Ngrihen grupe pune që do të informojnë partnerët ndërkombëtarë për mungesën e transparencës dhe që do dërgojnë konkluzionet e 1400 dosjeve, në Prokurorinë e Përgjithshme
Anëtarët e Komisionit të Ligjeve dhe të Ekonomisë së Partisë Demokratike, u mblodhën sot në ambjenet e selisë së PD, dhe diskutuan mbi ndryshimin që po bën qeveria në ligjin për Prokurimet Publike.
Duke e konsideruar ndryshimin që kërkon të bëjë qeveria, larg pritshmërisë së publikut dhe për një problem periferik, anëtarët e komisioneve shprehen shqetësimin për mungesën e transparencës që po ndodh me prokurimet publike, dhe u vendos ngritja e dy grupeve të punës, me deputetë dhe ekspertë.
Grupi i parë i punës do të informojë partnerët ndërkombëtarë për mungesën totale të transparencës në lidhje me prokurimet publike.
Dhe grupi i dytë i punës, do të analizojë mbi 1400 praktika të prokurorimit të drejtpërdrejtë që ka bërë qeveria, ku ka dyshime serioze për korrupsion aktiv. Dhe konkluzionet do ti dërgohen Prokurorisë së Përgjithshme.
Më poshtë, deklaratat e z.Ridvan Bode dhe Oerd Bylykbashi
Bode: Zero transparencë, nuk ka garë, por pazare për tenderat
“Sot ne po zhvillojmë mbledhje të përbashkët të komisionit të Ekonomisë dhe Komisionit të Ligjeve, me deputetët e opozitës anëtarë të këtyre komisioneve, për të diskutuar rreth një ligji i cili ka qënë pjesë e diskutimeve dhe debateve në këto komisione. Ka të bëjë me një ndryshim në ligjin për prokurimin publik. Dihet që fusha e veprimit të këtij ligji përmbledh një nga problemet dhe prioritetet e vazhdueshme të të gjithë qeverive që lidhet me përdorimin e efikas dhe me llogari të fondeve publike.
Maxhoranca aktuale, dje në opozitë, në premtimet e saj elektorale dhe në programin e saj qeverisës të miratuar në Parlament ka kritikuar e akuzuar ish-maxhorancën për përdorim jo-transparent dhe konkurues me kompanitë dhe me fondet publike në një sërë tenderash. Pritej që në ndryshimin e parë që do ti bëhej ligjit për prokurimin public, të mund të reflektoheshin masa dhe alternativa, ide, që maxhoranca e sotme të mund të përmirësonte më tej përdorimin efikas dhe me llogari të fondeve publike. Në të vërtetë ligji aktual është hartuar me një eskpertizë të Bankës Botërore dhe e financuar prej saj dhe që ka reflektuar të gjitha standardet e direktivës më të fundit të Bashkimit Europian lidhur me përdorimin e fondeve publike. Në këtë kuadër, interesi për të parë drejtimet e përmirësimit ka qënë për të gjithë opinionin publik, për bizneset që marrin pjesë në konkurim në përdorimin e këtyre fondeve në këmbim të furnizimeve dhe shërbimeve, por ajo që ne shohim është ky projekt, me një nen me një rresht, i cili në thelb ka zgjerimin e mëtejshëm të fushave ku nuk i nënshtrohen burimit të përdorimit të fondeve publike, dhe thua se e gjithë problematika që ka përdorimi i fondeve publike tek kryeministri, kryetari i Kuvendit,ministrisë së Jashtme, të integrimit, dhe presidencës, qenka i lidhur vetëm me biletat e udhëtimit jashtë. Pra thelbi i ligjit është vetëm një nen i cili nxjerr jashtë procedurave të prokurimit biletat e udhëtimit të këtyre 5 institucioneve dhe nuk reflekton asnjë nga shqetësimet që ka shprehur maxhoranca e sotme dhe më herët, dhe për çudi tashmë ka heshtur tërësisht. Njësërë kallëzimesh apo ankesash që janë bërë për ish-zyrtarët të cilët kanë zbatuar në mënyrë rigoroze ligjin për prokurorimin publik, janë tërësisht akuza falso, pasi maxhoranca e sotme në vend të përmirësimit të atyre neneve që i konsideron të rëndësishme për të rritur transparencën publike dhe konkurencën e kompanive në përdorimin e fondeve publike, e ka harruar dhe po vijon në të njëjtin drejtim të përdorë fondet publike me atë ligjin që e ka konsideruar të papërshtatshëm.
Në të vërtetë po tu hedhim një vështrim atyre pak statistikave që publikon qeveria lidhur me prokurimet publike dhe procedurat, do të vërejmë se ka një deformim të mëtejshëm dhe largim dhe mosrespektim të ligjit, por edhe efekte të tjera që rrisin mungesën e raportimit dhe transparencës publike. Të gjithë e dimë se Shqipëria ishte i pari vend në rajon i cili aplikoi praktikën e prokurimeve elektronike të të gjitha llojeve të shërbimeve dhe furnizimeve. Dhe për këtë veprim janë marrë përgëzimet nga institucionet ndërkombëtare por edhe nga opinioni publik. Raportimi dhe analizimi online ka qënë një nga arritjet që rriste transparencën para publikut dhe prezantimin e gjithçkaje që prokurohej dhe që paguhej me paratë publike, brenda 24 orëve.
Por u bënë muaj të tërë që në sistemin e prokurimit publik vetëm aplikohet për të marrë pjesë në tendera, por asnjë raport tjetër, asnjë e dhënë tjetër nuk funskionon më, as portali i analizave, i raportimeve, i ankesave dhe i çështjeve të tjera që kanë të bëjnë me transparencën e përdorimit të fondeve publike nuk funksionon më, është i mbyllur.
Së dyti, procedurat e prokurimit me negociim, pa një konkurencë të hapur në tenderat publike. Nga një mundësi ekstreme që ishte parashikuar në ligj për raste emergjente dhe me përvoja të paparashikuara, është shndërruar tashmë në një rregull të përgjithshëm të prokurimit të fondeve publike. Ne kemi të dhënat e periudhës shtator-dhjetor dhe janar-maj të këtij viti për këtë lloj prokurimesh dhe rezulton që në këtë periudhë ishin realizuar 136 tendera të tillë pa prokurim, pa garë por me negociim. Në atë periudhë nuk pati prokurime publike për shërbime të tjera, dhe gati 40% e prokurimeve publike dhe kontratave të lidhura në 3 muajt e fundit të vitit të kaluar i përkisnin pikërisht kësaj praktike. Por e keqja u intensifikua në 5 mujorin e parë të vitit në vijim ku janë kryer 1141 procedura të tilla ku kontratat lidhen përmes negociatave dhe jo përmes garës së hapur, të të gjitha kompanive. Pra 1141 raste, administrata qendrore, ministritë, nuk kanë bërë prokurime por negociata, pazare për të lidhur kontrata me kompanitë e preferuara nga ana e qeveritarëve. Kjo gjë ka sjellë që në tendera të mos ketë konkurencë dhe garë dhe i gjithë fondi limit i akorduar në këto kontrata fituese u është dhënë si fitues kompanive pjesëmarrëse.
Në periudhën shtator 2013-maj 2014 në 1277 kontrata të lidhura me negociim, pa garë publike dhe pa pjesëmarrjen e kompanive të interesuara janë kursyer vetëm 20 milionë lekë ose 0.6 % të vlerës. Pra vlera e fituar nga kompanitë ka qënë 99.4 % e fondit limit dhe kjo dëshmon se nuk ka pasur garë se këtu gara nuk është përdorur si një instrument për të identifikuar vlerën reale përmes konkurencës të shëbrimit, apo investimit që ka kontraktuar qeveria.
Nëse kthehemi në kohë, përdorimi i prokurimit elektronik dhe pjesëmarrjes së gjërë të kompanive në të gjithë kontrata e qeverisë, ju e mbani mend që ishin 20% kursime nga kjo garë. Tani kemi vetëm 0.6 % të vlerës. Për më tej, për shkak të mosfunskionimit të portalit të analizës dhe të dhënave dhe të gjithë procesit të prokurimeve elektronike, asnjë e dhënë nuk egziston për ankesat dhe as që raportohet nga ana e autorieteve, për zgjidhjen e tyre dhe për rezultatet e gjithë këtij aktivitet të qeverisë.
Nga mungesa e konkurencës në garë dhe bërja e tenderave në mënyrë të mbyllur jo konkuruese, por duke absolutizuar ftesën për negociatat për fondet publike, sigurisht që e kanë pësuar në kurriz shërbimet publike, ni
veli i cilësisë së tyre dhe shërbimi ndaj qytetarëve. Në tërësinë e administratës së re, rreth 1 mijë procedura me negociim, pra pa tendera, janë zhvilluar në sistemin e shëndetësisë i cili ëstë sektori me problematik në shërbimin ndaj qytetarit. Aktualisht mungesat në ilaçe dhe furnizime të tjera në shërbimet sëndetësore është më i madh. Qeveria në përpjekje për të justifikuar realizimin 100% të vlerës së tenderuar nëpërmjet negociatave ka bërë zëvëndësime të një sërë ilaçesh për qytetarët, për rimbursimin e pensionistëve, apo për shërbimet e tjera, në spitalet të cilat janë jashtë kërkesave të qytetareve, drejt vlerave më minimale dhe cilësive të papërshtatshme, çka ka bërë që shkalla e rimburismit për të gjithë ata që përfitojnë nga i ashtuquajturi shërbim shëndetësor falas, të ulet me 4 deri në 5 herë, dhe qytetarët detyrohen të paguajnë vetë ilaçet e rekomanduara nga ana e mjekëve duke u rritur koston përballë pamundësisë së kategorive që nuk e përballojnë dot. Pra siç shihet, ndryshimi që kanë sjellë dhe që e votojnë nesër në Parlament nuk reflekton problematikën e përdorimit të fondeve publike, nuk rrit konkurencën dhe transparencën në tenderat e zhvilluara nga ana e qeverisë, përkundrazi kapet në mënyrë qesharake me një problem periferik, të parëndësishëm, por që dëshmon mentalitetin për të zgjeruar më tej aktivitetet, fushat, institucionet ku shërbimet nuk do i nënshtrohen ligjit të prokurimit publik që janë institucione të preferuara. Ka sens që produkte të caktuara të lihen jashtë prokurimit publik por jo institucione të caktuara për të njëjtin produkt. Pra për të njëjtin shërbim, administrata në disa isntitucione duhet të bëjë tendera ndërsa në disa të tjera nuk ka nevojë. Mjaftojnë puonjësit që të lidhen me një operator në treg për të marrë shërbimin e për të harxhuar fondet për të. Mendoj se ky është një projekt që nuk kënaq pritshmërinë dhe interesat e opinionit publik dhe aq më pak të opozitës e cila priste një fuqizim të procedurave për prokurimin e fondeve publike dhe rritjen e transparencës në të gjithë këtë aktivitet të qeverisë.
Bylykbashi: 3.3 miliardë lekë të reja për kompanitë afër qeverisë
Eshtë një situatë vërtet shqetësuese sepse përgjatë një viti qeversije, rreth 1.300 procedura janë të tëra me negociim pa shpallje, dhe mbi 1.100 proçedura janë me negocim pa shpallje nga janari deri më sot. Vlera totale, rreth 3,3 miliard të reja, që dihet që janë të gjitha para të taksapaguesve shqiptar, shpërndahen në mënyrë klienteliste nëpërmjet këtij sistemi që është përjashtim nga rregulli, dhe nuk mund të jetë rregulli kështu si po e kthen qeveria procedurën e prokurimit. Në këtë mënyrë e kanë rriskun shumë të lartë për tu abuzuar dhe rënë pre e skemave korruptive. Për fat të keq, siç e tha dhe z. Bode, është vetëm 0.6% kursimi, pra nëpërmjet kësaj skeme klienteliste ata nuk bëjnë gjë tjetër veçse shpërndajnë gjithë fondin tek kompanitë që janë në preferencën e tyre. Para pak ditësh media bëri publike se si një kompani që është e ditur botërisht që është në pronësi të një deputeti që është me influencën më të madhe pranë kryeministrit, Koço Kokëdhima, kishte kapur pothuajse të gjitha kontratat e furnizimit me internet dhe telefoni të një numri të jashtëzakonshëm kompanish shqiptare, të gjitha këto të verifikuara nnga lëvizjet në thesarin e shtetit. Pra, asgjë pretendim, e gjitha e faktuar me procedurë dhe transparencë, nga ato sisteme që ne ngritëm pikërisht për të bërë qeverisje më transparente. Për fat të keq, ashtu siç tha dhe z.Bode, sistemi i prokurimit elektronik, tashmë në mënyrë të qëllimshme mesa duket po futet në kolaps, duke mos dhënë informacion, duke mos përpunuar informacion, në mënyrë që të kenë mundësinë ta aksesojnë vetëm persona të interesuar, pra kompanitë pranë qeverisë dhe qeveritarve, ndërkohë të gjithë të tjerët, opinioni publik, media dhe kushdo tjetër që ka interes për transparencë, mos ta ketë këtë mundësi. Me një urdhër të Agjensisë të Prokurimit Publik, për fat të keq, detyrohet të arkivohen menjëherë të gjitha proçedurat sapo mbyllet kontrata, ndërkohë që më parë këto qendronin një vit, e gjitha kjo me një arsye të vetme, që të bëhej transparente gjithçka, tashmë kjo është e pamundur. Askush nuk është në gjendje sot që të bëjë një analizë dhe të kuptoj se kujt po i shkojnë këto para. Është pikërisht për shkak të kësaj mungese transparence dhe këtij qëllimi klientelist dhe korruptiv që në mënyrë masive përjashtohen në procesin e tenderimit kompanitë me vlerën më të ulët dhe në mënyrë të rregullt kontratat i marrin kompanitë që renditen të fundit në konkurim për shkak se kanë vlerën afër vlerës limit. Dhe fakti që gjithë kjo vlerë i është dhënë kompanive pothuaj në vlerën limit, tregon që kjo është skema. Kompanitë pranë qeverisë marrin kontratat në vlerën e plot pa kursyer asnjë lek për shqiptarët. Siç e tha z.Bode, ne kemi arritur deri në 20%, kursim, për shkak të konkurimit me proçedurë tenderimi të hapur e për rrjedhojë kjo që ndodh sot është jo vetëm e papranueshme por skandaloze.
Në këtë pikë, sigurisht unë besoj që do të ishte me vend që ne të shohim mundësinë e ngritjes së një grupi ekspertësh për ta investiguar në detaj këtë situatë të papranueshme dhe për sa të jetë e nevojshme të bëhen dhe kallzimet penale në lidhje me proçedurat që kanë rriskun korruptiv. Kështu që ne ta diskutojmë, dhe të shohim modalitetet për diçka të tillë, sepse kjo është e domosdoshme. Nuk mundet që, jo vetëm një përpjekje të jashtëzakonshme, por një reformë të jashtëzakonshme, siç ishte ajo e prokurimit elektronik e cila na renditi vendin e parë në botë me prokurim 100% elektronik, i cili i dha shqipërisë çmim nga OKB-ja, pikërisht për transparencën në qeverisje për shkak të këtij sistemi, sot qeveria Rama ta zbëjë. Ky ndryshim që na vjen sot, edhe në aspektin ligjor, është në kundërshtim me direktivën e BE-së. E para, ka një detyrim qeveria që kur të sjellë projektligje të këtij lloji, të sjellë, të shgjegojë edhe përqasjen, ose përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian, me direktivën përkatëse dhe këtë nuk e bën dhe kjo është e papranueshme. Nuk e bën sepse nuk mund ta justifikojë. Ligji që kemi sot në fuqi është 100% i përputhur me direktivën e BE-së dhe kjo është shmangie nga direktiva e BE-së. Sigurisht që kryeministri ka një qasje shumë efikase për këtë, kur ligji i del përballë, i vjen ndesh, ai ose e anashkalon ose e ndryshon. Meqë nuk mund të presë dhe preferon të udhëtojë me çarter të paguar nga kompani të cilat nesër do ti kërkojnë konçesione ose tender, sigurisht merr përsipër të ndryshojë edhe ligjin në mënyrë që askush të mund ti thotë kalove vizën Z. Kryeministër. Kjo nuk mund të bëhet sepse është në kundërshtim me ligjin. Pra nuk ndryshohet ligji sepse Kryeministrit i volit për të patur aferat e tij klienteliste. Sigurisht nuk ka asnjë çudi, sot po kthehemi në një vend ku procedura të rëndësishme ose veprime të rëndësishme, investime apo shërbime kryhen, dikush pretendon në mënyrë vullnetare.
Ka shumë pak kohë që është bërë çështje e ditës, e opinionit publik dhe e medias se si fonde qeveritare ose fonde të tjera, të cilat nuk janë fonde private por janë fonde publike, janë shpenzuar për aktivitete që më pas janë përdorur për interesa personale. Të gjithë jemi dëshmitarë me atë që ka ndodhur me ndërtesën e kryeministrisë. E tëra një proçedurë abuzive ku me siguri, nëse prokuroria do të hetojë do të nxjerrë një numër personash me përgjegjësi penale, për të gjitha ato shpërdorime, për fonde që u
thanë që ishin kontribut vullnetar. Në fakt të gjitha proçedura të kryera në shkelje të ligjit, pa asnjë prokurim, dhe që me siguri kanë hapur mundësinë për kryeministrin që të japë tendera me negocim pa shpallje klientëve të vet. Pra kjo qasje që ka ky Kryeministër nuk mund të shkojë veçse në këtë drejtim, ku 1.300 procedura, përgjatë një viti, 3.3 miliard lekë, të jepen pa asnjë konkurim, pa kursyer asnjë lek për xhepat e shqiptarve. Kështu që, sigurisht, dhe në aspektin ligjor, unë besoj që i bashkohemi të njëjtit konkluzion që ky propozim jo vetëm nuk zgjidh problematikën që sot po gëlon në sektorin e prokurimit publik, por dhe në aspektin specifik teknik është në kundërshtim me direktivën e Bashkimit Europian dhe për rrjedhojë është një propozim i cili vetëm e minon sistemin e prokurimit publik dhe nuk ndihmon të zgjidhë të gjitha këto probleme dhe propozimi i dytë, që të vazhdojmë ta diskutojmë, është ai që bëra më herët, që të ngrejmë një grup i cili të investigojë me kujdes këto raste dhe rast pas rasti të bëjmë dhe kallzimet penale për përgjegjësinë që kanë personat përfshirë në to.