Koordinatori Ervin Salianji denoncon ndërtimin ku është përfshirë kryetari i Bashkisë së Urës Vajgurore, që është daja i Ministrit Veliaj. Gjykata e Apelit të Vlorës e shpalli lejen të pavlefshme 

 

Partia Demokratike denoncon korrupsionin me ndërtimet pa leje në vend, dhe politikën e standardit të dyfishtë që ndjek qeveria.

Partia Demokratike ka dëshmuar me fakte, se të afërmit e Ministrit të Mirqënies Sosiale, Erion Veliaj, konkretisht daja i tij që është edhe Kryetar i Bashkisë së Urës Vajgurore, janë përfshirë në një ndërtim të paligjshëm, që vazhdon edhe në këto momente.

Koordinatori për denoncimet në Partinë Demokratike, Ervin Salianji, ishte pranë vendit ku po ndërtohet pallati.

“Jemi sot këtu për të denoncuar këtë ndërtim klientelist, korruptiv, e që i vendos minat nga themeli shtetit të së drejtës. Kam këtu vendimin e Gjykatës së Apelit të Vlorës, e cila shfuqizon aktin administrativ të njësisë vendore Ura Vajgurore, dhe i jep të drejtë Inpektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar dhe një personi të tretë, i cili ka kërkuar që ky ndërtim të mos bëhet”, u shpreh Salianji.

Teksa raportohen raste te arrestimeve e procedimeve penale kudo, edhe për lyerje, e savotime të shtëpive, ky pallat disakatësh, që të gjithë banorët e Urës Vajgurore e dinë se po e ndërton Kryetari i Bashkisë, njëkohësisht, daja i Erion Veliajt, vazhdon të hedhë shtat pa u shqetësuar nga askush.

“Prej 3 vitesh ky ndërtim është ndaluar në përputhje të plotë me legjislacionin dhe vendimin e gjykatës. Para 6 muajsh, pas ndërrimit të qeverisë, ky ndërtim klientelist po vazhdon të ndërtohet për të vetmen arsye, se ky ndërtim bëhet nga i afërmi, nga daja i Ministrit të Miqërënies Personale. Pas një viti, kemi dy Shqipëri. Shqipërinë e të pamundurve, të njerëzve të varfër, të njerëzve në nevojë të cilët shoqërohen, tmerrohen për një tullë, dhe njerëzve të oborrit dhe tarafit qeveritar të cilët ndërtojnë në mes të ditës pa iu dridhur qerpiku dhe pa u hyrë asnjë gjemb në këmbë”, tha Salianji.

Ndërtimi në fjalë, ishte kontestuar më parë nga INUK. INUK e fitoi gjyqin me Bashkinë e Urës Vajgurore, dhe leja e ndërtimit u shpall e pavlefshme. Vendimi i marrë nga Gjykata e Apelit të Vlorës, është i formës së prerë.