Kryetari i Partisë Demokratike shpreh shqetësimet e opozitës mbi arbitraritetin e qeverisë dhe përkeqësimin e treguesve të ekonomisë
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti përfaqësuesit e Bankës Botërore në Tiranë në një takim ku u bë një prezantim i detajuar i punës së këtij institucioni dhe ideve e këndvështrimeve të opozitës mbi ekonominë.
Kryetari i Partisë Demokratike ndau me delegacionin e Bankës Botërore shqetësimin për përkeqësimin e ekonomisë dhe pasojat e drejtpërdrejta si papunësia në rritje dhe rënia e fuqisë blerëse të konsumatorit shqiptar.
Veprime antiligjore nga ana e qeverise, si prishja e kontratave dhe koncesioneve, prishja e ndërtimeve me leje, mosrespektimi i vendimeve të gjykatave, kanë thelluar pasigurinë ligjore dhe përkeqësuar gjendjen në të gjithë sektorët e ekonomisë. Qeveria nuk ka asnjë vizion dhe i mungon vullneti për të marrë masa konkrete. Ka vetëm propagande dhe show mediatik, por asnjë plan konkret në mbështetje të zhvillimit. Biznesi dhe punëkërkuesit përballen me indiferencen dhe arbitraritetin e qeverisë çdo ditë.
Kryetari i Partisë Demokratike shtroi rëndësinë e transparencës duke shprehur shqetësimin për manipulimin e statistikave nga që publikohen. “Ju inkurajojmë maksimalisht që ti tregoni shqiptarëve gjithnjë të vërtetën, sfidat dhe rreziqet me të cilat ata përballen”, theksoi kryetari i Partisë Demokratike.