Deklaratë e deputetes së PD, mbi nevojën e drejtimit të Këshillit Kombëtar të Integrimit nga opozita, sipas modelit europian

 

 

  

Besoj që tashmë kur keni dalë nga Komisioni i Integrimit dhe keni dëgjuar shpehjen e maxhorancës referuar ngritjes së Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, keni kuptuar që ka një tërheqje. 

Unë shpresoj shumë që kjo tërheqje që ka vendosur sot maxhoranca të bëjë duke kuptuar gabimin e propozimit që kishte bërë për ngritjen  e Këshillit Kombëtar, të jetë e tillë deri në fund sepse nuk kemi kërkuar, dhe e përsëris, asgjë më shumë se sa ti lihet opozitës hapësira për të drejtuar një organizëm i cili ka treguar që ka qenë i suksesshëm në këtë format në vendet e tjera që sot janë vende anëtare të Bashkimit Europian, duke ripërmendur këtu rastin e Kroacisë. Të gjitha strukturat e proçesit të integrimit europian në Shqipëri janë ngritur sipas modelit kroat, dhe kjo e këshillit jo vetëm që nuk e gjej me vend por më duket e tepruar dhe një shpikje shumë e pasaktë por edhe dashakeqe. Sa herë bëhet fjalë  për ti dhënë opozitës një hapësirë që e meriton dhe që e ka gëzuar edhe në vende të tjera në këto stade të procesit të integrimit në Shqipëri, qeveria dhe maxhoranca porpozon një model për t’ia kufizuar hapësirën opozitës. Pra shpresoj shumë që kjo tërheqje e sotme të jetë një reflektim për të mbërritur deri në fund në një format të cilin unë e kam propozuar dhe ia kam depozituar me shkrim Ministres së Integrimit, ku ne të jemi palë dhe Këshilli Kombëtar i Integrimit të jetë një organizëm parlamentar i drejtuar nga opozita për të treguar që qeveria është e gatshme të kontrollohet në këtë proces duke ia lënë opozitës drejtimin e këtij këshilli dhe nga ana tjetër të mos presë që qeveria të kontrollohet nga maxhoranca e vetë.

Pyetje: Kur mund ta merrni drejtimin e Këshillit?

Bregu: Besoj dhe shpresoj të kem një përgjigje të letrës zyrtare që i kam nisur ministres së integrimit dhe më qartë se sa jam shprehur aty nuk kam se çfarë të them. Këshilli Kombëtar është një organ konsultativ i cili duhet të mblidhet dy herë në vit dhe duke qenë se është detyrim dhe konkluzion i dialogut të parë të nivelit të lartë, do të ishte mirë të konstituohej sa më shpejt. Kjo do të thotë që edhe në rast se do të shkonim në dialogun e rradhës të datës 29 nëntor me një vendim për Këshillin Kombëtar dhe me një format europian, do të ishte sigurisht një vlerë në procesin e integrimit. Vazhdoj të besoj fuqimisht se kontributi duhet të jetë gjithpërfshirja dhe jo ndarja.