Deklaratë e kreut të Grupit Parlamentar Demokrat, Edi Paloka, pas shembjes në Kavajë të simbolit të demokracisë

 

Edi Rama ka provokuar sot dhunshëm demokratët e vendit, por dhe mbarë qytetarët, duke shembur simbolin e lirisë dhe të demokracisë në qendër të Kavajës.

Simboli i dy gishtave, përfaqëson sakrificën e gjithë kombit tonë, për ditët e vështira të rrëzimit të sistemit komunist.

Kavaja ishte pionere e ardhjes së demokracisë në vend, dhe e meritonte me dinjitet simbolin në mes të qytetit.

Me këtë akt, Edi Rama ka ndezur fitilat e një revolte popullore.

Me këtë akt të shëmtuar e provokues, Edi Rama ka kaluar cdo kufi, ka dhunuar haptazi qytetarët e Kavajës dhe të gjithë vendit që nuk pajtohen me përpjekjen e tij për të rilindur diktaturën, pjellë e së cilës ai është.

Duke shembur simbolin e demokracisë, Edi Rama ka minuar përfundimisht stabilitetin politik në vend, pasi e kishte goditur atë në mënyrë të përsëritur me shkallmimin e kolonave të demokracisë dhe bashkëjetesës politike.

Ne i bëjmë sot me dije Edi Ramës, se ai ka shembur karriken ku është ulur.

Nga Kavaja do të vijë fundi i tij politik, fundi i sundimit të tij me bandat famëkeqe në Kavajë e kudo në Shqipëri.