Fjala e Kryetarit të PD Lulzim Basha në mbledhjen e Grupit Parlamentar

 

 

Të nderuar deputetë,

Sot  rifillojmë  takimet tona periodike pas pushimeve të gushtit. Uroj të keni kaluar mirë dhe të jeni kthyer plot me energji, me  vendosmëri dhe besim akoma më të madh në përballimin me sukses  të  sfidave  që  presin Partinë Demokratike, grupin e saj parlamentar, opozitën në tërësi.  

Sot starton gjithashtu një  vit i ri politik,  i dyti i legjislaturës  në vazhdim,  që na ka  vendosur  në rolin  opozitës përballë qeverisë më antidemokratike që vendi ka njohur gjatë 23 viteve të hapjes dhe pluralizimit.  

Një vit më parë, në bazë të rezultatit të zgjedhjeve, ne  bëmë kalimin demokratik të pushtetit në duart e shumicës së majtë,  duke uruar suksesin  e saj për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe duke premtuar nga ana jonë një opozitë të fortë dhe alternative, të mbështetur në fakte, argumente dhe propozime.  Ky ishte dhe do të jetë gjithmonë investimi dhe vizioni ynë për normalitetin dhe  bashkëjetesën demokratike, ku  shumica dhe opozita përmbushin secila  detyrat e veta. E para duke qeverisur, e dyta duke kontrolluar,  ndërkohë që debatojnë por edhe dialogojnë, bashkëpunojnë dhe  bashkëvendosin  në mënyrë  demokratike për çështje madhore  që kërkojnë  jo vetëm politikisht por edhe ligjërisht me Kushtetutë, gjithpërfshirje, konsensus. 

Që prej fillimit shumica Rama-Meta iu përgjigj  me monedhën e kundërt investimit tonë për paqen dhe normalitetin, iu përgjigj  me monedhën e provokimit, arrogancës, konfliktit, luftës. Ata nuk pritën të  uleshin në karriget e pushtetit për të ndërmarrë  revanshin më të egër të mohimit  dhe zhbërjes. U hodhën në sulm të paprecedentë për të kapur  institucionet e pavarura, për ti nënshtruar ato sipas projekt të tyre famëkeq, vunë në lëvizje  politikën e  goditjes me akte antidemokratike  dhe  aktikushtetuese të shtyllave të sistemit, siç janë  zgjedhjet e lira, ndarja demokratike e pushteteve, decentralizmi  dhe demokracia vendore.

Në ketë mënyrë,  shumë shpejt, ata provuan se nuk kanë ardhur për të qeverisur sipas kuptimit që ka qeverisja në demokraci, përmes ligjit, përgjegjësisë dhe transparencës, por për të sunduar sipas mendësisë së vjetër të baballarëve të tyre politikë, të partisë së vjetër-shtet, duke e përdorur demokracinë si fasadë.

Në bilancin e vet njëvjeçar, kjo politikë revanshiste dhe agresive e shkallës  më të  lartë, megjithë  pengesat që  ka hasur  dhe humbjet që ka pësuar në përballjet me  institucionet e  pavarura, opozitën politike,  shoqërinë civile dhe median e  pavarur, ia ka dalë për fat të keq të  shënojë  dy arritje  të zeza. 

Së pari,  të  konturojë dhe  krijojë në kokën e qeverisjes një oligarki  tipike nga ato për të cilat ka folur me shumë shqetësim pak  muaj më parë Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry. Oligarkia, regjimi i një grushti sundimtarësh, tashmë nuk e kemi më një  metaforë apo një rrezik në horizont, por një realitet të hidhur dhe të strukturuar me emra dhe mbiemra konkretë  në qeverinë shqiptare të vitit 2014. Kjo është oligarkia Edi Rama – Ilir Meta dhe një establishment i tërë  me interesa apo rekorde  kriminale, me pozicione dhe detyra të qarta, rreth tyre.  

Së dyti, të godasë për vdekje, për të mos thënë të asgjësojë  bashkëjetesën  demokratike me opozitën,  me palët e tjera, me faktorët e tjerë të shoqërisë shqiptare që nuk  pranojnë të zvarriten apo t’i bëjnë fresk oligarkisë, të asgjësojë pra një vlerë themelore dhe një kusht të domosdoshëm të ekzistencës dhe zhvillimit të shoqërisë së lirë, duke instaluar konfliktin më të ashpër që ka njohur vendi dhe duke u investuar verbërisht në papërgjeshmërinë ekstreme për  përplasje  të mëdha  shoqërore  në vend. 

Ne, Partia Demokratike, opozita shqiptare,  kemi qenë  e jemi shumë të vetëdijshëm se ku kërkon të dalë Edi  Rama dhe ortaku i tij politik Ilir Meta me dorashkat  frenetike të konfliktit që hedhin parreshtur  kundër  opozitës dhe  shoqërisë së  lirë shqiptare. 

Qëkur prishi konsensusin për Nëpunësin Civil në shtator të vitit të kaluar e deri sa shmangu konsensusin  e domosdoshëm  me opozitën dhe qytetarët shqiptarë për reformën administrative-territoriale në korrik të këtij viti.

Qëkur vunë  në zbatim tritolpoltikën kundër ndërtimeve me leje në fillim të mandatit e derisa nxorrën para pak ditësh  me  pasionin antikushtetues  të oligarkëve të fryrë  nga deliri dhe urrejtja ndaj autonomisë vendore një vendim pa vlerë juridike për ndalimin e gjithë sektorit të ndërtimit  në vend, duke hapur një tjetër plagë të   stërmadhe të papunësisë dhe duke luajtur një tjetër rol makabër me bukën e gojës të mijëra e mijëra qytetarëve  që  mbahen nga puna  e ndershme në sistemin zinxhir të ndërtimit.

Qëkur iu qep dhe kapi  me  dhunën e  kartonave të blerë,  institucionin e parë të pavarur, ILDKP e deri te atentati i fundit  kundër sistemit të drejtësisë me ndryshimin e fundit në ligjin e KLD-së, të  kundërshtuar njëzëshëm nga të gjithë partnerët tanë perëndimorë.

Qëkur larguan  dy zonja socialiste për t’i hapur rrugë hyrjes në Kuvend  të një të dënuari për trafik prostitucioni dhe rrembim personi e derisa urdhëroi  të dënuarin  në fjalë të godiste oratorin e opozitës  në foltoren e Kuvendit.

Që nga dita e parë e  qeverisjes e deri sot që po flasim në këtë mbledhje, ne kemi qenë dhe jemi të bindur se  kryeoligarku  Rama  kërkon me çdo kusht ose konformimin dhe nënshtrimin e opozitës, ose përplasjen me “të dalë ku të dalë”. Asgjë tjetër nuk mund të kërkojë, asnjë qëllim tjetër nuk mund të ketë një  qeveri dhe një shumicë që  qeveris në shkelje permanente të  ligjeve dhe të Kushtetutës. 

Nënshtrim  apo  konformim   të opozitës ndaj  oligarkisë  Rama-Meta as ka  patur, as do të ketë kurrë. Partia Demokratike e Shqipërisë  mban në  biografinë e saj një histori të madhe, që fillon me  kontributin e saj  vendimtar për shembjen e rregjimit më të egër komunist të Europës para 23 vjetësh  dhe kulmon me pranimin e vendit në NATO, me heqjen e regjimit të vizave për shqiptarët, me  hedhjen e shtyllave të një Shqipërie të zhvilluar. 

Ne kemi njohur  rrotacionin politik, kemi bërë rrotacion paqësor të pushtetit me kundërshtarët tanë, por nuk do  të lëshojmë kurrë, as një fije, nga arritjet demokratike  të  çertifikuara nga institucionet dhe dokumentat e partnerëve tanë euro-amerikane. Nuk do të lejojmë kurrë, në asnjë lloj forme, restaurimin e rregjimit të etërve nga bijtë. 

Për të mbrojtur kushtetutshmërinë, Lirinë dhe Demokracinë, Partia Demokratike  është dhe do të jetë  në çdo çast në lartësinë  e historisë dhe misionit të saj.

Provokimet e rënda  për konflikt dhe përplasje i kemi shmangur e  do të bëjmë çmos t’i shmangim, ndonëse presioni nga shtresat dhe kategoritë e ndryshme shoqërore të cilëve ju ka shkuar në palcë thika e mashtrimeve dhe arbitraritetit qeveritar, vjen gjithnjë në rritje ndaj nesh. 

Ne kemi kontribuar  si asnjë forcë tjetër politike  për ngritjen në këtë vend të  infrastrukturës së institucioneve demokratike. Ne kemi  punuar dhe ia kemi dalë ta bëjmë funksionale demokracinë e re shqiptare duke ngritur dhe forcuar dora-dora instituc

ionet e saj, pavarësisht se  mbetet  akoma shumë rrugë për të bërë për të arritur standartet më të përparuara europiane. 

Nëse ne nuk do të mbështesim e nuk do të bashkëpunojmë me këto institucione  për  mbrojtjen e demokracisë dhe sprapsjen e oligarkisë, ne do të mohonim veten tonë. Ndaj besojmë se institucionet  që kanë rolin e  rojtarëve të kushtetutës, organet e drejtësisë në tërësi, opozita, shoqëria e lirë civile dhe media e pavarur do të arrijnë të qëndrojnë, siç kanë qëndruar gjatë këtij viti, do të arrijnë të sprapsin dhe t’i tregojnë vendin oligarkisë, kësaj krijese të huaj dhe armiqësore për demokracinë dhe shqiptarët. 

 

Nuk ka dyshim se oligarkia Rama-Meta ka bërë, po bën dhe do të vazhdojë të bëjë dëme të mëdha në vend sa nuk është shkulur nga kolltukët ku është ulur. Varfëria dhe papunësia në rritje, pasiguria në rritje dhe tronditja si asnjëherë e kohezionit shoqëror janëë pasqyra më e qartë e  produktit të saj. Por oligarkia  nuk ka të nesërme. Fati i saj është dështimi i sigurt, humbja, shporrja. 

Sepse oligarkia është në konflikt, në armiqësi, por jo vetëm në konflikt dhe armiqësi, por në papajtueshmëri me  sistemin demokratik. Rama dhe Meta duan të qeverisin si pashallarë, si çifligarë, si sekretarë të parë por në një sistem që funksionon mbi parimet e lirisë dhe ndarjes demokratike të pushteteve, kjo s’mund të ndodhë. Në këtë mospërputhje, në këtë papajtushmëri organike, në këtë papajtueshmëri organike  të tyre me sistemin qëndron shkaku themelor i  gjithë ngërçeve dhe i konfliktualitetit që ata kanë mbjellë dhe vazhdojnë  të mbjellin  në vend. Por për të realizuar këtë ëndrr të tyren ata duhet të prishin demokracinë në themel, gjë që nuk mund ta bëjnë kurrë. 

Pavarësisht nga kjo, pavarësisht se  themelet e demokracisë  janë  tashmë më të forta se  orekset e oligarkisë që qeveris sot vendin,  ne as i kemi  soditur, as nuk do t’i  përcjellim duarkryq në aventurën e tyre. Do t’i  denoncojmë siç i kemi denoncuar ditë për ditë, orë për orë. Do t’i luftojmë ditë për ditë, orë për orë. 

Do  të  vazhdojmë  t’i përballim me ligjet dhe kushtetutën e vendit në institucionet respektive të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Do të vazhdojmë t’i  përballim me standardet demokratike në forumet dhe kancelaritë e demokracive perëndimore. 

Do të vazhdojmë të organizojmë dhe udhëheqim protesta popullore  kundër mashtrimeve  dhe papërgjegjshmërisë qeveritare, kundër papunësisë dhe shpunësimit, kundër  përkeqësimit, rrokullisjes dhe varfërisë. Bashkë me të gjithë demokratët e Shqipërisë dhe me të gjithë qytetarët e lirë të këtij vendi, do t’u kujtojmë  shumë shpesh, shpesh e më shpesh Edi Ramës dhe Ilir Metës urtësinë  e vjetër se kush mbjell erën do të korrë furtunën, dhe kush mbjell furtunën do të korrë tsunamin.     

 

Një vit u ka mjaftuar të gjithë shqiptarëve, edhe votuesve socialistë madje edhe militantëve të ndershëm socialistë që arsyetojnë me busullën e logjikës dhe  fakteve konkrete, për të kuptuar  se çfarë është Rilindja e Edi Ramës. 

Nuk është legalizm falas- legalizimet e mbetura kushtojnë  shumë më shtrenjtë se më parë. 

Nuk është shëndetësi falas – shëndetësia gjithashtu kushton më shtrenjtë se më parë. Nuk është rend dhe siguri në rritje – treguesit flasin gjithnjë vetëm për përkeqësim. 

Nuk është  zhvillim, nuk është punësim- shifrat dhe gjendja reale flasin vetëm  për rënie dhe tatëpjetë. 

Nuk është një administratë  e motivuar në punë – administrata po mbushet me klientë  dhe individë  me rekorde kriminale siç nuk ka ndodhur kurrë në historinë e shtetit shqiptar. Nuk është  një shoqëri  më e bashkuar dhe një Shqipëri më demokratike. Rilindja e ka hequr maskën. 

Thjesht dhe qartë  Rilindja është kllapia e Edi Ramës për të sunduar në një Shqipëri pa opozitë reale, me një opozitë dekorative, më konkretisht pa Partinë Demokratike. As punistët e reformuar  nuk do ta pranonin këtë  kllapi të kryeoligarkut në kushtet e sotme. Aq më  pak shumica absolute e të majtës dhe e të djathtës demokratike në vend. Nëse kjo papajtueshmëri eksistenciale mes kryeoligarkut Edi Rama dhe opozitës shqiptare është e  pazgjidhshme, nëse një nga palët është e tepërt, është shumë e qartë se e tepërt nuk është e nuk mund të jetë opozita, por është Edi Rama që duhet të ikë.    

Bashkë me maskën e së ashtuquajturës Rilindje  kanë rënë edhe maskat  e të ashtuquajturve rilindës. Kanë dështuar me të gjitha premtimet, prandaj  i kanë shpallur luftë së vertetës, duke bërë çmos ta zëvendësojnë me gënjeshtrat e tyre. Në mos ta zëvendësojnë, ta turbullojnë, ta kthejnë atë nga një çështje faktesh kokëfortë në dritën e diellit në një çështje opinionesh. 

Për këtë qëllim kanë mobilizuar si asnjëherë më parë mjete, para dhe taborre sahanlëpirësish në ekrane dhe media. Luftë opozitës, luftë institucioneve të pavarura, luftë përfaqësuesve të grupeve të interesit, luftë zërit të lirë në shoqërinë civile, luftë zërave të pavarur në media, luftë kundër kujtdo dhe gjithkujt që guxon të bëjë transparencën dhe të thotë të vërtetat. E kanë të kotë. Beteja kundër të vërtetës do të jetë Vaterloja e oligarkëve të Tiranës.

Të nderuar deputetë, 

Në korrik  kemi  ndërprerë marrrëdhëniet me Kuvendin e  Shqipërisë. Ngjarja e rëndë që u bë shkak për marrjen e këtij vendimi rezultoi  të ishte vetëm maja e ajsbergut të skemës  kriminale, skemë e përzgjedhur nga  Edi Rama  për të  ndërsyer kundër opozitës një grup  kriminal të  rekrutuar, të strukturuar dhe të drejtuar personalisht prej tij  për të bërë  xhandarin kundër opozitës dhe fjalës së lirë në Kuvendin e Shqipërisë. Për të provokuar skena dhe ngjarje akoma më të rënda. 

Mbi pesëdhjetë herë i kemi bërë thirrje publike të prononcohet për deputetin e tij të dënuar për trafik prostitucioni dhe rrëmbim personi, të cilin e ka sjellë në Kuvend duke spostuar dy gra socialiste. Njeriu që s’pushon së foluri shtatë  ditë në javë,  nuk ka thënë dot një fjalë për  këtë rast të pashembullt në historinë e parlamentarizmit shqiptar dhe europian.

Por me  heshtjen e tij ka folur shumë qartë se ai është vetë kapobanda që shkelmon të drejtën dhe dinjitetin e grave për  të realizuar synime të shëmtuara. Është ai që nuk e ka për gjë të prishë tempullin e demokracisë, për të ruajtur të paprekur botën e krimit ku komandon dhe komandohet. 

Në këto kushte, vendimi i grupit parlamentar  të Partisë Demokratike  në lidhje me Kuvendin mbetet në fuqi. Ne nuk do të shkojmë në një Kuvend ku opozita nuk dëgjohet, nuk replikohet, por goditet dhe kërcënohet fizikisht. Nuk është Kuvendi arena që Edi Rama të nxjerrë mllefet dhe urrejtjet  e tij të bartura; nuk është kuvendi arena për të larë hesape të tilla. 

Ne do të mbrojmë dinjitetin e Kuvendit të Shqipërisë  duke  mos lejuar përdhosjen dhe damkosjen e tij me skemat dhe intrigat e një armiku të vjetër të parlamentarizmit. Le të flasë ai me vete sa të dojë atje. Ne do të vazhdojmë opozitën tonë të vendosur ditë për ditë për çdo projektligj, për çdo akt, për çdo vendim, për çdo veprim të qeverisë dhe të shumicës.  Opozita jonë do të jetë non stop,  publike, e mbështetur si kurdoherë në fakte dhe argumente. Dhëmbë për dhëmbë për  mbrotjen  e demokracisë, duke qëndruar  fort në pozitat e një opozite  europianiste. Kjo do të jetë opozita jonë.

Duke përshendetur dekretet  e Presidentit  të Republikës,
z. Bujar Nishani për kthimin e ligjeve antikushtetuese të seancës  së 31 korrikut, ne shprehim keqardhjen tonë për rrëzimin  e këtyre dekreteve nga  shumica oligarkiste dhe njëkohësisht indinjatën tonë për mënyrën  thellësisht arrogante të rrëzimit të tyre. 

Nuk u  trajtuan as edhe një çast  argumentet juridikë të Presidentit, nuk u dëgjua asnjë kundër-argument, dëgjuam dhe pamë vetëm përsëritjen e grimasave të pakontrolluara dhe deklaratave të pakoka të Edi  Ramës se nuk ka kohë për të humbur me  mendimet e Partisë Demokratike!

Ne  do ti ankimojmë  një për një në gjykatën kushtetutese këto ligje dhe akte, duke filluar me hartën e ndarjes së re territoriale, që përveçse antikushtetuese ka zhdukur konceptin dhe paralajmëron të zhdukë edhe realitetin e  demokracisë vendore në Republikën e Shqipërisë. 

Paralelisht, për të njëjtën çeshtje,  kemi marrë masat dhe po vemë në lëvizje referendumet vendore përmes të cilëve do tu japim mundësi banorëve të komunave dhe bashkive të shprehin  mendimin e tyre  ashtu siç është sanksionuar  në nenin 108 të Kushtetutës së Shqipërisë. 

Me Kushtetutë në dorë, kjo është e do të jetë arma jonë kryesore. Me  më shumë vendosmëri, me më shumë përkushtim, me më shumë përvojë  le të rinisemi  në misionin tonë.  Është një kohë e vështirë, Shqipërinë e ka vënë nën zgjedhë oligarkia Rama-Meta por kjo nuk mund të zgjasë, demokracia nuk mund të humbë, opozita dhe qytetarët janë e do të jenë më të fortë se oligarkët.

Faleminderit