Deklaratë e deputetit Arben Ristani mbi shkeljen e të paktën 5 ligjeve dhe dy planeve urbanistike me kompleksin e Kokëdhimës në Qeparo

 

Edi Rama u shfaq në ekran si avokat me prokurorë  i sarajeve të Koço Kokëdhimës, duke dëshmuar edhe një herrë publikisht se ligji nuk është i barabartë për të gjithë.

Kryeministri mbrojti një ngrehinë të paligjshme, një grabitje të pasurisë publike, një masakër mjedisore, mbrojti kalanë e pasha Koços që mendja i thotë se po konkuron pashain e Janinës.

Duhet një ditë e tërë për të treguar sasinë e madhe të ligjeve që ka shkelur Koco Kokëdhima me ndërtimin e sarajeve të tij.

Eshtë shkelur ligji i Urbanistikës i vitit 1998, ku thuhet se ndërtimet në zonat turistike përcaktohen në planet rajonale dhe masterplanet e zhvillimit. Plani rajonal është miratuar në vitin 2008, kështu që pretendimi i Koços për leje të vitit 2002, është tërësisht qesharak.

Eshtë shkelur rregullorja e Urbanistikës e vitit 98, e cila nuk lejon ndërtime në një zone me gjërësi 250-300 metra nga niveli më i lartë i sipërfaqes ujore. 

Sarajet e Koços janë vetëm 3 metra larg nga vija e ujit.

Eshtë shkelur ligji për Rezervat Ujore, i vitit 1998. Neni  49 ndalon ndryshimin e mbulesës bimore në plazhe dhe brigje me gërmim apo ndërtim. 

Sarajet e Pashait të Jugut ndodhen vetëm pak metra nga vija e detit dhe më pak se 100 m nga këneta dhe lumi i Qeparoit.

Pretendimi se ka leje të vitit 2002 është absurd pasi ligji i kohës e bën nul lejen nëse punimet nuk kryhen brenda 2 viteve. Siç e dini punimet vazhdojnë edhe sot pas 12 vitesh. 

Pretendojnë në mënyrë qesharake se ka ndërtuar në tokë të kthyer në pronësi me ligjin 7501, por bëjnë sikur nuk vënë re se është ndërtuar mbi zallin e bregdetit, mbi fushën e sportit të fshatit dhe në kuptim të ligjit 7501, mbi tokë bujqësore dhe jo mbi truall të miratuar për ndërtim.

Ndërtimi i Koços bie ndesh me 5 ligje dhe dy plane urbanistike. Por ai është ndërtimi i Koços, dhe Edi Rama është avokati i tij me prokurë.

Shemben çdo ditë banesat e të pamundurve, dhe cdo ditë lëshon shtat kundër ligjit pashallëku i Koços. Ky është një krim dhe ky është standardi i Edi Ramës.

Kafshatë që s’kapërdihet është mjerimi, por tallja dhe arroganca e pashallareve me popullin është kulmi.