Denoncim i Koordinatorit Salianji me një grup të rinjsh që kanë aplikuar për punë por nuk kanë marrë asnjë përgjigje
Partia Demokratike denoncon mashtrimin dhe propagandën boshe me Zyrat e Punësimit. Koordinatori Ervin Salianji ishte sot me një grup të rinjsh të profesioneve të ndryshme, të cilët kanë aplikuar për punë prej muajsh, por ende nuk kanë marrë përgjigje.
“Humbja e vendeve të punës është një nga zhvillimet dhe ngjarjet më të rënda të ndodhura në këto 300 ditë. Politikat e gabuara të qeverisë vendosja e taksës progresive, rritja e procedurave për punësim, kanë dekurajuar sipërmarrësit dhe investitorët për të krijuar më shumë vende të reja pune. Ndërkohë që qeveria nuk po bën asnjë politikë të re për punësimin dhe nuk po punëson asnjë njeri. E vetmja zgjidhje që jep qeveria, janë këto fasada të bukura të zyrës së punës, ndërkohë kushdo qytetar që aplikon në këto zyra përballet me mashtrim dhe me neglizhencë. Jam sot këtu me një grup qytetarësh të profesioneve të ndryshme të cilët kanë aplikuar tek zyrat e punës dhe janë pa punë. Vjola, për mësuesi, e cila ka aplikuar në Maj, është Esati që ka mbaruar për teknologji informacioni dhe është i papunë, Ermali për fizioterapi, Selimi jurist, Eno ekonomist i papunë i cili ka aplikuar në zyrat e punës dhe vazhdon që të jetë i papunë. E vetmja zgjidhje që jep kjo qeveri është propaganda boshe dhe mashtrimi, ndërkohë që të vetmit persona që punësohen me këtë qeveri janë personat e inkriminuar dhe personat me diplomë falso”, u shpreh Salianji.
Salianji e bëri denoncimin para Zyrës së Punësimit të Tiranës.