Prononcimi për mediat i deputetit Eduard Halimi
Dorëzuam sot në Gjykatën Kushtetuese tre padi ndaj Kryeministrit të vendit për tre ligjet e paketës së drejtësisë. Për Ligjin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për ligjin për disa ndryshime në ligjin për funksionimin e Gjykatave Administrative dhe për ligjin për disa ndryshime në ligjin për Shkollën e Magjistraturës.
Të tre këto ligj, janë ligje të cilat kanë një përmbajtje të thellë antikushtetuese, prekin parimet e ndarjes së pushteteve, prekin parimin e funskionimit të shtetit ligjor dhe kanë për synim kapjen politike të sistemit të drejtësisë.
Ligji për Këshillin e Lartë të Drejtësisë synon hapur kapjen politike të sistemit të drejtësisë së pari duke ndryshuar anëtarët e KLD pa shkak dhe pa përfunduar mandatin e tyre kushtetues.
Së dyti duke i kërkuar Presidentit që të zgjedhë nënkryetaren e KLD nga lista e Kryeministrit, merr kompetencën presidenciale dhe duke e uzurpuar këtë kompetencë nga Kryeministri i vendit, dhe së treti me një akt të paprecedentë në një shtet ligjor dhe së drejtës urdhërohet pezullimi automatik i gjyqtarëve të vendit sapo ndaj tyre të regjistrohet një kallëzim penal. Ligji për disa ndryshime dhe ligji për funksionimin e gjykatave administrative është një ligj tërësisht antikushtetues pasi vendosen kompetenca kryeministrore për të emëruar ndihmësit ligjor të gjyqtarëve të Gjykatës Administrative. Në këtë Gjykatë Kryeministri është tërësisht në konflikt interesi sepse Gjykata Administrative shqyrton akte që nxjerr Kryeministri dhe me ligjin që ai ka hartuar, urdhëron kryetarët e gjykatave që të zgjedhin nga lista kryeministrore emrat e ndihmësgjyqtarëve, një akt ky i paprecedentë në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e vendit e cila parashikon se Gjykatat janë tërësisht të pavarura nga pushteti ekzekutiv. Ligji për Shkollën e Magjistraturës nuk synon gjë tjetër veçse ndryshimin e drejtimit të kësaj shkolle, marrjen e kompetencës presidenciale nga Kryeministri për emërimin e drejtorit të Shkollës së Magjistraturës dhe cënimin e kompetencave të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pra një organi të pavarur kushtetues për të emëruar drejtuesin e kësaj shkolle. E gjithë kjo paketë, është një paketë drejtësie, është një paketë ligjesh, e cila është hartuar në mungesë të plotë transparence, në mungesë të plotë të konsultimit gjithpërfshirës dhe konsultimit me partnerë ndërkombëtarë ashtu siç kanë kërkuar gjithë organizmat ndërkombëtarë dhe në kundërshtim të hapur e në injorim të plotë të thirrjeve ndërkombëtare.
Ndaj edhe ne sot kërkuam para Gjykatës Kushtetuese që e gjithë paketa, të treja këto ligje të pezullohen në mënyrë të menjëhershme, e për tia dërguar Komisionit të Venecias pasi ne mbështesim kërkesën e bërë nga Presidenti i Republikës për pezullimin e ligjit të KLD-së dhe për pritjen e marrjes së opinionit të Komisionit të Venecias, qëndrim presidencial ky, që vjen në harmoni të plotë me këkesat e partnerëve ndërkombëtarë. Ishin partnerët ndërkombëtarë pak muaj më parë që i bënë thirrje qeverisë që të mos i miratonte këto projekt-ligje, pa pritur ekspertizën e Komisionit të Venecias ndaj edhe ne jemi të bindur që Gjykata Kushtetuese si garant i Kushtetutës në vend dhe i shtetit ligjor, do ti pezullojë këto ligje të miratuara nga qeveria duke penguar ardhjen e pasojave të pariparureshme për shtetit të së drejtës, siç janë kapja e drejtësisë që po kërkon ta bëjë Kryeministri i vendit.
Pyetje – Z. Halimi, derisa Gjykata Kushtetuese të shprehet për pezullimin ose jo, mund të përfundojë në Kuvend procedura për shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së dhe anëtarëve të saj të zgjedhur nga Kuvendi.
Halimi: Gjykata Kushtetuese ka precedentë të saj kushtetues dhe të vendimmarrjes se në ato raste kur ligjet prekin kornizën kushtetuese të funksionimit të shtetit ligjor, mandatet e funksioneve kushtetuese, urdhëron në mënyrë të menjëhershme pezullimin dhe ne shpresojmë që ky pezullim të ndodhë sa më shpejt në mënyrë që të mos krijohen pasoja të tilla të cilat mund të jenë të pariparueshme në të ardhmen për shtetin e së drejtës dhe funksionimin e demokracisë në Shqipëri.