Deklaratë e deputetit Eduard Halimi

 

 

 

 

 

Ndërsa sot në Berlin mbahet një Samit shumë i rëndësishëm për rajonin tonë, Edi Rama ka urdhëruar deputetet e tij, të shkelin me arrogancë Kushtetutën e vendit, rregulloren e Kuvendit, me qëllimin e vetëm për të kapur institucionet e pavarura, sistemin e drejtësisë dhe për të vijuar në rrugën e arrogancës, arbitraritetit, autoritarizmit ekstrem dhe oligarkisë.

Pa filluar akoma sesioni parlamentar, ashtu siç parashikon neni 74 i Kushetutës, Edi Rama ka urdhëruar deputetët e tij të mblidhen në komisionin e ligjeve për të shkelur ligjin dhe Kushetutën, dhe për të rrëzuar dekretet e Presidentit, e për ti treguar mbarë opinonit publik por dhe partnerëve ndërkombëtarë, se nuk pyet për ligj, nuk pyet për Kushtetutë, nuk pyet për askënd mbi tokë dhe se nuk ndalet drejt rrënimit të Kushetutës së vendit, injorimit të ligjit dhe rregulores së parlamentit dhe se arrogancën e tij nuk e ndal askush. Për ti treguar të gjithëve se paketa e tij e ligjeve e cilësuar nga ekspertët ndërkombëtarë si një paketë antieuropiane dhe si kërcënim për të gjunjëzuar drejtësinë, do të miratohet sërish me arrogancë edhe pse e di shumë mirë se nuk do i qëndronte asnjë minutë në këmbë një gjykimi kushtetues.

Sipas Kushtetuës dhe Rregullores së Kuvendit, sesioni i ri parlamentar mblidhet javën e parë të shtatorit.

Por Komisioni i Ligjeve është urdhëruar të mblidhet më datë 29 gusht me rend dite shqyrtimin e Dekreteve të Presidentit të Republikës për rikthimin e 4 projektligjeve të miratuara gjatë seancës së fundit dhe për ti miratuar sërish ato me të njëjtën permbajtje që i ka firmosur Edi Rama. Arroganca dhe injorimi që iu bë partnerëve në korrik, të cilët kërkuan mosmiratimin e ligjeve brenda natës, pa konsultim, dhe në shkelje të parimeve kushtetuese të ndarjes së pushteteve, po përsëritet nga Rama dhe ushtarët e tij, që po përgjigjen sërish me arrogancë duke kërkuar shqyrtimin  e Dekreteve të Presidentit, në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. 

Neni 74 i Kushtetutës parashikon se Kuvendi i zhvillon punimet vjetore në dy sesione. Sesioni i parë fillon të hënën e tretë të janarit dhe sesioni i dytë të hënën e parë të shtatorit. Duke qenë se Kuvendi mblidhet për herë të parë në këtë sesion të hënën më datë 1shtator, atëherë në këtë seancë nuk mund të shqyrtohet asnjë çështje tjetër përveç miratimit të Programit të Punës dhe Kalendarit të Punimeve të Kuvendit. Nuk ka asnjë Kalendar të Punimeve dhe as Program  Pune, ku të jetë përcaktuar që Dekretet e Presidentit do të shqyrtohen në seancën e datës 1 shtator 2014. I vetmi kalendar është axhenda personale e  Edi Rames i cili sillet me Shqipërinë si një oligark në oborrin e vetë, ku ligji dhe Kushtetuta nuk janë asgjë para urrejtjes patologjike ndaj institucioneve të pavarura dhe etjes për të uzurpuar drejtesinë një orë e më parë.

Nenet 26, 27 dhe 29 të Rregullores së Kuvendit parashikojnë shprehimisht se  Kuvendi i zhvillon punimet në seancë plenare dhe në komisione, sipas një programi të caktuar, i miratuar nga Konferenca e Kryetarëve dhe Kuvendi, se është kryetari i Kuvendit ai që i propozon Konferencës së Kryetarëve kalendarin e punimeve të Kuvendit për një periudhë 3 javore dhe se  Kalendari  bëhet i detyrueshëm për zbatim vetëm pasi miratohet në seancën plenare.

Asnjë komision i Kuvendit nuk mund të shqyrtojë një çështje që nuk është miratuar në programin e punës dhe kalendarin e punimeve që është miratuar në seancë plenare.

Shqyrtimi i Dekreteve të Presidentit nga Komisioni i Ligjeve më datë 29 gusht 2014, dhe përfshirja për votimin e tyre në seancën e datës 1 shtator 2014, po bëhet në kundërshtim flagrant me nenin 74 të Kushtetutës, si dhe neneve 26, 27 dhe 29 të Rregullores së Kuvendit. Mbledhja të deputetëve për shqyrtimin e Dekreteve që mbahet pa u thirrur sipas rregullores, e cila eshte e detyrueshme te zbatohet sipas nenit 75 të Kushtetutes,  nuk sjell asnjë pasojë  sipas nenit 78/2 të Kushtetutës dhe është nul.

Këtë thotë Kushetuta dhe rregullorja e Kuvendit, e zezë mbi të bardhë. Por Kryeministri dhe kryetari i Kuvendit nuk duan t’ia dinë as për Kushtetutë dhe as për ligj. 

Kryeministri niset ditën, niset për të marrë pjesë në një samit të rëndësishëm të Ballkanit dhe natën urdhëron kapjen e drejtësisë nga ushtarët e tij që të verbër e ndjekin në rrugën e arrogancës dhe autoritarzimit.

Partia Demokratike i bën thirrje mazhorancës që të respektojë nen për nen Kushtetutën dhe rregulloren, të lexojë me qetesi dekretet e presidentit, të presin ekspertizën ndërkombetare që do të analizojë një me një të gjithë paketën antikushetutese dhe antieuropiane të hartuar natën, dhe të ndërpresin kapjen politike të institucioneve të pavarura. Çdo hap tjetër, veçse do të rëndonte krizën politike në vend, do përkeqësonte demokracinë dhe do vinte në rrezik fatet e vendit.