Prononcimi për mediat i Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha

 

Pyetje: Z Basha, a kishit një vendimarrje të re sot?

Basha: Jo, vendimmarrja e mbledhjes së Kryesisë së Grupit ishte sot ishte të përcaktonte modelet e punës në mënyrë që e gjithë opozita parlamentare ti përgjigjet me një punë sistematike arbitraritetit të shumicës dhe të ndjekë në mënyrë të përditshme, të përjavshme çështjet, ligjet, vendimet që kjo shumicë propozon apo kalon në Kuvendin e Shqipërisë. 

Por sot do të doja të prononcoj një çështje tjetër. Të gjithë jemi dëshmitarë të jetës politike në vend, të këtyre 23 viteve. Ka ndodhur dhe do të ndodhë që Presidenti kthen mbapsht ligje të miratuara nga Parlamenti. Sikundër ka ndodhur dhe do të ndodhë që parlamenti të hedhë poshtë dekretet e Presidentit. Dhe pavarësisht prej arbitraritetit të shumicës Rama-Meta, deri këtu jemi në kufinjtë e një dialektike normale politike. 

Ajo që është e papranueshme është fakti se kjo shumicë dje, ashtu siç kishte paralajmëruar, i hodhi poshtë dekretet e Presidentit pa asnjë argument dhe argumentim. 

Presidenti i Republikës nga ana e tij i bëri publike argumentet e tij, i publikoi, i bëri transparente argumentet juridik sipas të cilave asnjë prej ligjeve të kaluara me nxitim në seancën e 31 Korrikut nuk përmbushte testin Kushtetues. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për shqetësimin e shprehur nga partnerët ndërkombëtarë për nxitimin e kësaj shumice për të kapur drejtësinë, për përjashtimin total të opozitës në hartën, në tortën politike të zgjedhjeve lokale të ardhshme. Por bëhet fjalë për një parim themelor të funksionimit të jetës parlamentare. 

Nuk dëgjuam asnjë argument nga askush. Teza nga u nis shumica për të hedhur poshtë dekretet e Presidentit ishte teza e turpshme e artikuluar nga Edi Rama para disa ditësh që ‘nuk kemi kohë të humbim me mendimet e Partisë Demokratike’. 

I referohet kështu opozitës së vendit çka tregon në vetvete mllefin dhe mungesën totale të dëshirës për dialog apo për të dëgjuar opozitën siç ka qejf të thotë. Nuk humbi kohë, sepse nuk i dha shansin askujt të dëgjohej. Më 31 Korrik i kaloi ligjet. 

Pati një shans kjo shumicë, që të merrte një për një argumentimin juridik të Presidentit të Republikës dhe të shikonte se ku kishte vend, nëse kishte vend për reflektim. Por zgjodhi të mos ta bënte këtë sepse është e verbuar nga kllapia e Edi Ramës për të qeverisur vendin pa opozitë, ose me opozitë dekorative.

Është për të ardhur keq që shumica në bllok është e verbuar tashmë nga kjo kllapi, dhe i lejoi vetes të nëpërkëmbej dhe të binte në këtë nivel, ku dekreteve të Presidentit nuk iu përgjigjën me asnjë argument logjik, juridik, por u rreshtuan si njëherë e një kohë, pas sekretarit të parë dhe votuan, ngritën dorën pa ditur se çfarë po votonin. 

Është indinjuese për Partinë Demokratike, për çdo qytetar që ky qendrim i mbajtur dje në Kuvendin e Shqipërisë u bë me arsyetimin e vetëm se Presidenti qënka gjoja zëdhënës i Partisë Demokratike. 

Është e vërtetë që Presidenti u zgjodh nga një shumicë, pjesë e së cilës tani është pjesë e qeverisë Rama, sikundër është e vërtetë se në Kushtetutën e Shqipërisë parashikohet se Presidenti është mbi palët dhe roli i tij kufizohet në ruajtjen dhe promovimin e ligjit dhe Kushtetutës së vendit dhe këtë ka bërë.  

Nuk i rrijnë dot argumentit dhe përgjigjen me lajthitje si e ëma e Zeqos në majë të thanës. Partia Demokratike do t’i ankimojë një për një të gjitha ligjet në Gjykatën Kushtetuese.

Pyetje: Z. Basha, duke e bërë opozitën për ligjet e kësaj maxhorance nga “Selia Blu”, a nuk mendoni se po krijohen struktura paralele?

Basha: Partia Demokratike, aktiviteti i opozitës shqiptare, është aktiviteti normal i çdo opozite. Nuk është zgjedhja jonë që jemi jashtë Kuvendit të Shqipërisë. Është Edi Rama dhe Ilir Meta që e kanë llogaritur regjimin e tyre pa opozitën ose me opozitën dekorative. 

Se çfarë shpjegimi tjetër ka, që kur opozita kërkon një të drejtë që ia jep Kushtetuta, përshembull komisionin Hetimor Parlamentar, këta e hedhin poshtë?! Opozita shkon në Gjykatë Kushtetuese, Gjykata Kushtetuese ia jep këtë të drejtë, ia njeh këtë të drejtë kushtetuese dhe këta prap nuk e pranojnë!

Cili është roli i Kuvendit këtu, a mund të më thoni? Cili është roli i opozitës në një Kuvend ku Kushtetuta është viktima e parë? Është akti i parë dhe i fundit i dhunimit nga kjo shumicë. 

Dhe kur ngrihet zëri për të denoncuar këtë dhe çështje të tjera, deputetë të opozitës dhunohen barbarisht nga struktura të ngritura dhe të porositura nga kryeministri i vendit. Kryeministri që ka për detyrë t’i mbrojë njerëzit, të mbrojë dhe përparojë jetën Parlamentare, është shkatërruesi i jetës parlamentare. 

Sot në Shqipëri nuk ka jetë parlamentare. Ka një oligarki e cila nuk do Parlament, nuk do debat parlamentar, nuk do opozitë parlamentare por do dekor. Kundër këtij realiteti janë jo vetëm aspiratat e demokratëve, por aspiratat e çdo shqiptari që pret një të ardhme më të mirë për veten dhe fëmijët në këtë vend.

Dhe ne me këtë realitet nuk mund të pajtohemi kurrë. Por nga ana tjetër ne nuk e dorëzojmë atë pjesë të betejës parlamentare që na takon dhe pikërisht aktiviteti i opozitës nuk do të kufizohet vetëm në transparencën, kritikën, debatin e çdo akti parlamentar në komision apo në aulën e Kuvendit, në seancë plenare, por do të shtrihet kudo me qytetarët dhe për qytetarët.

Pyetje: A do të ketë një kohë të afërt se kur Partia Demokratike do të kthehet në Parlament?

Basha: Një nga rreziqet e mëdha të oligarkisë është pandjeshmëria për të vërtetën. Pandjeshmëria për të vërtetën e cila injektohet apo instalohet përmes relativizimit të së vërtetës. Do të thotë që kur faktet, shifrat, gjërat konkrete flasin vet, oligarkët dhe oligarkia investohen në krijimin e një ose disa të vërtetave të tyre paralele, që në fakt janë mashtrime dhe gënjeshtra dhe këtë e bëjnë duke kapur apo nënshtruar zërat e lirë në media dhe shoqërinë civile. 

Është shumë e rëndësishme të kuptohet se drama e këtij vendi, drama e çdo qytetari që sot vuan pasigurinë për bukën e gojës, pasigurinë për vendin e punës apo mospasjen e një vendi pune, pasigurinë për të nesërmen, pasigurinë për jetën dhe pronën, janë pasoja të një regjimi oligarkik që është vendosur në vend. Një regjim që e bën të pamundur tashmë që qytetari të japë përgjegjësi dhe të kërkojë llogari përmes votes, dhe këtu në këtë kuadër nuk ka akt më të rëndë, më të papranueshëm për demokracinë se s

a përpjekja për të asgjesuar opozitën parlamentare, përpjekja për të asgjesuar llogaridhënien sipas Kushtetutës. 

Kur ti i heq opozitës të drejtën kushtetuese të kontrollojë, përmes instrumentave parlamentarë siç janë komisionet hetimore, aktivitetin e qeverisë, kur opozita shkon në Gjykatë dhe e rikonfirmon këtë të drejtë dhe ti prap ia nëpërkëmb, më thuaj cili është roli i opozitës në një Parlament të tillë?! Të jetë pjesë e fotografisë së oligarkëve për t’ia paraqitur botës si gjoja funksionim të jetës parlamentare kur jetë Parlamentare nuk ka?! 

Kur kryeministri shkelmon dy zonja socialiste nga lista për të futur të dënuarin për prostitucion dhe për rrëmbim me qëllimin e vetëm që ta përdorë si xhandar kundër fjalës së lirë dhe opozitës sa herë që opozita të denoncojë me fakte dhe argumenta të vërteta, cili është?! Dhe vet kryeministri nuk mban përgjegjësi, nuk thotë asnjë fjalë, pra i del për Zot. Cili është roli i opozitës në këtë Kuvend?! 

Ky s’është më Kuvend, ky vetëm Kuvend nuk është më.  Por është një dekor i shëmtuar i një regjimi oligarkik. Ky është problemi sot. Dhe përgjigja jonë ndaj këtij problemi është përgjigja e duhur dhe e përgjegjshme. Eshtë një përgjigje edhe për të ruajtur çka mbetur nga koncepti i parlamentarizmit, për ta ruajtur e për t’i mos iu përgjigjur provokimit dhe për ta shndërruar atë në një arenë grushtesh dhe përgjakje. 

Qendrimi ynë dhe bazat e qendrimit tonë janë artikuluar qartë. Me pak vullnet të mirë, mediat nuk do t’ia fshehin apo transformojnë publikut këto arsye të qendrimeve tona. Kërkesa jonë është po kështu e qartë. Jeta parlamentare mund të kthehet me praninë e një opozite të vërtetë dhe jo fasadë, momentin kur shumica pranon rregullat e Kushtetutës, pranon Rregulloren e Parlamentit, nuk shkelmon e opozitës, pranon vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pranon debatin dhe replikën në Parlament dhe nuk godet dhe dhunon fjalën e lirë të opozitës.