Salianji deklaroi se ky arbitraritet ndaj biznesve është raliteti i lirisë ekonomike në vend. 

“Ndërkohë që propaganda e agjencive qeveritare propagandon me taksat e taksapaguesve shqiptarë suksese në fushën e biznesit, gjendja reale e biznesit është kjo që shohim këtu. Biznesi është në gjendje dhune, në gjendje terrori. Pa mandat kontrolli, Policia përdoret si të jetë polici private në shërbim të një drejtori apo shefi policie. Banditët dhe gjobvënësit tashmë nuk janë më me maska por janë të veshur me autoritet shtetëror dhe qeveritar. Sukseset imagjinare të biznesit janë vetëm në konferencat e sukseseve imagjinare të qeverisë ndërkohë që këtu në terren biznesi përballet me këto vështirësi. Këtu në terren biznesi nuk di kujt t’i drejtohet. Asnjë institucion qeveritar nuk reagon pasi ka gati dy javë që i ushtrohet terror psikologjik, ashtu edhe ndaj punëtorëve. Kjo gjendje ndikon në përkeqësimin e klimës së biznesit dhe në përkeqësimin e lirisë ekonomike në Shqipëri. Kjo gjendje ndikon në lënien pa punë të mijëra punëtorëve të cilët mbajnë familjet e tyre nga ky biznes. Qeveria në vend që t’i japë një dorë dhe ta konsiderojë si partner biznesin, e konsideron si armik dhe i vendos shkelmin në fyt për ta mbytur dhe asfiksuar totalisht”, tha Salianji.

Kryetar i PD-së në Vlorë Moisi Meminaj deklaroi se biznesit po vuajnë edhe mungesën e thellë të energjisë elektrike në zonën e bregut të Vlorës, ndonëse ndodhemi në kulmin e sezonit turistik.