Edi Rama del hapur në mbrojtje të një falsifikimi, të një mashtrimi që është vepër penale.
Kryekontrollorja e tij për arsimin, rezulton se ka një diplomë false për doktoraturën e saj, dhe që e ka përdorur këtë dokument në aplikimet që ka bërë për punë.
Botërisht është mësuar se qendra që jepte të tilla doktoratura, ishte fantazëm, dhe është mbyllur nga Ministria e Arsimit në vitin 2007. Lajmi është bërë publik, dhe ka qënë prezent në të gjitha mediat.
Kryekontrollorja e cilësisë së universiteteve, ka qënë ndoshta një nga viktimat e mashtruesit francez, i cili është dënuar nga Gjykata e Tiranës.
Por përdorimi më vonë i këtij dokumenti, pasi i madh e i vogël e kanë marrë vesh spekullimin e francezit, e bën zonëjn Isufaj dy herë fajtore.
Dhe sigurisht, e bën Edi Ramën, njësoj fajtor, i cili del hapur në mbrojtje të falsifikimit, të mashtrimit.
Mirëpo, Rama nuk merret me faktin, se po të merrej me faktin, do të duhej të merrte masa ndaj personit me diplomë të falsifikuar dhe që mashtron duke e shfrytëzuar këtë dokument të pavlefshëm.
Rama driblon, dhe mundohet t’i ikë të vërtetës, duke bërë sulme personale. Kjo është për fat të keq kultura e një Kryeministri që nuk mban asnjë lloj përgjegjësia, që nuk njeh asnjë llogaridhënie.
Deklaratë e koordinatores për mediat, Silvi Bardhi, 15 Gusht 2014