Fjala e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, në Konferencën mbi marrëdhëniet shqiptaro-gjermane dhe bashkëpunimin mes qendrës së djathtë shqiptare dhe asaj gjermane.
I nderuar z. Schockenhoff,
Zonja dhe zotërinj,
Jemi të lumtur të kemi midis nesh në Tiranë një mik të shqiptarëve, një personalitet të politikës gjermane dhe Europiane. Vizita e z. Schockenhoff është në vazhdimësi të kontributit gjerman në forcimin e standardeve Europiane të Shqipërisë. Ne jemi shumë të nderuar që kemi këtë partneritet të ngushtë me CDU dhe CSU, partitë e qendrës së djathtë gjermane, në nivel bilateral si edhe në kuadrin e familjes së Partive Popullore të Europës.
Marrëdhëniet e Partisë Demokratike si forcë e qendrës së djathtë në Shqipëri me kristiandemokratët e Kancelares Merkel dhe me socialkristianët e Bavarisë, janë një pasuri shumë e çmuar për ne. Një pasuri që ka të bëjë drejtpërsedrejti me mirëqenien e vendit, zhvillimin e vokacionin tonë perëndimor, identitetin dhe vizionin tonë politik të mbështetur në vlerat e lirisë, partneritetit dhe integrimit europian të vendit.
Kemi punuar së bashku prej vitesh në pushtet dhe në opozitë. Ju jemi shumë mirënjohës miqve tanë gjermanë për ndihmën dhe mbështetjen e gjithanshme që i kanë dhënë Partisë Demokratike dhe Shqipërisë. Ne dëshirojmë ta ngremë në një nivel më të lartë këtë bashkëpunim me synimin për ta zhvilluar si model për të gjitha partitë e qendrës së djathtë në Ballkanin Perëndimor, në Europën Qendore e më gjerë.
E djathta moderne gjermane është në pararojë të Europës së sotme. Ajo ka dëshmuar një vitalitet të jashtëzakonshëm përballë recesionit ekonomik global, duke provuar me shembullin e saj së mirë administrimi i krizave mund të kthehet në oportunitet zhvillimi. Mbështetja e lirive sipërmarrëse, stimulimi i punësimit, një qeverisje në ndihmë të prodhimit dhe qytetarit janë parime të së djathtës që po shpetojnë Gjermaninë dhe Europën.
Modeli i të djathtës gjermane na ka frymëzuar e na frymëzon për të ndërtuar Shqipërinë, për të marrë përgjegjësi, për të mos u stepur përpara sfidave, për të guxuar dhe për të fituar bashkë me qytetarët për të mirën e tyre dhe të vendit.
Partneriteti strategjik me qendrën e djathtë gjermane është në themel të modernizimit të Partisë Demokratike. Për fatin e madh të Shqipërisë, partia simotër gjermane e CDU-së i është përgjigjur krahëhapur kërkesës tonë për të na dhënë përvojën e saj të suksesit, për të na ndihmuar pa rezerva në ndërtimin e një alternative dobiprurëse për vendin.
Ndërtimi i një platformë politike sipas modelit të lidershipit gjerman është aspiratë e hershme e shqiptarëve. Nëpërmjet një projekti të përbashkët, konkret dhe shumëplanësh, parashikojmë organizimin bashkëkohor dhe efikas të stukturave tona politike, trajnimin dhe kualifikimin e burimeve tona njerëzore, sidomos të brezit të ri, përgatitjen e agjendës tone politike dhe programit të fitores të Partisë Demokratike.
Duam t’i sigurojmë miqtë tanë gjermanë se do të punojmë fort në këto drejtime duke mbajtur busullën e vlerave tona autentike si parti popullore europiane.
Në përkushtimin tonë për të forcuar demokracinë në Shqipëri ne kemi ndarë e ndajmë me kristiandemokrët gjermanë vlerat e lirisë dhe dinjitetit njerezor si themeli i një shoqërie të lirë e të drejtë. Kemi ndarë e ndajmë gjithashtu parimet e mëdha të demokracisë, të sundimit të ligjit, ndarjes, kontrollit dhe balancimit të pushteteve. Këto janë vlera të civilizimit tonë që i ndajmë me të majtën dhe të djathtën demokratike anembanë botës, si parime përgjegjshmërie në qeverisje.
Ne besojmë se themelet demokratike të shtetit i bashkojnë të gjithë shqiptarët. Ne nuk presim që shumica e majtë të përqafojë pikëpamjet tona për politikat e zhvillimit por minimumi i bashkëjetesës demokratike kërkon respektimin e Kushtetutës dhe parimeve universale të demokracisë. Për fatin e keq të Shqipërisë, pushtetarët e majtë nuk i pranojnë parimet e demokracisë kushtetuese.
Në asnjë vend europian shumica qeverisëse nuk zapton administratën publike, policinë dhe institucionet e pavarura.
Në asnjë vend europian nuk pushohen nga puna mijëra profesioniste të administratës dhe politizohet shteti me militantët e partisë, dhe akoma më keq, me individë me rekorde kriminale.
Në asnjë vend europian nuk refuzohet zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për ngritjen e komisioneve hetimore mbi ligjshmerinë e emërimeve në administratë.
Në asnjë vend europian shumica nuk i hap luftë institucioneve të pavarura, herë me akte antidemokratike, herë me kërcënime e dhunë verbale për t’i intimiduar, për t’i uzurpuar, për t’i detyruar të bëhen vegla të qeverisë.
Në asnjë vend europian nuk bllokohen investimet e pushtetit lokal dhe sektorëve strategjikë.
Në asnjë vend europian nuk zhduken nga harta administrative, pa konsensus politik dhe qytetar, mbi 80% e institucioneve të qeverisjes vendore.
Reforma bëhen në të gjithë botën por ato nuk mund të përdoren si alibi për shkelje të vazhdueshme ligjore dhe kushtetuese, për shkelje parimesh demokratike dhe traditash konsensuale dhe gjithëpërfshirëse. Reforma nuk është licensë për eleminim të shtetit ligjor dhe uzurpim të pushteteve.
Qeveria e sotme e vendit është një kthim pas në rrugëtimin europian të Shqipërisë. Pika kritike u arrit me dhunimin e përsëritur fizik të deputetëve të opozitës. Në epokën e mendjeve brilante, teknologjisë dhe artit të komunikimit, ne ndeshemi me përdorimin e dhunës fizike si në parahistori. Kulturën e parlamentarizmit europian po na e zëvendësojnë me kulturën e burgut ordiner. Nuk është rastësi – krimi ka hyrë në Kuvendin e Shqipërisë.
Pozita ka formuar një grup deputetësh me rekorde kriminale, të rekrutuar, e të drejtuar nga kryeministri i vendit për të bërë xhandarin kundër opozitës në Parlament. Një përfaqësues i krimit ndërkombëtar, i dënuar për trafik prostitucioni dhe rrëmbim personi nga drejtësia italiane, fillimisht u bë deputet nga kryeministri, e më pas u përdor në Kuvend të dhunonte opozitën në krye të detyrës kushtetuese, të transparencës përpara opinionit publik.
Mbi pesëdhjetë herë i kemi bërë thirrje publike kryeministrit të distancohet për këto raste të pashembullta në historinë e parlamentarizmit shqiptar dhe europian. Njeriu që s’pushon së foluri për gjithçka e për këdo, inkurajon me heshtje inkriminimin e politikës.
Po synohet eleminimi i opozitarizmit, i fjalës së lirë dhe po instalohet në Kuvend kultura barbare e
agresionit fizik. Kryeministri dhe ortaku i tij politik, vijojnë të sfidojnë Kushtetutën dhe institucionet e pavarura, decentralizmin dhe demokracinë vendore, sipërmarrjen e lirë, liritë dhe të drejtat njerëzore.
Situata është shumë e rendë. Qeveria Rama-Meta po çon drejt asgjësimit bashkëjetesën demokratike me opozitën, me faktorët e tjerë të shoqërisë që nuk pranojnë t’i nënshtrohen arbitraritetit të saj. Oligarkët e Tiranës duan të qeverisin me dhunë mesjetare në një botë që funksionon sot mbi parimet e lirisë dhe ndarjes demokratike të pushteteve. Ndarja, e shoqërisë, jo uniteti është filozofia e punës të tyre. Me papërgjeshmëri ekstreme po provokohen përplasje të mëdha sociale në vend.
Në këtë situatë të rrezikshme për vendin, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka ndërprerë pjesëmarrjen në Kuvendin e Shqipërisë. Me këtë gjest politik duam të ngremë nivelin e ndërgjegjësimit të opinonit publik dhe partnerëve ndërkombëtarë në lidhje me gjendjen në Shqipëri.
Ne nuk mund të bëhemi bashkëfajtorë me shkeljen e Kushtetutës, dhunimin e parlamentit dhe t’ju bëhemi shokë në arenën parahistorike të dhunës fizike. Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë standardet e civilizimit perëndimor, beteja parimore jo përplasje barbare gladiatorësh.
Por ne po vazhdojmë e do të vazhdojmë opozitën tonë të vendosur çdo ditë, për çdo projektligj, për çdo akt, për çdo vendim, për çdo veprim të qeverisë dhe shumicës.
Në këtë kontekst, ne mirëpresim këshillat dhe ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtare, veçanërisht të miqve të dashur gjermanë. Nëqoftëse na pyesin, do të thonim se ndihma më e mirë është sinjalizimi publik për çdo shkelje të vlerave të demokracisë. Të shprehurit hapur dhe publikisht për çdo ligj dhe akt jo demokratik, ashtu siç u shprehën përfaqësuesit ndërkombëtarë për ndryshimin e ligjit për Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
Ne shqiptarët duam që demokracia jonë të jetë një demokraci e standardeve europiane.
Ne duam ndarje dhe balancim të pushteteve.
Ne duam elita të painkriminuara dhe sjellje politike të civilizuar.
Ne duam konsensus dhe gjithëpërfshirje në çështje thelbësore të ndërtimit të shtetit.
Ne duam shtet ligjor dhe drejtësi të pavarur.
Ne duam liri ekonomike dhe respektim të të drejtave të njeriut.
Ne duam liri të medias, shoqerisë civile dhe zgjedhje të lira e të ndershme.
Për të gjitha këto presim ndihmën dhe partneritetin gjerman. Ne nuk jemi ketu në një betejë opinionesh me kundërshtarët tanë. Jemi në një betejë ekzistenciale për ruajtjen e standardeve demokratike, dhe këtë duhet ta fitojmë për Shqipërinë dhe për Europën.
Falemnderit!