Kryetari i Partisë Demokratike të Pogradecit denoncon sjelljen e INUK që solli si pasojë humbjen e jetës së një të riu dhe plagosjen rëndë të dy të tjerëve
Partia Demokratike ka denoncuar sot qeverinë për gjendjen e krijuar në Pogradec, ku si pasojë e aksionit arbitrar të prishjes së ndërtimeve, dje humbi jetën një i ri dhe u plagosën rëndë dy të tjerë.
Kryetari i Partisë Demokratike për Pogradecin, Renato Preza, e ka cilëcuar sjelljen e INUK, si sjelljen e një force armiqësore.
Preza e bëri përgjegjës INUK për humbjen e jetës së të riut, pasi sipas ligjit i takon këtij institucioni të rrethojë godinën e përcaktuar për shembje, në mënyrë të që shmangë të tilla ngjarje dramatike.
“Dje në këtë godinë këtu pas meje, ndodhi një ngjarje fatkeqe ku një i ri humbi jetën, dhe dy të tjerë u plagosën rëndë. Kjo drame vjen si pasoje e gjendjes së luftës që ka krijuar në këtë zonë INUK-u i Edi Rames. INUK po sillet si forcë armiqesore, dhe po merr përpara ctë gjejë, edhe ndërtime te ligjshme me dokumenta të rregullta pronësie. Ky aksion pushtues i INUK-ut të Edi Ramës, po sjell pasoja të tmerrshme për ekonomine e zonës, pasoja të forta sociale, duke shkaktuar papunësi e humbje të pasurisë e të investimeve, në disa raste 15 vjecare.
Eshtë gjëndja e luftes që ka krijuar INUK që i solli këta të rinj këtu në dëshpërim e sipër për të ruajtur sa të mundnin nga kjo pasuri e piketuar për tu rrafshuar. Mirëpo, INUK i Edi Rames, që sillet si batalion armik, ka edhe përgjegjësi të drejtpërdrejtë, pasi sipas ligjit duhej të kishte rrethuar ndërtesen e të mos lejonte njeri të afrohej për të mbrojtur qytetaret. Ne do ti drejtohemi prokurorisë për të zbardhur ngjarjen dhe përgjegjësitë, dhe ftojme sot cdo qytetar ndaj të cilit po veprohet në mënyre arbitrare t’i drejtohet prokurorise e të ndjekë deri ne fund të drejtat e tij”, u shpreh Kryetari i Partisë Demokratike të Pogradecit.
Preza e bëri këtë denoncim teksa shoqërohej nga dhjetra qytetarë dhe banorë të zonës ku po shtrihet aksioni i INUK.