Deklaratë e deputetit Arben Ristani
Dy zhvillime ka sot me rendin në vend.
Pasiguri, shpërthime të njëpasnjëshme të tritolit, dhe vrasje thuajse cdo ditë.
Paralelisht, kemi rritje të paligjshmërisë dhe inkriminim të Policisë së Shtetit.
Gjergj Doda është nën procedim penal, dhe dosja e tij ka shkuar në Gjykatë, pasi si komisioner i Partisë Socialiste për zgjedhjet e 23 qershorit, ai akuzohet nga Prokuroria për falsifikim të materialit zgjedhor dhe të rezultatit të zgjedhjeve.
Ky është një lajm që e kanë pasqyruar të gjitha mediat dhe lehtësisht I verifikueshëm.
Por me Edi Ramën, komisioneri i partisë, që akuzohet për manipulim të zgjedhjeve që sollën oligarkinë në pushtet, jo vetëm duhet shpërblyer, por duhet mbrojtur edhe nga drejtësia.
Ndaj, Partia e ka caktuar shef të antidrogës në Lezhë. Emërimi është bërë në kohën, që Doda ishte në procedim penal.
Nëse falsifikimi, manipulimi i rezultatit të zgjedhjeve është për Edi Ramën një dekoratë që ua njeh komisionerëve të tij në Policinë e Shtetit, ne kemi sot një pyetje për Kryeministrin.
A ka caktuar ai komisioner në Lezhë, një person të përjashtuar nga Policia e Shtetit, për shkak se ka dekonspiruar një aksion të policisë, që si pasojë solli vrasjen e një oficeri?
Dhe më pas, a e shpërbleu ai këtë komisioner, që akuzohet për falsifikim dhe manipulim të zgjedhjeve në favor të tij, si shef të anti-drogës në Lezhë?