Kryetari i Partisë Demokratike informon partnerët për gjendjen e rëndë të demokracisë në vend.
Prononcimi për mediat
Basha: Sot takova kryetarin e ri të grupit parlamentar më të madh të Parlamentit Europian të PPE, Weber ku ne bëjmë pjesë, për ta informuar mbi gjendjen në Shqipëri. Shqetësimet që ndava me të janë të njohura për PPE, për Parlamentin Europian, madje edhe për europarlamentarët e majtë. Janë shqetësime që kanë të bëjnë me regresin që Shqipëria po bën në fushën e demokracisë, shtetit ligjor, të drejtave të njeriut. Është një kurs krejtësisht i kundërt me atë që priste BE, pas marrjes së statusit kandidat, është një kurs i rrezikshëm për Shqipërinë dhe unë e informova për vendosmërinë e PD, të opozitës shqiptare, që së bashku me qytetarët shqiptarë të bëjnë gjithçka për të ndalur këtë revansh antidemokratik që cënon jo vetëm arritjet e deritanishme të Shqipërisë por edhe ato që dëshiron çdo shqiptar, rrugën e mëtejshme të Shqipërisë drejt integrimit europian.
Pyetje: Në fakt, vetë z. Weber në një intervistë që dha se ai është i shqetësuar për mosrespektimin e parimeve demokratike në Shqipëri dhe se kjo do të vononte shumë edhe hapjen e negociatave të Shqipërisë. Çfarë impakti mund të ketë kjo për vendin?
Basha: Çifti Rama-Meta, pas marrjes së statusit duket se ka braktisur totalisht axhendën europiane dhe i është përkushtuar një axhende oligarkike e cila jo vetëm nuk shfrytëzon mundësitë e Shqipërisë për të ecur përpara por po zhbën edhe arritjet që çuan tek marrja e statusit. Ka provokuar një krizë parlamentare përmes shkeljes së Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese që i japin opozitës parlamentare të drejtën e komisioneve hetimore parlamentare, për transparencë dhe llogaridhënie të ekzekutivit para qytetarëve shqiptarë dhe së fundmi ka dhunuar fjalën e lirë, opozitën në Parlament përmes një grupi të strukturuar dhune të përbërë nga deputetë me precedentë kriminalë të cilët janë zgjedhur enkas nga Rama dhe janë futur në Parlament, pikërisht që të bëjnë “xhandarin” kundër fjalës së lirë.
Dyshja Rama-Meta ka instaluar konfliktualitetin më të egër në 23 vite të Shqipërisë pluraliste, ka goditur shtyllat e demokracisë, ka asgjësuar bashkëjetesën demokratike përmes përpjekjes për ta nxjerrë opozitën jashtë Parlamentit, ku në fakt në këtë mënyrë ka nxjerrë Parlamentin jashtë sistemit dhe vazhdon të promovojë gjuhën e konfliktit, të dhunës. Shikoni se ç’bën në Kavajë, me rrëzimin e monumentit të demokracisë, ditën kur ndodh Dialogu i Nivelit të Lartë! Edi Rama ndryshe flet në konferencë për shtyp, ndryshe flet me vepra, duke shkatërruar simbolin e lirisë dhe demokracisë për të gjithë shqiptarët, jo vetëm për demokratët.