Prononcim i Kryetarit të Partisë Demokratike para medias

 

Pyetje: Në kushtet kur opozita nuk është në Parlament dhe ka lënë një zbrazëti në debatin politik, nëse do takonit z.Rama, cilat do të ishin kushtet për të rikthyer deputetët në Parlament?

“Nuk është koha për hamendësime hipotetike. Parlamenti është asgjesuar nga Edi Rama dhe Ilir Meta. Është asgjesuar në dy mënyra. Llogaridhënia parlamentare nuk egziston më. Nuk ka asnjë instrument të llogaridhënies parlamentare. Opozitës i është mohuar e drejta kushtetuese e komisioneve hetimore, edhe kur këtë e ka konfirmuar me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Pra është maxhoranca e cila ka shkatërruar jetën parlamentare në Shqipëri, ka asgjesuar Parlamentin si koncept. Dhe së dyti, instalimi në Parlament i një instrumenti të dhunës të përbërë nga persona të dënuar për trafiqe, prostitucion dhe vrasje, për t’i mbyllur gojën opozitës, tregon qartë se maxhoranca nuk ka për qëllim të ketë një Parlament funksional, por ka për qëllim të ketë një opozitë fasadë. Partia Demokratike nuk ka qënë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë fasadë e oligarkisë apo autarkisë. Ne, jo vetëm që nuk kemi lënë asnjë boshllëk por siç keni qënë edhe ju dëshmitarë ditë pas dite, në debatin politik, kemi marrë jo vetëm çështjet në diskutim nga axhenda e Kuvendit por të gjitha çështjet që shqetësojnë shumë shqiptarët, që ka të bëjë me jetën e tyre, me mirëqënien e tyre, me punësimin e gjendjen ekonomike, me gjendjen e sigurisë, dhe i kemi kthyer këto në një axhendë të fuqishme ku zëri opozitar dëgjohet dhe po dëgjohet kudo; në selinë qendrore, në media, me qytetarët anembanë Shqipërisë dhe do të vazhdojë të dëgjohet.

Kjo është situata aktuale në Shqipëri. Ka një papajtueshmëri midis konceptit të oligarkëve për një parlament me opozitën fasadë, dhe konceptit europian të një Shqipërie moderne dhe europiane që është koncepti i Partisë Demokratike, të një opozite e cila kryen detyrat që i janë ngarkuar me Kushtetutë dhe që nuk ka maxhorancë në botë t’ia mohojë. Ndaj, ndërpreja e marrëdhënieve me Parlamentin është pikërisht për të fokusuar vëmendjen tek nevoja për të rikthyer Parlamentin sepse sot Parlament nuk ka. Ka një asamble njerëzish aty, disa prej të cilëve me të kaluar kriminale, apo me lidhje kriminale sot, por Parlament nuk ka. Dhe kam bindjen e plotë se me forcën e argumentave, me objektiv interesin publik dhe jo interesin politik të opozitës apo të Partisë Demokratike, me mbështetjen e fuqishme të qytetarëve shqiptarë dhe faktorit ndërkombëtar, do t’ia dalim ta shpëtojmë Shqipërinë nga kjo mënxyrë që është asgjesimi i parlamentit dhe jetës parlamentare”.