Deklaratë e Enno Bozdos
“Afera CEZ” i ka kushtuar dhe do t`i kushtojë shumë Shqipërisë, në planin financiar, ekonomik dhe atë të imazhit ndërkombëtar!
Në planin ekonomik dhe financiar:
·Siç edhe kemi paralajmëruar, kjo aferë do të sjellë rritjen e çmimit të energjisë elektrike. E verteta është se shqiptarët e kanë paguar një herë këtë rritje çmimi, dhe nuk duhet të paguajnë përsëri. Rritja e çmimit do të varfërojë më tej jo vetëm buxhetet e pakta familjare, por do të ulë aftësinë blerëse, do të shtrenjtojë koston e punës, e për rrjedhojë do të dëmtojë ekonominë shqiptare, tashmë e “zënë prej fyti” prej rritjes së vazhdueshme e taksave dhe frymës së pesimizmit që ka kaptuar gjithkënd;
·500 milionë euro, borxhe të pranuara dhe të papaguara të kompanisë CEZ ndaj shtetit shqiptar, u shuajtën me një të rënë të lapsit, sikur të mos kishin ekzistuar më parë;
·3 miliardë dollarë, dëmi që CEZ i ka shkaktuar SEL dhe ekonomisë shqiptare, edhe pse i certifikuar nga ekspertë të mirënjohur ndërkombëtarë, u “harrua” nga maxhoranca pa brerjen më të vogël të ndërgjegjes;
·E sikur të gjitha këto të mos mjaftonin, maxhoranca do t`i paguajë CEZ edhe 95 milionë euro të tjera, edhe pse CEZ shkeli kontratën me të dyja këmbët duke i shkaktuar vendit dëme të pallogaritshme. Në qoftese këto 95 milionë euro do të investoheshin në sistemin e shpërndarjes, dhe nuk do të ngrohnin xhepat e thellë të CEZ, atehere nuk do te kishte nevojë të merrnim hua dhjetëra miliona dollarë nga kreditorët. Dhe kjo hua do të paguhet përsëri nga të gjithë shqiptarët.
“Afera CEZ” do t`i kushtojë shumë Shqipërisë dhe në planin e imazhit ndërkombëtar të vendit:
·Maxhoranca fshehu me qëllim raportet ndërkombëtare të kompanive të specializuara, të cilat ishin prova themelore e aferës CEZ. Shqiptarët nuk u njoftuan mbi çfarë faktonin këto raporte, ndërsa Kryeministri dhe ministrat e tij vazhdojnë të sillen sikur keto raporte nuk ekzistojnë. Maxhoranca u soll sikur të ishte avokate e CEZ dhe jo gardiane e interesit të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
·Avokati ynë ndërkombëtar u përjashtua nga negociatat, duke shënuar rastin unikal në botë se si një qeveri paguan avokatin e saj për një çeshtje shumë të rëndësishme, e me pas nuk e lejon atë të marrë pjesë negociata e të shprehë mendimin e tij profesional;
·Përfundimisht, maxhoranca nuk di dhe nuk dëshiron të mbrojë interesat legjitime të shtetit shqiptar, duke u tërhequr pa asnjë arsye nga arbitrazhi ndërkombëtar. Imazhi i dëmtuar i Shqipërisë nga kjo afere, nuk do te mund te rifitohet, sepse maxhoranca duke paguar CEZ, ka marrë padrejtësisht mbi vetë fajin.
Partia Demokratike e ka denoncuar prej muajsh këtë skandal. E ka denoncuar dhe vazhdon ta denoncojë në bazë të provave dhe fakteve te pakundërshtueshme; e ka kundërshtuar dhe do ta kundërshtojë sepse per ne, interesi i Shqipërisë dhe shqiptarëve, vjen mbi gjithçka.
Pikerisht për këtë, të gjithë ata që e shkaktuan dhe e “shijuan” këtë megaskandal, do të vihen përpara përgjegjësisë së plotë individuale.
Drejtësia do të vendoset me çdo kusht!